Dënohen me burgim me kusht e me gjobë të akuzuarit që i shiten mjete të rrezikshme të miturit - Bota Sot
Dënohen me burgim me kusht e me gjobë të akuzuarit që i shiten mjete të rrezikshme të miturit

Ferizaj

E premte, 15 dhjetor 2017

Dënohen me burgim me kusht e me gjobë të akuzuarit që i shiten mjete të rrezikshme të miturit

Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 19:00
Pamje nga seanca

Isak e Besmir Luzha, të hënën, janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Ferizaj, për veprën penale “furnizimi, transporti, prodhimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Për këtë vepër penale, i pandehuri Isak Luzha është dënuar me një vit burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet në qoftë se ai nuk kryen vepër tjetër penale  brenda një viti.

Isak Luzha, gjithashtu është dënuar edhe me gjobë, në shumë prej 200 euro, të cilën është urdhëruar ta paguaj në afat prej 15 ditësh, pasi që të pranoi aktgjykimin në formë të shkruar.

Dënim i njëjtë është shqiptuar edhe ndaj të pandehurit të dytë Besmir Luzha, mirëpo ndaj tij nuk do të ekzekutohen asnjëri nga dënimet, në qoftë se brenda një viti ai nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj tyre, është shpallur nga gjyqtari i kësaj çështje, njëherësh kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, pasi që të njëjtit, në shqyrtimin fillestar, pranuan fajësinë për veprën penale që u ngarkonte akti akuzues.

Ndryshe, tani të dënuarit Luzha, pas pranimit të fajësisë, deklaruan se janë penduar për veprën që e kanë kryer, duke shtuar se nuk kanë qenë në dijeni për pasojat dhe dëmet që sillte mjeti – spreji, që i kishin shitur një të mituri në janar të këtij viti.

Po ashtu, ata thanë se kjo është hera e parë që bien ndesh me ligjin, me ç’rast gjatë elaborimit në pika të shkurta të arsyetimit të aktgjykimit, të gjitha këto u konstatua se janë marrë si rrethana lehtësuese me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ndaj tyre.

Isak dhe Besmir Luzha, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzoheshin se në fillim të muajit janar të vitit 2017, në tregun e fshatit Dardani, Komuna e Ferizajt, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm në lidhje me armët dhe mjetet plasëse, i kishin shitur të miturit A.M, një sprej në vlerë prej 10 euro.

Ndaj këtij të fundit, po ashtu është iniciuar procedura penale në departamentin për të mitur, pasi që këtë sprej ai e kishte përdorur në një shkollë, dhe atë duke u  shkaktuar lëndime të lehta disa nxënësve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test