Dhjetëfishohen kërkesat për studime në Universitetin e Ferizajt

Ferizaj

Dhjetëfishohen kërkesat për studime në Universitetin e Ferizajt

Më: 12 nëntor 2016 Në ora: 12:04
Rektori i universitetit te Ferizajit, Agron Bajraktari

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, i cili para më shumë se një viti e mori edhe titullin e universitetit nga dega që ishte në kuadër të Universitetit të Prishtinës, tashmë e ka dhjetëfishuar numrin e studentëve.

Në këtë drejtim i cili derisa ishte degë në kuadër të UP-së numëronte rreth 40 studentë, tashmë si Universitet i Shkencave të Aplikuara i ka të regjistruar rreth 2 mijë studentë të rregullt.

Rektori i këtij universiteti i cili është themeluar më 6 korrik të vitit të kaluar, Agron Bajraktari, në një intervistë për KosovaPress-in, ka thënë se me gjithë angazhimin që e ka bërë menaxhmenti, ende nevojitet shumë punë e madhe që Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) të jetë lider në fushat e tij të studimit.  

“Sigurisht se puna që pritet nga ne është shumë e madhe, ne jemi ende në një rrugë të mbarë që institucioni ynë të jetë lider në fushat të cilat ne i kemi për studim. Ne i kemi 4 fusha të studimit: Arkitektura e enterierit dhe dizajni i mobileve, Menaxhment Industrial, Menaxhim në Hoteleri dhe Turizëm dhe Inxhinieria Industriale me Informatikë, janë drejtime shumë unike në Kosovë dhe shumë të pëlqyera, kjo ka bërë që në qoftë se kthehemi në histori prapa, nga një numër shumë i vogël i studentëve që para shtatë –tetë viteve ne mezi i bënim 30-40 studentë për të vazhduar grupet, për të funksionuar, ne tani çdo vit i regjistrojmë nga 550 studentë të rinj ndërsa kërkesa për tu regjistruar e kalon gjithmonë dyfishin, do me thënë gjithmonë kemi mbi 1 mijë, 1 mijë e 200 studentë, aplikantë të interesuar për tu regjistruar pran institucionit tonë për të cilin na bënë të ndjehemi shumë mirë dhe shumë krena r. Sot USHAF numëron rreth 2 mijë studentë”, ka thënë ai.

Mirëpo, ajo çka e bënë të veçantë këtë universitet janë drejtimet unike të cilat nuk i ka asnjë universitet tjetër në Kosovë.

“Drejtimet janë thuajse unike, dy nga këto drejtime nuk i ka kurrkush në Kosovë, këto janë :dizajni i mobileve dhe inxhinieri industriale me informatikë dhe studentë kemi nga të gjitha anët, sigurisht se është një fillim dhe marketingu të cilin e kemi bërë nuk është i mjaftueshëm për të sjellë numër të madh të studentëve por dua të ju them se kemi studentë nga Mali i Zi, studentë nga Shqipëria, studentë nga Maqedonia, studentë nga Lugina e Preshevës  dhe studentë shumica janë nga Kosova por sigurisht se shumica për shkak të kushteve sociale vijnë nga regjioni i Ferizajt”, ka theksuar rektori.

Rektori Bajraktari ka thënë se vetëm gjatë vitit të parë të funksionimit të këtij institucioni, USHAF-ja, ka arritur rreth 40 marrëveshje bashkëpunimi me organizata vendore publike e private.

Në kuadër të bashkëpunimeve, Bajraktari ka thënë se shumë studentë pas përfundimit të praktikave nëpër institucione të ndryshme kanë arritur edhe të punësohen.

“Dua ta potencoj një rast, në fund të vitit akademik 2015/2016, përkatësisht në muajin maj ne kishim rreth dy javë praktikë, dh gjatë këtyre praktikave, studentët tanë e bënë një punë të jashtëzakonshme, studentët tanë u punësuan, disa nga studentët tanë u punësuan pranë këtyre ndërmarrjeve, ne para më pak se dy javësh, ishte një vikend i organizuar nga USAID-i për zgjedhjen e dizajnerëve të rinj më të mirë dhe studenti ynë e zuri vendin e parë me punën e tij dizajnuese që e kishte bënë në gjithë Kosovën”, ka deklaruar ai.

Bajraktari ka thënë se si rezultat i bashkëpunimeve të shumta, tashëm dy studentëve veç se ndodhen në Poloni për studime për një semestër.

Ndërsa, sa i përket hapësirës objektive dhe kushteve infrastrukturore, Agron Bajraktari ka thënë se nga 600 metra katrorë sa i ka pas në dispozicion Fakulteti i Shkencave të Aplikuara, tashmë ka një hapësirë prej rreth 7 mijë metra të dedikuar për studime.

“Tani i kemi dy vite që jemi në objektin e ri, është një objekt jashtëzakonisht i mirë, i plotëson të gjitha kushtet infrastrukturore për një numër të studentëve deri në 3 mijë studentë, hapësira është mbi 7 mijë metra katrorë dhe niveli i mbajtjes së mësimit teorik i plotëson të gjitha standardet evropiane. Studentët tanë kanë mundësi të zhvillojnë mësimin ashtu siç e zhvillojnë kolegët e tyre në Evropë, kemi salla jashtëzakonisht të mira, me ngrohje qendrore, të pajisura me kompjuter, me projektorë, me gjithçka është në rregull, sigurisht ne i kemi edhe dy hapësira shumë të mëdha 1 mijë e 500 metra katrorë me të gjitha pjesët përcjellëse të tyre ku thash se njëra nga to do të filloj të mbushet me pajisje laboratorike sepse kjo është e varur drejtpërdrejtë nga buxheti”, është shprehur rektori Bajraktari.

Ai ka thënë se ky institucion tani për tani ka problem me buxhet pasi që ende ka një shumë të vogël të buxhetit i cili i ndahet nëpërmjet MASHT-it pasi që si universitet ende nuk ka vijë të veçantë buxhetore nga buxheti i shtetit.

Mirëpo, Bajraktari shpreson se në vitin e ardhshëm universitetit që ai e drejton t’i ndahet një buxhet më i madh në mënyrë që të arrijë t’i plotësojë edhe nevojat me staf akademik dhe staf tjetër përcjellës për universitetin që e drejton.

“Vlen të theksohet se ne jemi të akredituar institucionalisht nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës pro edhe gjithë programet që janë pranë institucionit tonë janë të akredituara, kjo është e mirë ne kemi pas më herët dhe vazhdojmë të kemi 25 punëtorë të rregullt, prej të cilëve 7 janë staf administrativ ndërsa 18 janë staf i rregullt. Nga këta 18 9 janë doktor shkence ndërsa pjesë tjetër janë asistentë të cilët janë në fazën e disa janë duke e ndjekur, shumica nga ta programet e doktoratës pothuajse të gjithë janë  jashtë, në Shqipëri, Austri, Turqi por ka edhe ata që vazhdojnë pranë UP-së. Sigurisht se ky staf nuk është i mjaftueshëm,. Ne qëndrojmë mirë me staf për ndjekjen e këtyre programeve që i kemi por synimi ynë është rritja, mendojmë që duhet të rritemi edhe me 2-3 programe pro kjo është e lidhur direkt me ligjin për Buxhetin e Kosovës ku përcakton numrin e të punësuarve dhe ne kemi 25 veta dhe stafi prej 18 vetave nuk është i mjaftueshëm që ne të mbajmë mësimin me këto katër programe çka do të thotë që çdo vit ne organizojmë konkurse për pranimin e punëtorëve me honorar që bëhet për periudhë të shkurtër kohore, përkatësisht për 8 muaj”, ka thënë ai.

Po të kishte buxhet më të madh, Bajraktari ka në plan menjëherë pas plotësimit të nevojave me staf akademik, të filloj edhe me zgjerimin e universitetit, duke shtuar drejtime të reja në kuadër të studimeve në nivelin bachelor.

Për programet e reja dhe menaxhimin në këtë universitet, Bajraktari ka thënë se ekziston edhe bordi industrial i cili bënë propozime varësisht prej hulumtimeve dhe nevojave të tregut të punës.

“Sigurisht se për disa mund të ketë tani nga takimet që i kemi me bordin industrial shihen disa programe të cilat mund të jenë në të ardhmen por ne të shohim se bash kur ne jemi gati të shohim çka po ndodh, shembull në Ferizaj janë dy shkolla të Mjekësisë, është një shkollë që quhet shkolla e Ekselencës dhe mjekësia, mbase do të ishte me interes që të hapim një program trevjeçar bachlor diçka për mjekësi duke e pas parasysh që ka shumë kushte në shkollë të mesme të lartë që po e quajmë tani dhe por kemi për mbrojtje të ambientit, e kemi teknologjinë e drurit ashtu siç ka qenë më herët, e kemi ajo që quhet arkitektura e peisazhit, dhe të ngjashme por që gjithmonë mendojmë të jenë unike”, është shprehur ai.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës më 6 korrik 2015.

Ky universitet më parë ka qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës në Ferizaj, derisa tashmë ka edhe akreditim institucional dhe programor nga Agjencia Kosovare e Akreditimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat