Tensione në gjykimin për vrasjen në Ferizaj - Bota Sot
Tensione në gjykimin për vrasjen në Ferizaj

Ferizaj

E hënë, 11 dhjetor 2017

Tensione në gjykimin për vrasjen në Ferizaj

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 22:05
Pamje nga gjykimi i Meriton Aliut, i akuzuar për vrasje

I akuzuar për vrasjen e Samir Rexhës në gusht të vitit 2016, Meriton Aliu ka dhënë mbrojtjen e tij në Gjykatën e Ferizajt.

Ai tha se në ditën kritike, derisa ishte duke ndenjur me një shok të tij, Valdrin Rexhepin dhe një shok të këtij të fundit, ka ardhur nga mbrapa tashmë i ndjeri Samir Rexha me djalin e axhës së tij.

Sipas të pandehurit, Samiri e kishte kapur për krahu dhe i kishte thënë se ka diçka për të biseduar dhe bashkë ishin nisur në drejtim të ambulancës që gjendet aty afër.

“Samiri ma ka shti krahun edhe më ka thënë: i kam nja dy fjalë me ty. Kemi shku bashkë deri te parku që gjendet në rrugën “Rexhep Bislimi” e rrugës ai m’i ka thënë fjalët si: A po menon ti që nuk të za e nuk muj me të zatet a? A pe sheh që të erdh dita?”, tha i pandehuri, duke theksuar se më pas ishin kthyer dhe se ishin ndalur te hyrja e një banese kolektive.

Meriton Aliu tha se për të hyrë aty e kishte shtyrë i ndjeri Samir Rexha. Sipas rrëfimit të tij, tashmë i ndjeri e kishte kërcënuar me armë, duke ia drejtuar fillimisht  nga këmbët dhe më pas edhe në drejtim të kokës.

Ai tregoi se e kishte parë Samirin duke i shtrënguar nofullat dhe shumë nervoz dhe se e kishte lutur disa herë që ta heqë armën e të mos gjuaj dhe se në një moment ai e kishte futur armën në brez, “por e ka nxjerrë përsëri duke kërcënuar se do të më gjuaj”.

I akuzuari tha se pastaj ka ndodhur një konfrontim dhe edhe ky e kishte nxjerrë armën dhe se në drejtim të viktimës kishte shtënë 2 herë dhe atë në pjesën e hundës. Ai tha se nuk ka pasur zgjidhje tjetër.

Në këtë moment kanë ndërhyrë familjarët e të ndjerit, duke e akuzuar të pandehurin se nuk po e thoshte të vërtetën.

“Ti ke gju 3-4 herë në drejtim të Samirit, mos rrej!”, iu drejtua të pandehurit Driton Momqilla, i cili menjëherë u përjashtua nga salla.

Ky veprim i gjykatësit nxiti reagimin e Shqiprim Rexhës, vëllait të të ndjerit.

“Pse po e përjashton nga salla? Ky ka të drejtë me nejt këtu. Edhe unë ty të njoh shumë mirë. Ti je i njoftur edhe nëpër media që je gjyqtar i korruptuar. Nana e të pandehurit punon diçka në prokurori e ju po hani bashkë me ni pjatë”, tha Shqiprim Rexha duke iu drejtuar gjyqtarit Musa Konxheli, i cili si kryetar i trupit gjykues e përjashtoi edhe atë nga salla.

Përkundër tensionimit të situatës, Meriton Aliu e vazhdoi deklaratën duke treguar se me Samir Rexhën ishin njohur nga shkolla fillore dhe përmendi një problem që kishte pasur me të ndjerin një javë para ngjarjes te dyert e shkollës fillore “Gjon Serreqi“ në Ferizaj.

“Aty jena taku me të. Ai më tha pse nuk po ma çel telefonin,? A po të dokna unë fëmijë a çka po të dokna? Tani aty më ka mëshu mu edhe Fatlum Limanit që ishte me mua. E ka nxerr edhe alltinë e unë kur jam largu nga dyert e shkollës ai më tha: nalu se të vrajta. Unë i thash gjuj edhe kam ecë“, deklaroi i pandehuri.

Meriton Aliu në fund i kërkoi falje familjes së të ndjerit në emër te tij dhe familjes së tij, duke shtuar se nuk ka pasur dëshirë të ndodhë një gjë e tillë.

Por, kërkimfalja nuk u pranua nga motra e të ndjerit, Samire Rexha.

Seanca e radhës do të mbahet më 25 tetor, kur do të jepet fjala përfundimtare para shpalljes së aktgjykimit.

Në qershor të këtij viti, pas leximit të aktakuzës, Meriton Aliu ishte deklaruar i pafajshëm./Kallxo.com/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test