Përmbysja e situatës, nga shpartallimi i vullnetarëve tek fitorja e FARK-ut

Fejtone

Përmbysja e situatës, nga shpartallimi i vullnetarëve tek fitorja e FARK-ut

Major Nazif Ramabaja Nga Major Nazif Ramabaja Më 5 korrik 2018 Në ora: 11:53
Tahir Zemaj gjatë kohes së luftës

Njësitë operative të UÇK-së nën udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në formacionet e tyre kishin të formuar njësitin për intervenime të shpejta dhe për herë të parë dëgjohej në opinion për një njësit të tillë. Në përbërje të këtij formacioni ushtarak hynin:

Grupi antiblind-tank.
Grupi mbrojtja kundërajrore.
Grupi snajperistëve.
Grupi për bashkëveprim-bashkërenditje dhe koordinim të zjarrit.
Grupi për pastrimin e terrenit.
Grupi për lokalizimin dhe bartjen e të plagosurve dhe të lënduarve.

Fillimisht me urdhrin e komandantit Tahir Zemajt është bërë përzgjedhja e luftëtarëve për intervenim  nga batalioni i parë i brigadës 134-të, në fazën e parë përgatitore.
Në përleshjen me soldateskën serbe komanduan ushtarakët e karrierës: Unë Nazif Ramabaja komandant i njësitit dhe varësit e mi Esat Ademaj e Faruk Xhemajli dhe 40 ushtarë mirë të stërvitur në Papaj të Tropojës dhe që kishin marrë pjesë në luftimet në Kosovë, pra kishin përvojë lufte.

Me aktivizimin e urdhrit për intervenim nga ana e komandantit Tahir Zemaj, njësitet operative të UÇK-së të ndihmuara nga forcat e fshatit Loxhë, pra banorët vendës dhe të fshatrave përreth (Strellci i ulët, Kodradiqi, Raushiqi, Kosuriqi, Rashiqi, Krusheci, Duboviku, Gllogjani, Zllapeku, Prapaqani, Qyshku, Jabllanica, Buqani, Vranoci etj.) zmbrapsën forcat ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbe, të cilat e mbanin nën kontroll fshatin ku ishte stacionuar autoblinda, në afërsi dhe paralel me shkollën dhe më pastaj në brendësi deri te xhamia e fshatit.

Operacioni “Kurthi”

Ne pastaj filluam aksionin sipas planit luftarak “Kurthi”. Qëllimi ynë ishte që nëpërmjet këtij operacioni të futen në grackë njësitet e armikut dhe me veprime anësore nga njësitet tona ti shkaktonim armikut humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë luftarake. me të cilën edhe ia arritëm qëllimit.

Pas një lufte njëzet orëshe fshati Loxhë u rikthye dhe filluam të ushtronim kontroll me njësitet operative të UÇK-së të drejtuara nga Ministria e Mbrojtjes e nën komandën e ushtarakut të parë të avancuar në gradën major Tahir Zemës, ushtarakëve të lartpërmendur dhe ushtarëve të këtyre njësive, forcave mbrojtëse të fshatit Loxhë e përreth dhe vullnetarëve të ardhur në ndihmë.

Banorët e fshatit Loxhë duhen të mburren me faktin se ky fshat është i pari në Kosovë i çliruar në të njëjtën ditë kur edhe u pushtua nga soldateska serbe.

Përgatitja për betejën e ashpër në Loxhë

Me marrjen e lajmit nga korrieri, i cili dërgohej në Prapaçan te komandanti Tahir Zemaj në mëngjesin e hershëm nga ana e komandantit të shtabit të Loxhës Shaban Shalës dhe kërkesës së tij për ndihmë, fillojnë përgatitjet e batalionit të parë të brigadës 134 të, gjegjësisht njësitit për intervenime të shpejta në kuadër të këtij batalioni. Me dhënien e urdhrit nga ana e komandantit Tahir Zemaj që të bëjë përzgjedhjen e ushtarëve dhe të udhëheq me njësitin për t’ju shkuar në ndihmë fshatit Loxhë, fillon aktiviteti im si komandant i njësitit.

Me përzgjedhjen e kuadrit ushtarak, ushtarëve, dhe me dhënien e detyrave dhe urdhrave për intervenim fillon aksioni i njësitit intervenues prej rajonit të grumbullimit në Prapaqan në tri faza deri te vija e shpërndarjes për luftë, e cila ishte në Zllopek. Në vijën e shpërndarjes ndahet njësiti në tri grupe dhe formohet patrulla vrojtuese me detyra konkrete dhe urdhrin për vrojtim duke e informuar me të dhënat për armikun, detyrat e patrullës dhe shenjat e njohjes dhe të komunikimit.

Faza e parë-mbrojtja, rimarrja dhe ushtrimi i kontrollit nga forcat tona në Loxhë dhe kryerja e detyrës së afërt.

Faza e dytë-pastrimi i terrenit trasheve, bunkerëve, strehimoreve dhe kryerja e detyrës së afërt.

Faza e tretë-asgjësimi final dhe ndjekja e armikut në thellësi me kryerjen e detyrës së largët dhe, Mbështetja në forcat e krahut të majtë në anën e Morinëve ishte më e sigurt, për shkak të përgatitjes së mirë të mbrojtjes së këtij rejoni nga ana e komandantit të shtabit.

Në mënyrë të shkëlqyeshme ishte organizuar në prapavijë tërheqja dhe bartja e të vrarëve dhe të plagosurve deri në spitalin e Irzniqit si dhe logjistika nga ana e menzës së fshatit për ushtarët, të cilët kishin marrë pjesë në betejë. Për këtë ishte kujdesur vajza e fshatit, luftëtarja Shemsije Shala (Shema), e cila gjatë gjithë kohës me armë në dorë kishte luftuar dhe në mbrëmje kishte përgatitur ushqimin për ushtar.

Gjatë intervenimit të njësitit dhe ndarjes në grupe nga vija shpërndarëse në Zllapek, pamë fshatarë duke u larguar, ndër ta kishte edhe me armë në dorë. I pyeta se pse largohen të armatosur, disa u përgjigjen se po i zënë disa pika këtu në pyll, ndërsa të tjerët thoshin se “Loxha ra në duart e armikut”, “shkiet kanë hy deri te xhamia dhe kanë hy autoblinda në Loxhë”.

Tërë kohën duke vrapuar dhe duke u ruajtur nga granatimet, të cilat vinin të njëpasnjëshme prej minahedhësve 120 mm nga drejtimi i Gorazhdecit në njërën anë, ndërsa sulmet vinin nga Zagerma dhe kombinati i këpucëve në Pejë, ku serbet kishin një bazë të tyre.

Ne ju bëmë të ditur fshatarëve se ne ishim duke shkuar në Loxhë për ta mbrojtur Loxhën dhe se ata duhej të na bashkëngjiteshin. Ju thamë “ejani pas nesh”.

Me këta fshatar dhe luftëtar është marrë Esat Ademaj, i cili i njihte shumë fshatar, më se 90 për qind prej tyre, sepse i takonte atij regjioni, ishte nga Raushiqi. Esati mundohej me ju shpjeguar se s´duhej të tërhiqeshin, por të ktheheshin prapa pas nesh në mënyrë që ta shpëtojmë Loxhën, mos të binte në duar të armikut.

Fillimisht luftën më të madhe e ka ba Esati duke i bindur forcat e fshatit, të cilat ishin duke u tërhequr, duke i siguruar se ne jemi ata të cilët do ti dalim në ndihmë sot Loxhës dhe s’do të lejojmë kurrsesi të ndodhte ajo që thoshin ata, humbja dhe shpartallimi. Disa janë kthyer dhe bashkëngjitur njësitit tonë, e disa të trishtuar vazhduan me tërheqje.

Fillimi i shkëmbimit të zjarrit

Pas mbërritjes së njësitit në vijën e hapjes së zjarrit disa metra afër xhamisë njësiti është nda në tri grupe. / Vijon

Nesër do të lexoni për detajet e përgatitjes së luftimeve dhe zhvillimin e tyre, ndarjen e tri grupimeve njësive, kush i komandonte ato dhe si? Si u mbuluan krahët? Si e braktisi luftën shtabi i Loxhës edhe pse i ishte kërkuar ndihma? Si u përballuan granatimet serbe që bëheshin nga të katër anët?

Lexoni poashtu: Ekskluzive: Si u fitua beteja e Loxhës, si u asgjësuan trupat serbe!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat