Luftëtari vetmitar

Filma

Luftëtari vetmitar

Nga: Sylejman Salihu Më: 14 janar 2017 Në ora: 17:21
Bekim Fehmiu, Shkëlqim dhe tmerr II

Nuk është një rrëfim luftëtari që me armë në dorë luftoi në fushëbeteja, por është një rrëfim i një artisti që luftoi me punë për famë, liri, dinjitet. Bekim Fehmiu pas vdekjes tragjike shfaqet me pjesën e dytë, më e arrira, tek rrëfen jetën e tij në ngjitje të lartësive drejt majave të Olimpit, për çka nuk pushoi kurrë. Nuk ishin privilegjet që e bën të tillë, se s’i pati kurrë, por ishte puna e tij titanike ,që e bëri për t’u ngjitur atje ku arriti, ku bëri emër për veten dhe kombin e tij.

Pjesa e dytë e librit “Shkëlqim dhe tmerr” të autorit, aktorit dhe artistit të madh Bekim Fehmiu, është vazhdim i rrëfimit për jetën dhe veprën e këtij njeriu të madh shqiptar, i cili afirmitetin dhe popullaritetin e tij botëror e arriti jo në Kosovë, por jashtë Kosovës. Krahasuar me vëllimin e parë, në të cilin B.Fehmiu paraqet fëmijërinë me adoleshencë deri ne pjekuri, pjesa e dytë shpërfaq aktorin e madh, që niset nga provinca në rrugën e vështirë por edhe të lavdishme të karrierës artistike, teatrore e filmike. Rruga e tij jetësore, krijuese dhe interpretuese nis nga Prishtina, që atëherë më shumë ngjante në një kasaba se në një qendër kulturore, për t’u transferuar në Beograd, ku do të studiojë artin e aktrimit. I ri dhe entuziast ai niset me shumë ëndrra në kokë, për t’u provuar në jetë. Që në fillim sheh se rruga nuk është pa gjemba dhe pa gropa, ndaj me durim fillon të mësojë nga shkolla dhe nga jeta. Fantazia e tij i jep krahë. Ecën mendueshëm në Sheshin e Beogradit, në Kalimegdan, në Terazie, në Avallë, por gjithë kohën në plan të parë i del Teatri Jugosllav i Dramës, me të cilin sikur ishte dashuruar. Kosova në shenjë hakmarrje si për ironi për të atin nacionalist dhe atdhetar, nuk i jep bursë! Por kjo nuk e thyen atë. Përkundrazi, ai nuk ndalet. Diçka mund të bëj për veten, që të siguronte bukën e gojës dhe të shkollohej në shkollën e ëndrrave të tij. Ngarkon e shkarkon qymyr, për t’ia bërë të mundur vetes shkuarjen në shfaqjet teatrore të dramës. Por edhe fjalët e profesor Millosh Gjuriqit, të këtij njeriu të madh të kulturës, që i donte dhe respektonte shqiptarët bashkë me historinë dhe kulturën e tyre, do t’ i kujtojë prore, të cilat ishin një mësim i madh: “Mos të mbetesh si hamallët dhe sharraxhinjtë tu nëpër rrugët e Beogradit. Mëso dhe bëhu aktor”!(40). Atë edhe po bënte Bekimi. Ishte koha kur shqiptari, si një qytetar i rendit të dytë a të tretë në atë pushtet antishqiptar, sillej me një sharrë në krah për të sharruar dru tek zotërinjtë e Beogradit. Mbase dikush do të dalë nga ndonjë derë, qoftë një zonjë apo edhe zotëri dhe do ta ftojë: hej ti shqiptar, eja të më sharrosh drutë! Nuk do ta ketë të lehtë. Ai që nuk e do profesionin e sharraxhiut, por të artistit, niset në rrugën e artit por do të goditet nga të gjitha anët: ”Pse ju sh(q)iptarët, pas luftes nuk jeni kthyer në Shqipëri?”(49) Ishte e rëndë kjo për studentin e artit dramatik. E pse duhej të kthehej atje ai dhe populli i tij? Ata ishin me rrënjë aty. Apo nuk ishin ata në tokën e tyre? Mos ishin qeraxhinj? Këto i binin si një çekan mbi kokë ëndërrimtarit dhe kërkimtarit të madh, që po e sfidonte veten në rrugën e vështirë të artit dhe të karrierës. Ç’ do të bëjë studenti i ri entuziast në rrethana të tilla, ku trysnia sociale dhe politike godasin kokën dhe trupin e tij të brishtë? Asgjë, përveç punës dhe vetëm punës, që ta mundë urrejtjen dhe të ngjitet majave të suksesit me sakrifica, me lotë dhe me gjak. Tamam si edhe bashkëkombasi i tij dikur Aleksander Moissiu. Si do të mund t’ i kapërcejë dhe t’i mund fitimtar fjalët kërcënuese të shkrimtarit Brana Gjorgjeviqit: “juve është dashur, si në vitin 1945, që plisthat e bardhë t’ ju notojnë nëpër Ibër”(116) përveç se me punë për të arritur deri te lavdia e madhe “, që t’ia kenë lakmi dhe zili këtij shqiptari kryeneq. ”...Nga asgjëja i krijon personazhet. Merrni shembull prej tij”(116), do të përshpërisin të tjerë.

Rënia e Lekës

Më në fund Leka bie. Kishte ra satrapi dhe dhunuesi i madh i shqiptarëve, Aleksander Rankoviqi, njeriu më famëkeq për shqiptarët. Periudha para një plenumi që u mbajt në Brione në vitin 1966 ishte e skëterrshme për shqiptarët, andaj edhe për aktorin Bekim Fehmiu. Ishte gjendur midis zjarresh: e donte shkollën, e donte teatrin, e donte edhe famën, por politika antishqiptare e jugosllavisë dhe veçmas ajo serbe me në krye Aleksander Rankoviqin, ua kishin mbushur gotën e jetës shqiptarëve me helm, pra edhe Bekim Fehmiut. Pas rënies së Lekës, sikundër e quanin me pseudonim këtë satrap serb, populli shqiptar në Jugosllavi e bashkë me të edhe Bekim Fehmiu sikur çajnë rrugën e vet drejt suksesit dhe sukseseve zinxhirore , që nuk ndaleshin. Arti i tij njihte vetëm punë dhe punë pa fund. Ndryshe do të falimentonte. Fryma e re kishte shpërthyer me energji të reja të një populli të ndrydhur. Sa vjen dhe ngjit shkallët e lavdishme. Artisti mbaron shkollën, luan rolet e para dhe puna e talenti bashkë i sjellin suksesin. Shkallët drejt Olimpit janë të larta, por ai niset dhe ecën me guxim. Filmi ”Mbledhësit e puplave” , në të cilin ai luan rolin e Ciganit, do t’ ia sjellë atij famën dhe filmi do të shkojë edhe në Festivalin e Kanës, madje ai do të kandidohet për çmimin Oskar në Los Angjellos. Bekim Fehmiu shkelë në qilimin e kuq dhe aktorin shqiptar do ta njohin edhe aktorët botërorë. Do t’ i afrohen të mëdhenjtë e filmit, të teatrit, të dramës. Shiri Maklejn kryetarja e jurisë së këtij festivali të vitit 1967 do të vallëzojë me të. Një ëndërr e bukur për të. Por të gjitha këto lëvdata dhe nderime që i bëhen artistit të madh shkojnë në adresë të filmit jugosllav. Artisti vetë e vuan këtë, porse loja e filmit vazhdon. Rolet vijnë dhe shkojnë. Një galeri e tërë personazhesh filmikë bëhen një me artistin shqiptar dhe i shkojnë lojës së tij mirë, sado kishte një mundim dhe një brengë të brendshme, pse nuk e mbajnë për një artist shqiptar por jugosllav? Kjo e mundonte Bekim Fehmiun, se ai donte që emri i tij dhe puna e tij me rolet filmike të njihej si puna e një shqiptari të Kosovës, një vendi që ishte ndarë padrejtësisht nga trungu amë. Ëndrrat e tij vazhdonin dhe ai përpëlitej midis famës botërore dhe shtypjes e urrejtjes nacionale serbe e jugosllave. Sa e lavdëronin kur u sillte suksese, ktheheshin pastaj dhe e shanin. E ai rebellohej dhe tërbohej edhe më keq. Për më keq ndonjëherë ia kërkojnë ndryshimin e emrit. A do ta gëlltisë ai këtë kafshatë të rëndë? Jo. E thërret Luis Gilbert për filmin “Aventuristët”. I kërkon kompromis ndryshimin e emrit : ”Të gjithë udhëheqësit kanë ardhur përsëri në Romë. Janë të brengosur për shkak të emrit, sepse janë investuar aq miliona dollarë. Na ndihmo dhe ndryshoje emrin.”(207). Por Bekim Fehmiu është po ai : nuk lëkundet.

Ja fjala e tij:

“- Luis, ti e di që të jam thellësisht mirënjohës. Por, emri që ma ka vënë babai ka domethënie jo vetëm për familjen tonë, por edhe për historinë e popullit shqipta. Nuk mund t’ i tradhtoj prindërit e mi”(207). Artisti ndërpret xhirimet. Krijohet rrëmujë. Mbledhja zgjatë shumë. Si do t‘ ia bëjnë ? Më në fund vjen lajmi:” E fitove luftën. Mbetet emri yt.”(208) Ngadhnjen artisti evropian kundër kampit holivudian. Identiteti nuk shitet për para dhe as për famë!

Odiseu

Pas odisejadave të tija, sikur ato vetë e quan atë në rolin e ri të një projekti të huaj ndërkombëtar, atë të Uliksit dhe të kthimit të tij për në Itakë. Aktori i madh u kishte rënë sy të gjithë regjisorëve për plasticitetin, lëvizjet, dinamizmin, sigurinë aktoriale, origjinalitetin, zhdërvjelltësinë dhe secili e donte në projektin e vet filmik. Por roli i Uliksit sikur ishte porositur për të. Po me kë do të luante? Me një shqiptare tjetër, të bukur, me origjinë arvanitase: Irena Papas. Ishte vërtetë shqiptare ajo? Kishte një origjinë të tillë? Apo mbase ishte vetëm një fantazi shqiptare? Por Bekim Fehmiu na e thotë vetë.

“-Kjo është një këngë dashurie shqiptare.

-Jo, kjo është një këngë greke nga Janina- thotë Irena,-Atje jetojnë arvanitasit-Shqiptarët, apo jo? Duke vazhduar këngën, nga çanta nxjerr pasaportën dhe thotë:- Lexo. Irini Leleku (mbiemri i saj në shqip do të thotë lejlek).

-E flet shqipen?-pyes.

-Jo, por jam me prejardhje shqiptare.-tha Irena.

-Paj, ti do të mund të ishe mbretëresha fantastike ilire, Teuta.”(175), ia kthen artisti shqiptar.

Ajo vetë me gojën e saj e thotë rrënjën, gjurmën, ashtin. Por edhe nuk ishte e lehtë të luaje në këtë rol. Përse ? Kishte edhe kundërshtarë. Për një produksion italian ai ishte i padëshiruar: një i huaj të luajë rolin e Odiseut, ishte e papranueshme, aq sa edhe sindikata e aktorëve të Italisë kishin filluar të bënin greva, pikërisht në momentin kur po xhiroheshin skenat para mureve të Trojes. Por filmi u bë dhe Uliksi e Penelopa shijuan edhe brenga, edhe vuajtje, edhe nostalgji edhe dashuri. Ku je Penelopa ime dhe ku je Uliksi im, do ta thërrasin njëri- tjetrin kur takoheshin nëpër evenimente filmike botërore.

Midis artistësh

Jeta e tij prej artisti doemos që edhe do të jetë jetë midis artistësh, teksa luan në filma ndërkombëtarë duke çarë muret jugosllave. Kjo i bën të mundur atij të takojë nëpër botë figurat të larta artistësh, aktorësh, regjisorësh, këngëtarësh....Jo rastësisht, prandaj do t’ i ketë pranë: Lorens Olivien, Shirli Maklejn, Bata Zhivojinoviqin, Mauro Bollonjinin, Karlo Licanin, Dr.Dino de Laurentisin, Irena Papasin, Franko Rosin, Luis Gilbertin, Kendis Bergenin, Ana Mofon, Brizhit Bardon, (e cila e quante cigani im i lumtur ,sipas rolit të ciganit te “Mbledhësit e puplave” ) Olivera Katarinën, Gordana Jovanoviqin, Milena Drazhiqin, Luba Tadiqin, Klaudia Kardinalen, Omar Sharifin, Ava Gardnerin, Faruk Begollin, Abdurrahman Shalën etj.Ai në këto takime do të shfaq ndjenjë, kulturë, dashuri, duke mos përtuar asnjëherë të tregojë me krenari edhe origjinën e tij. Do të përjetojë momente gëzimi, por edhe hidhërimi, momente krenarie por edhe dëshpërimi, por me të cilat si një artist me kulturë dhe përvojë, do të shkëlqejë. Identitetin dhe shqiptarësinë e tij ai do ta bëjë të ditur, të kapshëm, qoftë edhe me veshjen, ku gjatë një ceremonie të lartë në Nju Jork në hotel “Plaza”,del me kostum kombëtar , duke habitur gjithë të pranishmit, por duke shprehur kështu me një gjest aktorial vërtetësinë dhe krenarinë e të qenit shqiptar.

“Zbres në holl i veshur në kostumin e stilizuar shqiptar. Më përcjellin shikimet plot kërshëri të mysafirëve.....I shikoj ato fytyra të habitura, gazmore. Triumfoj”.(221)

Udhëtimi në Shqipëri

Kush nga ne nuk kishte një dëshirë të çmendur për të shkuar në Shqipëri? Dashuria e madhe ndaj saj nuk ishte përjashtim as për Bekim Fehmiun. Madje për më tepër Bekim Fehmiu qysh si fëmijë edhe kishte jetuar në Shkodër, ku kishte pasur edhe dashurinë e parë, të quajtur me emrin Bukuroshe. Me të shkuar në Shqipëri për vizitë, ai sheh gjithandej Shqipërinë, bukuritë e saj natyrore, sheh monumentet kulturore, sheh artistë e aktorë shqiptarë, që e shoqëronin me shumë miqësi dhe dashuri, sheh shkrimtarë, madje edhe Ismail Kadarenë, i cili i dhuron romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në frengjisht. Viziton Tiranën, Beratin, Butrintin, Gjirokastrën, Krujën. Por për Shkodrën kishte më shumë nostalgji dhe emocion. Atje shkon ta takojë të dashurën e tij të fëmijërisë, por a e sheh? Ajo tashmë ishte martuar dhe Bekim Fehmiu sheh vetëm vajzën e saj, që i ngjante nënës Bukuroshe me bukurinë e saj. Po ç’ mëson tjetër në Shqipëri? Mëson dhe kupton për herë të parë se i ati i tij Ibrahim Fehmiu, ishte dënuar edhe me vdekje për veprimtari patriotike. Bekim Fehmiu pa shumë filma shqiptarë, njohu shumë artistë, u miqësua me ta. Por bukuria shqiptare sikur e kishte rrëmbyer veçanërisht : ”Në Shqipëri gjërat më të bukura qenë toka dhe peizazhi.”(338), kurse zhgënjimi kishte ndodhur teksa udhëtonte për në Butrint, teksa kupton se ende peizazhi dhe dembelia e fshatit të Çajupit ishin ende aktuale: “një burrë që qe ulur në hijen e ullinjve, e mbështillte cigaren dhe lëshonte shtëllunga tymi, ndërsa gratë e punonin tokën.”(338)

Puna në Prishtinë

Gjithmonë kishte dashur të punojë në Prishtinë me kolegët e vetë, të cilëve edhe do t’u ofronte regjisurë, aktrim, bashkëpunim. Por ai ishte mësuar me punë permanente dhe sinqeritet, ndaj në Prishtinë u ndesh me burokracinë e institucioneve dhe udhëheqësve të saj, të cilët i drejtonin ato institucione. Ai vinte nga një përvojë botërore ku kishte shkëlqyer me rolet e tij. Atë dritë donte ta shpërndante edhe këtu, por i hasi sharra në gozhdë. Aktorët kosovarë, të mësuar nga mos puna apo javashllëku, nuk e përballonin ritmin e punëve, që kërkonte Bekim Fehmiu. Prandaj shpejt do të bëhet akull ky bashkëpunim. Shumë ankesa e mosbesime u shfaqën nga këta aktorë, të cilët e bën edhe personazh anekdotash e barcoletash, por edhe akuzash: “Na mbyti Bekimi, duke punuar vetë me veten”. ”Mos na mëso ti ne! Edhe ne dimë diçka”, ”Pse na incizon në kasetofon? Nuk jemi në polici! Jo, bre, njeri! Ti po sillesh si udbashët e Rankoviqit!”,e të tjera të ngjashme, të cilat ishin dëshmi e mjaftueshme për t’ i lënë këto punë dhe për t’ u tërhequr krejtësisht nga të tilla aktivitete.

