‘Vagonët’ e problemeve të Ferizajt - Bota Sot
‘Vagonët’ e problemeve të Ferizajt

Ferizaj

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

‘Vagonët’ e problemeve të Ferizajt

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 09:43
Deponi ilegale në Ferizaj

Cilat janë problemet e Ferizajt me të cilat duhet të merret kryetari i komunës pas 22 tetorit?

Hulumtimi i ekipit të Kallxo në kuadër të ‘Debat Pernime’për komunën e Ferizajtka nxjerrë në sipërfaqe shumë probleme në këtë komunë.

Nga gjithsej 45 fshatrat e Ferizajt, 31 prej tyre kanë probleme me ujërat e zeza- kanalizim.

Të gjeturat në teren tregojnë se njëri nga shtatë qytetet më të mëdha në Kosovë për nga numri i banorëve, ka vend për t`i parkuar vetëm 130 makina në hapësira publike.

Një nga problemet tjera sipas hulumtimit del të jetë traseja e hekurudhës, ku vetëm gjatë këtij viti kanë vdekur dy persona.

Hulumtimi në terren dëshmoi se në Ferizaj kriza me ndërtimet dhe planin urbanistik është problem i madh. Ferizaj, ka mbi 10 mijë objekte pa leje.

Sipas të gjeturave në terren, qysh në vitin 2014, kur edhe ishte marrë vendimi për inicimin e procesit të ndryshimit dhe plotësimit të planeve rregulluese me fokusim të veçantë të shqyrtimit të koeficientit të ndërtimit për zonën I dhe VIII, ka qenë gjithçka joligjore duke u përcjellë më pas me shkelje të njëpasnjëshme ligjore, përmbajtjesore dhe procedurale, e deri te shkeljet më të rënda ato të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Si pasojë e veprimeve të jashtëligjshme, dhe mosgatishmërisë së kryetarit të komunës që të intervenojë në kohë dhe të mbajë përgjegjës dhe llogaridhënës të gjithë ata që i kontribuuan këtij procesi të jashtëligjshëm, komuna e Ferizajt rrezikon që të humbë qindra mijëra euro të buxhetit të saj, për shkak të deponimit të padive në gjykata kompetente për realizmin e dëmshpërblimit nga ana e investitorëve, të cilëve u janë pezulluar lejet e ndërtimit për shkak të kontestueshmërisë së procesit të revidimit.

Hulumtimi tregon se komuna e Ferizajt nuk ka marrë për bazë as katër shkresat të përcjella me rekomandime të komisionit të përbashkët të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe Vendimit të Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që të rikthejnë në rishqyrtim Vendimin për inicimin e procesit të revidimit të planit rregullues për zonën I dhe VIII, si dhe planet rregulluese të hartohen, revidohen dhe harmonizohen sipas procedurave, terminologjisë dhe përmbajtjes së paraparë me Ligjin për Planifikim Hapësinor.

Pasiguria në Rrugë

Ne afërsi të hekurudhës që përshkon qendrën e qytetit të Ferizajit gjatë vitit 2017 kanë ndodhur tri aksidente, dy prej tyre me fatalitet.

Hulumtimi i ekipit të Kallxo tregoi se përgjegjësia për mungesën e sinjalistikës në zonën ku kanë ndodhur aksidentet më fatalitet në vazhdimësi është bartur nga komuna tek “INFRAKOS” dhe anasjelltas.

Komuna e hedh përgjegjësinë te ndërmarrja publike për menaxhimin e hekurudhave “INFRAKOS”, ndërsa këta të fundit përgjegjës e bëjnë komunën për mos vendosjen e shenjave dhe pengesave të tilla.

Një nga premtimet e kryetarit aktual Muharrem Svarqa dhënë në fushatën zgjedhore të nëntorit 2013, ishte pikërisht marrja e masave për parandalimin e aksidenteve në afërsi të hekurudhës, por përgjatë këtyre katër viteve ky problem nuk është evituar.

Hulumtimi në teren ka dëshmuar se mungesa e parkingjeve për vetura në qytetin e Ferizajt paraqet një nga problemet e shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët.

Sipas te gjeturave, komuna e Ferizajt hyn në mesin e komunave që ka mungesë të theksuar të parkingjeve për vetura. Ferizaj ka vetëm dy lokacione të parkingjeve me kapacitet prej 130 veturave. Brenda qytetit vërehen disa oborre të cilat qytetaret i kanë hapur për t’i shndërruar në parkingje private. Prezenca e madhe e veturave të parkuara vend e pa vend i japin qytetit një pamje jo të mire dhe po ashtu në disa vendbanime shfrytëzohen trotuaret për parking.

Image
Ferizaj

Mungesa e Ujit & Ujërat e Zeza

Problem tejet i madh në komunën e Ferizajt përfshirë qytetin dhe dhjetëra fshatra del të jetë uji i pijshëm. Te gjeturat në terren tregojnë se në shumë fshatra nuk ka fare rrjet të ujësjellësit, ndërsa në shumë prej tyre nuk ka furnizim përkundër investimeve. Po ashtu hulumtimi ka dëshmuar se në qytet furnizimi me ujë të pijshëm është një nga problemet më të mëdha për shkak te reduktimeve, veçmas në kohën e verës.

Mbi 20% e Ferizajit është pa ujë të pijshëm, zonat që nuk kanë ujësjellës janë: Greme, Rakaj, Prelez i Jerlive, Prelez i Muhaxherëve, Papaz, Sazli, Bibaj, Sojevë, Zllatar, Dardani, Burnik, Jezerc. Në disa prej këtyre fshatrave investimet për ujë kanë filluar që nga 2011 dhe ende s`kanë përfunduar.

Komuna e Ferizajit nuk ka kolektorë të ujërave të zeza, shumica e ujërave derdhen nëpër lumenj. Në fshatin Mirosalë, ujërat e zeza derdhen në afërsi të disa shtëpive dhe nëpër prona private- toka bujqësore. S`ka impiante për trajtimin e ujërave të zeza dhe asnjë prej kolektorëve ekzistues nuk e bënë pastrimin e ujërave sipas standardeve.

Arsimi & Shëndetësia

Të dhënat nga terreni tregojnë se në disa fshatra të Ferizajt, si  në Nerodime dhe në fshatin Koshare ka mungesë të shtëpive të shëndetit. Banorët e këtyre fshatrave për një shërbim sa do elementar shëndetësor duhet të udhëtojnë në qytet. Koshare – Ferizaj i ka 7 kilometra, ndërsa Nerodime- Ferizaj i ka 4-6 kilometra.

Pothuajse të gjitha shkollat punojnë në 2 ndërrime, përveç dy që punojnë në një ndërrim.

Hulumtimi ka nxjerrë na pah edhe punësimet mbi baza partiake. Rast konkret Arta Tahiri-Beqa në fillim të mandatit qeverisës ka qenë asamblite e LVV, ka kaluar në LDK, këtë vit është emëruar drejtoreshe në shkollën e mesme të ulët “Ramadan Rexhepi”- fshati Sojevë.

Ekonomia

Ferizaj i ka 20 mijë banorë më shumë se Gjilani, por të hyra i kanë të njëjta. Të hyrat vetanake të Ferizajit të realizuara gjatë vitit 2016 kanë qenë vetëm 3 milionë euro, ndërsa granti i qeverisë i ndarë për këtë komunë ka qenë 21,3 milionë euro.  Të dhënat tregojnë se komuna e Ferizajit arrinë t’i sigurojë vetëm 11% të buxhetit, ndërsa 89% i merr si grante nga Qeveria e Kosovës. Ekonomia e këtij qyteti njihet për industrinë e zhvilluar të drurit. Hulumtimi tregon se në Komunën e Ferizajit janë përdorë taksat si karrem për zgjedhje. Sa ka qenë kryetar Aliu i PDK-së i ka heq taksat. Kur ka ardhur Svarqa në krye të Ferizajit i ka rikthyer taksat. Në fund të mandatit, Svarqa ka kërkuar nga Kuvendi Komunal që t’i përgjysmojë taksat, mirëpo Kuvendi me përkrahjen e PDK-së i ka hequr ato tërësisht.

Image
Ujësjellësi në fshatin Greme,Ferizaj

Mbeturinat

Në Ferizaj kanë qenë rreth 40 deponi ilegale të mbeturinave, ndërsa hulumtimi ka treguar se aktualisht rreth 10 të tilla përfshirë edhe brenda zonës urbane dhe nuk kanë asnjë deponi legale. Hulumtimi tregon se Komuna ende nuk e ka të përcaktuar vendin se ku do të ndërtohet deponia e mbeturinave. Si rrjedhojë  në fshatra dhe zona brenda qytetit kemi grumbuj të mbeturinave të cilat hulumtuesit tanë i kanë evidentuar gjatë hulumtimit. Kjo është te vendi i quajtur “Rrethi i Shqiponjës”.

Ekstremizmi

Hulumtimi tregon se komuna Ferizajt është në mesin e komunave ku organizatat terroriste kanë arritur të indoktrinojnë shumë të rinj. Shtatë persona nga Ferizaj janë në burg me akuzat se rekrutuan pjesëtarë të organizatave terroriste ose ishin pjesë e luftës në Siri.

Hulumtimi ka treguar se komuna e Ferizajt përkundër se ka një varg kompetencash në deradikalizim dhe integrimin e personave të cilët kanë qenë të përfshirë në këto luftëra të huaja, nuk ka bërë asgjë.

Të dhënat tregojnë se komuna nuk ka siguruar që qendra për punë sociale, drejtoria e arsimit, shëndetësisë, psikologët  e kësaj komune, drejtoria e rinisë e sportit- merren me këta njerëz dhe problemet e tyre pas kthimit nga Siria./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test