Dokufesti i 15-të shenjëstron korrupsionin

Filma

Dokufesti i 15-të shenjëstron korrupsionin

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 25 korrik 2016 Në ora: 09:33

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, drejtoresha e Festivalit Dokufest Nita Deda, ka thënë se tema e festivalit është korrupsioni dhe kjo temë do të hulumtohet përmes programeve speciale të filmit, paneleve dhe diskutimeve si dhe kampanjës zyrtare të festivalit.

“Bota sot: Si janë duke ecur përgatitjet për edicionin e radhës së Festivalit Dokufest?

Nita Deda: Jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për edicionin e 15-te dhe është bërë një punë e palodhshme prej ekipes së festivalit dhe jemi gati të hapim edicion tonë më të madh deri tani, me 05 gusht në Prizren.

“Bota sot: Cilat do të jenë risitë në festivalin e sivjetmë?

Nita Deda: Këtë vit ne shënojmë edicionin tonë jubilar të 15-të, i cili mbahet nga data 05-13 gusht në Prizren. Festivali do të prezantoj 238 filma në programet garuese dhe një numër të programeve speciale ndërsa filmat do të shfaqen në kinematë tanimë të njohura të Dokufest-it, si ajo përmbi lum dhe në Kalanë e qytetit, që janë përzgjedhur ndër kinematë e hapura më të bukura në botë. Përveç shfaqjes së filmave dhe programit të paneleve, festivali do të përmbajë edhe ekspozitën e fotografisë DokuPhoto, që këtë vit përfshinë punën e fotografit të shquar Seamus Muprhy. Do të ekspozohen fotografitë nga projekti The Holloë of The Hand, të cilin Murphy e ka realizuar në bashkëpunim me këngëtaren Pj Harvey dhe që përmban një koleksion të poezive dhe fotografive nga udhëtimet e tyre në Kosovë, Afganistan dhe Uashington. Koncertet e muzikës DokuNights do të sjellin yje botërore si Omar Souleyman nga Siria, këngëtarja libaneze Yasmine Hamdan, grupi Super 700 dhe shumë muzikantë tjerë. Për hir të 15 vjetorit, ne kemi kuruar edhe një program të muzikës në Kalanë e qytetit (sunset stage), ku do të ketë muzikë çdo perëndim të diellit. Në datë 12 në skenën e kalasë kemi ftuar grupin polifonik nga Saranda, Jonianët. Konferenca e teknologjisë Doku:Tech mbahet në objektin e Lidhjes së Prizrenit dhe prapë do të jetë vendtakim i personave me ndikim të madh në fushën e tyre për të nxjerrë në pah inovacionet e teknologjisë. Festivali i fëmijëve DokuKids këtë vit përfshinë një numër të madh të madh të punëtorive të ndryshme për të vegjlit për film animacion, vallëzim dhe pikturë.

Image
Nita Deda, Drejtoreshë e Festivalit Dokufest

“Bota sot: Ju jeni tash e sa vite një nga organizatoret e festivalit tani edhe drejtoreshë, cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur përgjatë këtyre viteve dhe si i keni tejkaluar ato?

Nita Deda: Për mua, ky është fillimi i një kapitulli të ri në udhëtimin tim 6 vjeçar me Dokufest. Ndonëse roli që kam ndërmarrë përsipër ka shumë përgjegjësi dhe kërkon punë të palodhshme, unë kam fatin dhe kënaqësinë të punoj me një grup njerëzish të përkushtuar dhe të vendosur që kolektivisht ta mbështesim momentumin e rritjes së festivalit. Shpirti i Dokufestit janë njerëzit të cilët e mundësojnë atë, dhe unë jam tepër e lumtur që jam një nga këta njerëz.

“Bota sot: A keni marrë përkrahje nga Ministria e Kulturës dhe si është bashkëpunimi juaj me këtë ministri?

Nita Deda: Po, e kemi një rritje krahasuar me vitin e kaluar por ne prapë mendojmë se kjo nuk është e mjaftueshme për nga madhësia e festivalit, nga përfitimet që i sjell festivali vendit tonë ne kulture por edhe ne rritje ekonomike.

“Bota sot: Sa persona janë angazhuar sivjet për organizmin e festivalit Dokufest?

Nita Deda: Afërsisht 200 persona, përfshirë vullnetaret.

“Bota sot: A ka sivjet më shumë apo më pak të interesuar për të marr pjesë në Dokufest?

Nita Deda: Kemi pas një numër rekord të mbi 5000 aplikimeve të filmave për të qenë pjesë e festivalit, që na tregon se interesimi është rritur shumë. Po ashtu po presim mbi 60,000 vizitorë në Prizren gjatë festivalit.

“Bota sot: Sa filma do të prezantohen gjithsejtë?

Nita Deda: 238 filma ne kategoritë garuese dhe speciale.

“Bota sot: Cilat janë kryesisht, temat që do të trajtohen në dokumentare?

Nita Deda: Tema e festivalit është korrupsioni dhe kjo temë do të hulumtohet përmes programeve speciale të filmit, paneleve dhe diskutimeve si dhe kampanjës zyrtare të festivalit. Tema tjera, si ballafaqimi me te kaluarën, tema për filmin dokumentar dhe prezantime të punëve të artistëve që janë mysafirë tanë do te vazhdojnë të jenë një pjesë e rëndësishme e diskutimeve në DokuFest. Kategoritë garuese të festivalit janë gara e dokumentarëve nga Ballkani, për të drejtat e njeriut, dokumentarët e ambientit, ndërkombëtar, kombëtar dhe filmat e shkurtër. Programet speciale të festivalit do të sjellin filma me tema të ndryshme si programi Vieë From The Ëorld që do të sjellë disa nga filmat më të rëndësishëm të këtij viti në Prizren, përfshirë fituesit e Sundance, Berlinale dhe SXSË; programi i dokumentarëve për muzikë, programi homazh për regjisorin e madh të kinemasë iraniane Abbas Kiarostami si dhe homazhi që do t’i bëjmë regjisores Chantal Akerman me shfaqjen e filmit të saj të fundit No Home Movie si dhe shfaqjen e versionit të restauruar të kryeveprës Jeanne Dielman. Filmat e shkurtë të nominuar për Oscar, filma për internet, për sulme masive me armë në SHBA, për një shkëmb të vetëvrasjeve në Japoni si dhe gjendjen e refugjatëve të cilët përpiqen të arrijnë Evropën janë të gjitha pjesë e programit të edicionit jubilar të këtij viti.

“Bota sot: A ka arritur ky festival që ta prezantoj në mënyrë të denjë kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës, meqë mbahet në Prizren?

Nita Deda: Duke i përfshirë lokacionet e rëndësishme historike në axhendën e festivalit, Dokufest ka bërë që të promovohet Prizreni dhe Kosova përmes kulturës. Po ashtu festivali ka një vëmendje të madhe mediale ku çdo vit tërheq mbi 200 gazetarë të akredituar, ndërsa gjatë edicioneve të kaluara për festivalin është raportuar nga disa prej medieve më prestigjioze. Përveç rendësish së përmirësimit të imazhit dhe ndikimit në jetën kulturore të vendit, Dokufest po ashtu po e zhvillon turizmin në qytetin e Prizrenit me më se 60.000 turistë për ato ditë sa mbahet festivali. Kjo padyshim që ka bërë që festivali DokuFest të ketë një ndikim në rritjen e ekonomisë së vogël të Kosovës.

“Bota sot: Ju prisni të udhëtoni edhe në Shqipëri për të promovuar festivalin, a mund të na thoni si është pritur Dokufest atje?

Nita Deda: Me ftesë te Qendrës Rinore Arka kemi shfaqe një program të filmave nga edicionet e kaluara të Dokufest në Shkodër. Pritja ka qenë madhështore ndërsa filmat janë shfaqur në rrugicën ku është bërë shfaqja e parë filmike në Shqipëri në fillim të viteve 1900. Ne do të udhëtojmë edhe javën e ardhshme në Tirane, për konferencën e shtypit ku prezantojmë programin e gjithë festivalit si dhe për shfaqjen e një programi të vogël nga Dokufesti i këtij viti.

“Bota sot: Çka synoni të arrini nëpërmjet edicionit të sivjetmë të Dokufest?

Nita Deda: Me programin e festivalit sivjet synojmë ta kthejmë Prizrenin si një vendtakim kulturor dhe pikë të rëndësishme botërore të shkëmbimit të ideve, mësimit dhe eksperiencave.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat