Filmi i Gianfranco Rosit për emigrantët, çel Festivalin në Marubi

Filma

Filmi i Gianfranco Rosit për emigrantët, çel Festivalin në Marubi

Më: 25 shtator 2016 Në ora: 12:49
Gianfranco Rosi

Filmi Fuocoammare që fitoi “Ariun e Artë” në Berlinale 2016, i regjisorit të shquar Gianfranco Rosi do të çelë këtë të hënë në orën 19:00 edicionin e 12 të festivalit të filmit të për të drejtat e njeriut.
 
Filmat nga e gjithë bota do të shfaqen në ketë festival nga data 26 shtator deri më 1 Tetor. Filmi i Gianfranco Rosit është mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës.

Duke ndjekur metodën e tij të zhytjes totale, Rosi u zhvendos për më shumë se një vit në ishullin Lampedusa duke përjetuar atë që do të thotë të jetosh në kufirin më simbolik të Evropës, duke treguar fatet e ndryshme të atyre që në ishull jetojnë përgjithmonë, njerëzit e Lampedusa-s si dhe të atyre që vinë për të shkuar diku tjetër, emigrantëve.
 
Nga kjo zhytje lindi Fuocoammare. Ai tregon jetën e Samuel-it 12 vjeçar, që shkon në shkollë, i pëlqen të gjuajë me llastiqe dhe të shkojë për gjueti. I pëlqejnë lojërat e tokës, edhe pse çdo gjë rreth tij flet për detin dhe burrat, gratë dhe fëmijët që përpiqen të mbërrijnë në ishull.
 
Por ky nuk është një ishull si të tjerët, është Lampedusa, porti në këto 20 vitet e fundit i mijëra emigrantëve në kërkim të lirisë. Samuel dhe njerëzit e Lampedusa-s janë dëshmitarë, shpesh të pavetëdijshëm, herë të heshtur, herë jo, të një prej tragjedive më të mëdha njerëzore të kohërave të fundit. Filmi tashmë ka marrë shumë çmime. Ka fituar Ariun e Artë në edicionin e fundit të Festivalit të Filmit të Berlinit dhe Çmimin Donatello 2016 si filmi më i mirë, regjia më e mirë, montimi më i mirë dhe prodhimi më i mirë.

Gianfranco Rosi është regjisor dhe dokumentarist italian. U formua në kinematografi në New York University Film School, debutoi si regjisor dhe prodhues i filmave në vitin 1993 me Boatman, një film me metrazh të mesëm i paraqitur me sukses në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Më tej drejtoi Afterwords, i prezantuar në Festivalin e 57° Ndërkombëtar të Artit kinematografit të Venecias.
 
Në vitin 2008, sjell filmin e tij të parë me metrazh të gjatë Below sea level dhe fiton çmimin Orizzonti e Doc/It në Festivalin Ndërkombëtar të Artit kinematografit të Venecias. Në vitin 2010 xhiron fimin me metrazh të gjatë El sicario - Room 164, një film-intervistë me një vrasës meksikan.
 
Filmi, objekt i kritikave të ndryshme fitoi çmimin Fripesci Award në Festivalin e Filmit të Venecias 2010 dhe çmimin Doc / It si dokumentari më i mirë italian i vitit.
 
Dokumentari i tij Sacro GRA fitoi Luanin e Artë për filmin më të mirë në festivalin e 70-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Dokumentari tjetër i tij Fuocoammare, i vendosur në Lampedusa, ishulli-simbol i emigrantëve, merr pjesë si filmi i vetëm italian në garë në LVI Berlinale 2016 dhe fiton çmimin Ariu i Artë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat