Filmi “Tenderi”, pritet të jetë pjesë e festivale ndërkombëtare

Filma

Filmi “Tenderi”, pritet të jetë pjesë e festivale ndërkombëtare

Më: 25 shkurt 2017 Në ora: 14:56

U shfaq premiera e filmit “Tenderi” i cili i përket metrazhit të shkurtë dhe është punuar nën regji dhe skenar të Arlinda Morinës. Filmi pasqyron jetën e një taksisti i cili qëndron mes drogës, prostitucionit dhe vrasjes.

Premiera e këtij filmi ishte me dyer të mbyllura sepse synimi i autorëve është që së pari të marrin pjesë në festivale ndërkombëtare dhe vendore, më pas të shfaqet për publikun kosovarë.

Regjisorja dhe skenaristja e këtij filmi, Arlinda Morina tha se filmi “Tenderi” ka një temë globale por edhe vendore që tregon se si për shkak të një tenderi, njerëzit bëjnë krime por edhe shndërrohen në vrasës. Ajo shtoi se filmi zgjat 17 minuta, pra është i punuar veçanërisht për festivale. Sipas, Morinës taksi simbolizon Kosovën e vogël.

Morina: Filmin pretendojmë ta dërgojmë në festivale jashtë Kosovës

“Ky është filmi “Tenderi” i cili është bërë dikund verës, derisa e kemi bërë montazhën, derisa e kemi bërë post production, lidhjet që i kemi pas me plot skena që janë të shkurta secila, filmi është 17 minuta. Këtë film po pretendojmë me e dërgu në festivale jashtë, këtu ka dikund rreth 16 aktorë. Sinopsisi është global faktikisht, tema është globale që ndodhë çdokënd, tema është tenderi, bëhet fjalë për një tender të cilin vrahen njerëzit për një përfitim, për një urë që ka me u ndërtu në Kosovë, kështu që është një temë brenda një taksisti që krijon kontrabanda, bon kontrabandë me drogë, bon kontrabandë për tenderë, është vrasës e krejt këto një taksist i thjeshtë, por brenda filmit hyn edhe njerëz të thjeshtë, kështu që si taksi për mua ka qenë si një Kosovë e ngushtë nëpërmes subjektivit të taksistit”, tha Morina.

Ndërsa, sa i përket aktorëve janë 16 aktorë, ku mes tyre ka edhe fëmijë, kurse protagonisti në “Tender” është edhe njëri nga producentët, Edison Dabiqaj.

Morina: Protagonist dhe producent është Edison Dabiqaj

“Nuk e dimë për shkak të datave të festivaleve të cilat janë që duhet me i plotësu kushtet edhe besoj që ku ka festivale të kategorive që neve na konvenon duhet me e qu...Përzgjedhja e aktorëve është Vlora Nikçi, është Edison Dabiqaj, është Doresa Rexhaj, ka edhe role të vogla të tjera Valina Muqolli janë dy fëmijë që për momentin s’po më kujtohen emrat, janë Vlora Dërvishi, