Ferizajt i konfirmohet projekti i ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza

Ferizaj

Ferizajt i konfirmohet projekti i ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 09:43
Ferizaj

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu në njërën nga shkresat drejtuar Ministrisë së Financave, ka paraqitur kërkesën për financimin e projektit “Ndërtimi i Impiantit të Ujërave të Zeza” përmes huamarrjes me qeverinë hungareze.

Në përgjigjen për kryetarin e Ferizajt, ministri Bedri Hamza, lidhur me këtë projekt ka konfirmuar që projekti “Ndërtimi i Impiantit të Ujërave të Zeza në Këshillin Kombëtar të Investimeve të mbajtur me datë 13.07.2018 është aprovuar për financim përmes programit “Soft Loan” – huamarrje e butë me autoritetet hungareze.

Lloji i financimit në kuadër të marrëveshjes kornizë është huamarrje shtetërore sipas Ligjit për Borxhin Publik.

Sipas shkresës së arritur nga Ministria e Financave, komuna e Ferizajt duhet të bëj konfirmimin e studimit të fizibilitetit të vlefshëm për këtë projekt si dhe të veprojë sipas legjislacionit në fuqi për procedimin e projektit.

Pas përfundimit të procedurës së paraparë me legjislacionin në fuqi dhe konditat e marrëveshjes, Ferizaj do të përfitojë këtë projekt që paraqet një rëndësi të veçantë për mjedisin si rregullator i fuqishëm, jo vetëm i ndikimit në mjedis,  por edhe ekonomizimit të shpenzimeve institucionale përkitazi me trajtimin e ujërave të zeza./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat