Qeverisja e LDK-së në Ferizaj, Shtime e Kaçanik do të ketë fokus zhvillimin e punësimin - Bota Sot
Qeverisja e LDK-së në Ferizaj, Shtime e Kaçanik do të ketë fokus zhvillimin e punësimin

Ferizaj

E premte, 15 dhjetor 2017

Qeverisja e LDK-së në Ferizaj, Shtime e Kaçanik do të ketë fokus zhvillimin e punësimin

Më: 15 tetor 2017 Në ora: 18:32
Fushata e LDK-së në Ferizaj

Gjatë një tubimi në Ferizaj, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka prezantuar të dielën Modelin e Qeverisjes Lokale e cila në fundament të saj ka krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“LDK është parti e qendrës së djathtë, dhe si e tillë ajo mbanë sektorin privat – iniciativën private – në qendër të besimit të saj ideologjik e politik. Kjo është dëshmuar në vazhdimësi gjatë qeverisjes së LDK-së, qoftë në politikën e taksave, të pakove fiskale, të lehtësirave burokratike, të infrastrukturës e të trajtimit të bizneseve”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se LDK-ja në këto zgjedhje lokale ka program të qartë për zhvillim ekonomik lokal për secilën komunë, varësisht prej specifikave të komunës.

“Qeverisja lokale që ofron LDK-ja është e orientuar drejt: zvogëlimit të papunësisë dhe rritjes së standardit të jetesës përmes aktivizimit të potencialeve për rritje ekonomike dhe punësim; krijimit të kapaciteteve të reja ekonomike; krijimit të mundësive për investime të reja; dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve nëpërmjet përmirësimit dhe avancimit të vetëqeverisjes lokale në fushën e ekonomisë”, ka thënë Mustafa.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se në shumë komuna, sektorët më të zhvilluar janë ai i tregtisë dhe ndërtimtarisë, të cilët punësojnë numrin më të madh të punëtorëve. Por, në shumë komuna këta dy sektorë kanë arritur nivelin më të lartë të zhvillimit të tyre. Prandaj, orientimi kah prodhimi dhe shërbimet, si dhe shfrytëzimi i potencialeve ekonomike në secilën komunë, është prioritet i yni.

Abdixhiku ka thënë se LDK ka përcaktuar 10 shtyllat kryesore të Platformës për Zhvillim Ekonomik Lokal.

“Shtylla e parë e Platformës për zhvillim lokale e LDK-së do të jetë zhvillimi dhe funksionalizimi i zonave ekonomike; shtylla e dytë parasheh rishikimin e taksave komunale dhe mbledhjen e tyre; shtylla e tretë ka të bëjë me rritjen e financimit të komunave, shtylla e katërt rregullimin urban në funksion të zhvillimit të biznesit; shtylla e pestë mbrojtja e mjedisit, shtylla e gjashtë transportin dhe infrastrukturës, shtylla e shtatë subvencionimin e bizneseve dhe prodhimeve vendore; shtylla e tetë shërbimet publike efikase; shtylla e nëntë bujqësinë dhe zhvillimin rural gjithëpërfshirës dhe shtylla e dhjetë zhvillimin e arsimit parauniversitar për zhvillim ekonomik”, ka thënë deputeti Abdixhiku.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se sektori privat në nivel vendi ka shënuar rritje të numrit të bizneseve. Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përpos rritjes së numrit të bizneseve aktive, ka filluar të ndryshoj edhe struktura. Tani kemi një rritje të numrit të bizneseve në sektorin e prodhimit dhe kjo falë politikave ekonomike dhe fiskale që ka implementuar nga Qeveria Mustafa gjatë viteve 2014-2017.

“Platforma për zhvillim ekonomik lokal garanton që, në katër vitet e ardhshme, në komunat e qeverisura nga LDK: të zhvillohen politika përkrahëse lokale për biznese; përmirësim të infrastrukturës urbane dhe rurale; përmirësim të shërbimeve publike; mundësi më të mëdha dhe të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët; kushte më të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme; kreditimin e jashtëm për projekte komunale; mbështetjen e bizneseve që krijojnë vende të reja të punës; dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor lokal dhe ekologjik etj”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se rritja e transparencës dhe eliminimi i burokracisë në komuna do të jetë hapi i parë i qeverisjes dhe do të ngritët një sistem llogaridhënës sa i përket shpenzimit të taksave të qytetarëve dhe bizneseve.

“Në bashkëpunim me bizneset, ne do të hartojmë politikat që ju përshtaten bizneseve dhe do të ndryshojmë rregullat e kriteret që janë pengesë në afarizëm. Vendi ynë është i njohur për pasuritë e begatshme natyrore, miniera e minerale, toka pjellore, pyje, potenciale turistike etj. Një pasuri e madhe e vendit tonë është popullsia e re, e shkolluar dhe me shpirt ndërmarrës, të cilës LDK i kushton vëmendje të veçantë në programin qeverisës”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarca, tha se  gjatë mandatit tim kam bashkëpunuar ngushtë me bizneset për shtimin e kapaciteteve, zgjerimin e atyre ekzistuese dhe hapjen e atyre të reja, të cilat i kanë dhëne shpirt zhvillimit ekonomik të komunës së Ferizajt.

“Ne si komunë kemi dhënë maksimumin për përkrahjen e bizneseve, si dhënien e pronave për shfrytëzim, ku kemi dhënë diku mbi 20 hokatarë tokë për periudha afatshkurta dhe afatgjata. Në këto prona sot kanë gjetur punë mbi 1000 punëtorë të rinj”, tha Sfarqa.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test