Muzgu

Kishin ndodhur demonstratat e viti 1981, ku populli shqiptar po kërkonte avansimin e statusit të vet politik. Ishte kthyer sërish koha e Lekës, në mos më keq. Sërbia tregoi dhëmbët përsëri. Ujku i moçëm nuk e kishte ndërruar zakonin. Bekim Fehmiu nuk mund të shkëputej nga brengat e popullit të tij. Del hapur kundër agresivitetit politik serb dhe politikës së saj. Por edhe miqtë e tij të dikurshëm ia kthyen shpinën. Bënin sikur s’ e njihnin, madje edhe u egërsuan. Shovinizmi i tyre ishte shpërfaqur i tëri. Kur Teatri i Dramës Jugosllave e kishte futur në repertoarin e tij veprën “Beteja e Kollubarës” të Dobrica Qosiqit, Bekimi kishte ndihmuar shumë në regjisurë për atë shfaqje dhe poeti nacionalist i kishte shprehur mirënjohje. Ai rrëfen : “Pas premierës ishim në darkë te Qosiqi. Më treguan se ju keni bërë regjinë e finales. Ajo ishte pjesa më prekëse dhe më e bukur e shfaqjes. Kam qarë si fëmijë. Nuk e kam ditur se jeni regjisor aq i imirë. Urime!”(478). Por, po ai Qosiqi , që e përgëzoi për suksesin, tash sillej ndryshe. ”Duke hyrë në sallonin e aktorëve, e takova Dobrica Qosiqin. Të vetëm. Sapo desha ta përshëndes, u kthye dhe iku drejt portës.”(505) Në Shoqatën e Shkrimtarëve ndizen gjakrat kundërshqiptare. Rruga e Francës 7 ishte bërë arenë sulmesh shqiptaro- serbe.Shkrimtarët i fryjnë zjarrit të luftës. Rrëfen Bekimi : ”Borisllav Mihajlloviq Mihiz e thirri popullin serb t’ i kapë armët, të shkojë dhe ta çlirojë Kosovën nga shqiptarët. Po ai njeri që më bindte se Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë.”(505) Aktori është i mërzitur. E ka humbur edhe sensin e humorit. Jeton me dhembjen e popullit të tij. Është pjesë e tij. Ai ndjen, ai është me këmbë në tokën e Kosovës, në kasollë bashkë me varfanjakun. Është i mërzitur. Nuk ka as kush ta ngushëllojë. Ndonjë zë në shkretëtitë dëgjohet, por është shumë pak karshi asaj drame të madhe që shkon drejt tragjedisë. Aktori Luba Tadiq e ngushëllon : ”Më vjen keq. Të kuptoj. E di, unë nuk pajtohem me këtë që po ndodh në Kosovë. E di, nëna ime, midis dy luftrash, atje kemi jetuar...

- E di, je i lindur në Nerodime, fshat në afërsi të qytetit.

- Po. Nëna ime ka qenë mësuese. Një ditë tregu, i kishte parë katër xhandarë, që i detyronin dy fshatarë shqiptarë të ecnin në këmbë e duar nëpër treg dhe të lehnin si qentë. Nëna ime kishte kërcyer si tigreshë. Kishte dashur t’ ua nxirrte sytë xhandarëve....

- Lubo, di edhe më shumë se kaq. Pse m’ i thua mua këto? Pse nuk ia thua zëshëm opinionit publik?” (584), ia kishte kthyer Bekim Fehmiu. Nuk e dimë a do të vazhdojë më shkëlqimi dhe tmerri i tij? Kushedi, ka edhe një pjesë të tretë?

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat