Filmat klasikë pa zë restaurohen me plot gjallëri dhe ngjyra

Filma

Filmat klasikë pa zë restaurohen me plot gjallëri dhe ngjyra

Më: 1 shkurt 2017 Në ora: 13:35
Ilustrim

80-vjet pasi Charlie Chaplin-i solli filmin "Kohë Moderne" (Modern Times), filmat e vjetër të tij kanë filluar të restaurohen në një laborator në veri të Italisë. Mbi 100 vjet pas lindjes së kinemasë, filmave të parë të prodhuar po u jepet gjallëri e re.

Restauratorët e Fondacionit Kinoteka e Bolonjës, po përmirësojnë me kujdes çdo sekuencë shiriti filmash në laboratorin 'L'immagine Ritrovata', pjesë e Universitetit të Bolonjës.

Davide Pozzi, drejtori i laboratorit, tregon origjinën e institucionit, shkruan CRI shqip. "Laboratori 'L'immagine Ritrovata' u themelua në vitin 1992 brenda Kinotekës së Bolonjës si një kërkesë e kohës për një laborator të tillë restaurimi në Itali dhe në Europë. Në atë kohë kishte shumë laboratorë për zhvillimin dhe prodhimin tregtar të filmave të fotografive, por jo të shiritave të filmave, të cilët kanë procedurë tërësisht të ndryshme pune. Kinoteka e Bolonjës vendosi e para të investojë dhe filloi klasa master në vitin 1990 deri 1992 dhe themeloi më pas 'L'immagine Ritrovata' në vitin 1992, një laborator i cili është kujdesur për ruajtjen dhe restaurimin shiritave të filmave që nga viti 1992."

Laboratori ofron restaurimin dhe ruajtjen, ndaj të gjithë restauruesit duhet të kenë njohuri të thella për historinë e filmit dhe pasion për teknikën e restaurimit.

Kur vjen një kuti filmi, fillon një seri pune që zakonisht konsiston në skanimin 4k dhe 6k, përmirësimin e ngjyrave dhe më pas shtypjen e materialit në një shirit filmi të ri, i teknologjisë së lartë, që do të mundësojë shfaqjen në kinema dhe ruajtjen e materialit.

Të gjitha këto procese ndërmerren vetëm pasi është realizuar një periudhë studimi mbi punët e autorit. Në disa raste, periudha para restauruese mund të zgjasë disa vjet.

Arkivi ka trajtuar filma klasikë si 'L'Atalante', të Jean Vigo, si dhe pjesë të mjeshtrit të kinemasë Federico Fellini, Stanley Kubrik, Jacques Tati dhe sigurisht të Charlie Chaplin-it.

Laboratori quhet 'L'immagine Ritrovata' që përkthehet si 'Imazhi i rigjetur'.

Marianna De Sanctis është kryerestauruesja. Ajo përshkruan gëzimin që shkakton hapja e një kutie filmi.

"Është një çast shumë i gëzueshëm kur marrim kutinë e shiritit të filmit nga arkivi. Disa herë kemi informacion rreth dhe disa herë jo, pavarësisht kësaj kur hapet kutia dhe fillon një projekt i ri, është një çast shumë emocionues. Pas frymëzimit të parë mund të përcaktojmë rrjedhën e punës dhe nga t'ia fillojmë me restaurimin."

Fondacioni Charlie Chaplin dhe familja e artistit i kërkuan laboratorit 'L'immagine Ritrovata' të arkivojë dhe restaurojë disa prej shiritave origjinalë të realizimeve të rij.

Deri tani ata kanë restauruar filma të tillë si 'The Kid', 'Modern Times' dhe 'City Lights'.

"Restaurimi i filmave të Charlie Chaplin-it ishte emocionues si për mua ashtu dhe për skuadrën. Mbajtja në duar e shiritit të filmit 'Modern Times' mbetet një emocion i paharrueshëm për të gjithë të pasionuarit dhe sigurisht për ata që kanë studiuar filmin. Ishte si atëherë kur kishim në duar shiritat e negativëve të vëllezërve Lumeire, të parët në historinë e filmit. Në periudhën e gjatë të restaurimit të trashëgimisë së Charlie Chaplin-it më të vështirë ishin ata të "periudhës Keystone", 35 filma të vitit 1914. Këta filma konsideroheshin të paplotë ose thuajse të humbur. Ndaj, para restaurimit teknik u desh një periudhë njëvjeçare kërkimi dhe krahasimi filmash në të gjithë arkivat e botës."

Vdekja e përdorimit të shiritave të filmit ishte lajmëruar prej kohësh, por zoti Pozzi është i sigurt se bashkëpunimi me dixhitalen do të garantojë të ardhmen.

"Që kur e fillova këtë punë në vitin 2000, kam dëgjuar shumë njerëz të kremtojnë funeralin e shiritave të filmit. Jemi në vitin 2016 dhe filmi mbetet sërish më këmbë. Është e vërtetë se filmat me metrazh të gjatë nuk regjistrohen më në shirt, por shiritat përbëjnë standardin më të lartë të ruajtës së filmave. Ndaj filmat xhirohen në dixhital dhe më pas shtypen në shirita dhe arkivohen."

Shkencëtarët e shekullit të 21-të po garantojnë trashëgiminë kulturore të mendjeve më novatore të fillim shekullit të 20-të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat