Hoxha: Rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit fuqizon gjykatat

Ferizaj

Hoxha: Rishikimi i sektorit të sundimit të ligjit fuqizon gjykatat

Nga: B.S Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 19:12
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ka vizituar Gjykatën Themelore në Ferizaj

Në kuadër të bashkëpunimit dhe avancimit të proceseve brenda përgjegjësive, ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ka vizituar Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u prit nga Kryetari i kësaj Gjykate, Bashkim Hyseni dhe me këtë rast janë diskutuar prioritetet e ndërsjella.

Ministrja Hoxha në takim diskutoi rreth rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, duke konstatuar se pas këtij vlerësimi pritet të hartohet strategjia gjithëpërfshirëse e sundimit të ligjit.

“Disa projektligje që gjenden në proces të miratimit, si Projektligji i Gjykatave, për përgjegjësinë disiplinore për gjyqtarë e prokurorë, procesi i rishikimit të Kodit Penal dhe Procedurës Penale, do të kontribuojnë në fuqizimin e sundimit te ligjit, në pajtim me praktikat më të mira nga BE-ja”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha foli edhe për iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për rregullimin e çështjes së suspendimit të zyrtarëve publik ndaj të cilëve zhvillohet procedura penale, duke theksuar rëndësinë që ka të adresohet ky problem për agjendën evropiane të vendit tonë.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni diskutoi për të arriturat e kësaj Gjykate, për sfidat dhe çështjet prioritare duke e konsideruar vizitën dhe diskutimin si tejet të rëndësishme, ngase qëllimi i përbashkët i të gjitha institucioneve të drejtësisë është fuqizimi i sundimit të ligjit. ?Ministrja theksoi se mirëpret çdo iniciativë që shpie drejt avancimit të sistemit të drejtësisë./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat