“Mallkue qoftë gjaku im, nëse shkoj të vërtetën pa e tregue”

Fejtone

“Mallkue qoftë gjaku im, nëse shkoj të vërtetën pa e tregue”

Nga: Nazif Ramabaja Më: 12 korrik 2018 Në ora: 22:44
Nga e djathta kol.Tahir Zemaj, Nazif Ramabaja, Esat Ademaj, Asim Lokaj, nalt Zymer Sefaj, me disa fshatar të Lugut të Baranit në Baran.

Hapja e zjarrit nga të gjitha mjetet ushtarake në moment të caktuar dhe kohëzgjatje, bëri të kuptojë se forcat serbe kishin hasur në njësi të rregullta operative.

Me humbjen e ministrit të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit humbën njësitet Operative të FARK-ut, humbi UÇK-ja, e cila ende nuk u bë ushtri për shkak të mungesës së zinxhirit komandues, të vijës vertikale dhe të profesionalizmit ushtarak, humbi Kosova dhe ende po i bartim pasojat e këtij atentati, një gjeneratë e tërë.

Strategjia e operacioneve luftarake në betejën e Loxhës.

Udhëheqja e betejës dhe zhvillimi i operacioneve luftarake është bërë nga oficerë të karrierës, kuadri profesional ushtarak

Përbërja e njësitit për intervenime të shpejta me ushtarë të përgatitur mirë dhe që kishin përvojë lufte.

Zhvillimi i betejës në faza dhe kohë deri te dorëzimi i Loxhës në duar të forcave të fshatit dhe marrja e detyrave dhe përgjegjësive nga shtabi përkatës.

Aplikimi dhe përdorimi i njërës prej doktrinave më të vjetra ushtarake që ka mbetur e shkruar deri në ditët e sotme, e njohur me emrin “Doktrina e SUN XU”-së të para 2300 vjetëve, e që ka të bëjë me bashkërenditjen, bashkëveprimin dhe koordinimin e hapjes së sistemit të zjarrit.

Hapja e zjarrit nga të gjitha mjetet ushtarake në moment të caktuar dhe kohëzgjatje, bëri të kuptojë se forcat serbe kishin hasur në njësi të rregullta operative. Jeni dëshmitarë të vërtetë ju banorët e Pejës dhe të Brezhnikut, që i keni parë forcat ushtarako-policore dhe paramilitaro -mercenare  serbe, duke ikur në panik nga frika se në Loxhë u kishte hasur sharra në gozhdë siç thotë një fjalë popullore. Radiolidhjet kishin dhënë një shifër të ekzagjeruar të numrit të forcave tona, 3.000-5.000 pjesëtarë të armatosur, gjë që nuk i përgjigjej realitetit. Ky ekzagjerim bazohej në fuqinë sulmuese dhe taktikën e përdorur gjatë luftimeve, të cilat ishin të panjohura deri atëherë për forcat serbe në Kosovë, që shkaktoi frikë dhe panik në anën e kundërshtarit.

Morali tepër i lartë, dëshira dhe siguria e luftëtarëve për të ngadhënjyer, që manifestohej nëpërmjet këndimit të këngës “Besa-besë, besën e kem dhënë për Kosovë jetën kem me dhënë” gjatë fazës së parë intervenuese, transportimi i njësitit me kamion TAM-500 nga Prapaqani për në Loxhë dhe zbarkimi në Zllopek për të vazhduar fazën e parë të intervenimit. Edhe pse nën breshërinë e granatimeve morali ishte i paparë, si kurrënjëherë më parë.

Konfiskimi i një sasie të madhe armësh të mjeteve shpërthyese, eksplozivit, minave, mjeteve ndërlidhëse, motorollave, të cilat shërbyen gjatë gjithë luftës, nëpërmjet të cilave u bë e mundur hyrja në sistemin komandues dhe deshifrimi i sistemit të mbrojtjes kriptike.

Humbje të mëdha të potencialit njerëzor dhe teknikë luftarake, që pësoi armiku, me një proporcion 1:4 deri në 1:10 të vrarë, të lënduar dhe të plagosur në favor të forcave tona.

Me betejën e Loxhës përveç humbjeve në njerëz dhe teknikë që pësoi armiku, goditje e fortë ju dha në rrafshin psikologjik, gjë që i bëri që me një panikë të paparë forcat e armikut filluan të tërhiqeshin nga objekti i fabrikës së “Kombinatit të këpucëve” ku e kishin bazën ushtarake dhe nga kazerma e Pejës.

Vendimet e shtabit në krye me kolonel Zemajn

Pas një analize taktiko-teknike të kësaj beteje komanda e njësiteve operative të UÇK-së nën udhëheqjen e komandantit Tahir Zemaj morëm vendim që të përqendrohemi në përforcimin e forcave mbrojtëse të fshatit Loxhë dhe marrjen e masave gjenerike, minimin e drejtimeve kryesore që shpinin në fshat dhe caktimin e vend vrojtimeve, pararojës dhe krijimit të momentit të rëndësishëm pozitiv moralo-psikologjik dhe dorëzimit të Loxhës në duar të forcave mbrojtëse të fshatit pas rimarrjes së tij dhe dëbimit të armikut.

Edhe pse kishim informata për tërheqjen e armikut, të cilat konfirmoheshin nga rrjeti ynë i njësitit zbulim dhe kundërzbulim me mjete përgjuese të marrura si trofe lufte nga inspektorë dhe komandant të njësive ushtarako-policore dhe paramilitaro mercenare serbe, të cilët i kishim vrarë në betejën gjatë marrjes së Loxhës, ne nuk e vazhduam sulmin në drejtim të qytetit të Pejës për shkak të granatimeve të pandërprera nga bazat serbe: Hulajt, Podi i gështenjave, Zagërma, Gorazhdeci dhe për shkak të pozitës së pavolitshme të forcave tona dhe mos përfshirjes së qyteteve në luftë, për shkak të koncentrimit të madh të popullatës civile dhe droja e një masakre me përmasa të mëdha, na detyroi të marrim një vendim të tillë.

Beteja e Logjës në popullatën e Rrafshit të Dukagjinit dhe më gjer krijoi një besim të madh në forcat tona ushtarake, njësitet operative të UÇK-së dhe vetëbesim në njësitet territoriale ku me një bashkëveprim, subordinim dhe koordinim të veprimeve luftarake ti jap fund fazës së: “Mbrojtjes së pragut të shtëpisë” dhe kalimit në fazën e dytë, “Në një luftë të organizuar çlirimtare”, e cila do të kishte për qëllim rimarrjen e çdo pëllëmbe të territorit përkohësisht të okupuar nga forcat-ushtarako policore dhe paramilitare-mercenare serbe, nëpërmes formimit të zonave plotësisht të lira dhe ushtrimit të autoritetit të organeve civilo-ushtarake në këto zona.

Rezistenca

Sa jehon të madhe kishte lënë pas veti beteja e Loxhës dhe frikën që ua kishte armiku njësiteve operative të UÇK-së, flet vet fakti se armikut ju deshtë gati një muaj e gjysmë për ti bërë përgatitjet për ta sulmuar Loxhën me të gjitha mjetet që kishin në dispozicion, duke shfrytëzuar edhe aviacionin luftarak bombardues, avionët Orao, Galeb, helikopterët, gazela si dhe armët kimike.

Me rëndësi është se beteja është fituar dhe është e përbashkët e të gjithë atyre, të cilët morën pjesë në të, por dikush është dashur të urdhëroj, të organizojë, të koordinoj dhe ta udhëheq këtë betejë, e ky ishte komandanti Tahir Zemaj me njësitet operative të UÇK-së, për këtë duhet të hidhen poshtë fjalët qortuese dhe hidhëruese, intrigat dhe paragjykimet kur në emër të fituesve thuhen fjalë dhe bëhen punë të liga.

Parafrazimi i një thënie të rëndësishme: “Gënjeshtra është zgjuarsi, kurse e vërteta është guxim. Nëse nuk të mjafton zgjuarsia për të gënjyer, atëherë përdor guximin për të thënë të vërtetën!”. “Veni, vidi, vici (Erdhëm, pamë, fituam)”.

Më lejoni që ti them edhe këto fjalë: “Njeriu në këtë jetë duhet të përgatitet për të shkuar në botën e amshueshme, prandaj fuqimisht them se qielli mos ma pranoftë shpirtin, toka mos ma pranoftë trupin, mallkue qoftë gjaku im nëse shkoj të vërtetën dhe vetëm të vërtetën pa e tregue.”

Nazif Ramabaja

Pas betejës kam marr frymëzim dhe e kam thurur një poezi.

Poezi kushtuar Betejës së Loxhës

LOXHA KRENARE

Gjashtë korrik nëntëdhjetë e tetë

Është bërë luftë e vërtetë

Është bërë luftë për çudi

Janë përleshur dy ushtri.

Njërës i thonë Gjakatare

Tjetra u bë Çlirimtare

E tërë Botën e çuditi

Moral t´lartë popullit i ngriti.

N´sulm vërsulen paramilitarët

Njësitet operative vepruan të parat

Nën komandën e Ministrisë

Soldateskës serbe e keqja ju nisë.

 

Rritëm besimin Loxhën e çliruam

Edhe rrethina me forca ndihmuan

N´fushë të nderit dëshmorët mbetën

Zmbrapsën armikun, flijuan jetën

 

Lumni, Rrustem e Enver ju nderojmë

Për jetën e jetës s’do t´ju harrojmë

Me gjak mbollët farën e lirisë

Fituat betejën thyet mitin e Serbisë.

N. R.

Pas betejës së Loxhës dhe lokacionit të brigadës 131 me 12 korrik në Baran ishte vendosur që Loxha të hyjë në zonën përgjegjëse të kësaj brigade.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat