Katër fshatra të Ferizajt mbesin pa rrymë për rreth 30 orë

Ferizaj

Katër fshatra të Ferizajt mbesin pa rrymë për rreth 30 orë

Më: 25 korrik 2018 Në ora: 20:09
Foto ilustrim

Banorët e katër fshatrave të Ferizajt, Zllatar, Dardani, Mirosalë dhe Sojevë, kanë mbetur pa energji elektrike nga paraditja e së martës. Për këtë mungesë të energjisë elektrike, sipas banorëve të këtyre fshatrave nuk janë njoftuar nga KEDS-i.

Megjithatë, pas interesimit të banorëve, është marrë vesh se bëhet fjalë për një defekt në rrjetin 10 KV që furnizon këtë zonë të fshatrave me energji elektrike.

Xhevat Sallahu, përfaqsues i fshatit Zllatar dhe anëtar i Kuvendit Komunal të Ferizajt, ka thënë për KosovaPress, se mungesa e energjisë elektrike në dy ditët e fundit ka shkaktuar telashe të mëdha tek banorët e këtyre fshatrave.

Kjo për faktin, se sipas tij, në këtë pjesë nuk ka ujësjellës dhe të gjithë banorët thuajse furnizohen me ujë të pijes nga puset në të cilët i kanë të vendosur pompat për nxjerrjen e ujit, e që janë me energji elektrike.

Sallahu: Mungesa e energjisë po bëhet e shpeshtë tek këto fshatra

“Fshatrat Zllatarë, Dardani, Mirosalë, Sojevë, qysh nga dje ora 11:00 kanë qenë pa energji elektrike. Ballafaqimi që kanë pasur banorët jo vetëm që nuk kanë pasur energji, por edhe mungesën e ujit, ngase këto fshatra nuk ka rrjet të ujësjellësit dhe furnizohen nga puset të cilët zakonisht uji tërhiqet me pompa që për to nevojitet energjia elektrike. Është një indinjatë shumë e madhe te qytetarët, sepse shpesh po ndodhin këto ndërprerje, por nuk është bërë investime në 10 kilovoltëshin që vjen nga Ferizaj për këto fshatra të kësaj ane”, tha Sallahu.

Sallahu ka shtuar se me privatizimin e KEDS-it, iu kishin premtuar se do ketë investime në rrjetin elektrik për furnizim të rregullt me energjisë elektrike, derisa ata ende ballafaqohen me problemin e mungesë së energjisë elektrike, jo me orë, por me ditë.

Ai theksoi se ankesat e qytetarëve të kësaj zone janë të kamotshme për problemin që kanë me rrjetin e tensionit të lartë që furnizon këto fshatra, por po ashtu edhe për tensionin e ulët.

Ankesa për mungesën e energjisë elektrike e ka shfaqur edhe Qerim Lipovica, banorë i fshatit Dardani e Ferizajt, duke thënë se është

Lipovica: Në shekullin 21 me munguar energjia elektrike është e pashpjegueshme

“Mungesa e rrymës tash këto dy ditë e fundit, le që na ka shkaktuar probleme në amvisëri, probleme të familjeve, por na ka shkaktuar edhe probleme nervore, psiqike. Do të thotë merreni me mend sot në shekullin 21, ka mungesë të rrymës po thuajse dy ditë. Ky është një rast që edhe kur e ka privatizuar ky zotëria, ky turku këtë ndërmarrje ka premtuar se do të investojë. Në fakt edhe trafot edhe shumicën e inventarit që shfrytëzon KEDS-i me kontributin tonë i kemi bërë dhe tash ky zotëria nuk është në gjendje ta sanojë një gjendje për me shumë se dy ditë”, theksoi Lipovica.

Ai shtoi se pavarësisht kësaj, KEDS-i nuk i ka informuar as për problemin, por as për mungesën e energjisë elektrike.

Lipovica: Nuk kemi pasur asnjë njoftim

“Absolutisht jo, ky është edhe më skandal. Le që nuk njofton, por edhe sanimi i defektit është për një periudhë nuk e qajnë kryet për asgjë. Është për keqardhje. Kjo nuk është me fajin tonë, por me fajin e pushtetarëve tanë të cilët bëjnë shitblerjen ose bëjnë biznes me këta njerëz të pandërgjegjshëm që gjithmonë po pëson kurrizi i popullit”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat