Të rinj shqiptarë dhe serbë pastrojnë qytetin e Shtërpcës

Ferizaj

Të rinj shqiptarë dhe serbë pastrojnë qytetin e Shtërpcës

Më: 24 mars 2017 Në ora: 15:03
Pastrimi në Shtërpcë

Problemi i ndotjes së mjedisit në Kosovë bashkoi sot në Shtërpcë të rinj shqiptarë dhe serbë, në kuadër të fushatës më të madhe në vend për mbrojtje të mjedisit “Ta Pastrojmë Kosovën”, që synim kryesor ka vetëdijësimin e qytetarëve dhe institucioneve për përgjegjësitë që kanë karshi mjedisit.

Aksioni i sotëm në Shtërpcë filloi në ora 10:00, ndërsa mbi 50 vullnetarëve të Lëvizjes Mjedisore “Let’s Do It Kosova”, iu bashkuan edhe shumë të rinj shqiptarë dhe serbë, të cilët së bashku arritën ta realizojnë një aksion multietnik të pastrimit në tërë qytetin.

Një sasi e madhe e mbeturinave u largua nga ky aksion, ndërsa u përçua si mesazh që të gjithë së bashku duhet ta luftojmë ndotjen e mjedisit, në mënyrë që të frymojmë në një mjedis të pastër e të shëndetshëm për të gjithë.

Po ashtu, të rinjtë e kësaj Komune, që morrën pjesë në aksionin e sotëm, u zotuan për mbrojtjen e mjedisit dhe mos-hudhjen e mbeturinave vend e pavend në hapësirat e qytetit të tyre.  

Ne shpresojmë se aktivitete të tilla mobilizuese do të ndikojnë që qytetarët të vetëorganizohen nëpër lagjet ku jetojnë për t’i pastruar mbeturinat, sepse duke pastruar lagjen tonë, ne kontribuojmë në pastrimin e Kosovës.

“Let’s Do It Kosova” do të vazhdojë me organizimin e aksioneve të tilla multietnike në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, meqë ndotja e mjedisit është shndërruar në problem global, të cilin duhet ta luftojmë të gjithë së bashku, pa dallime.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat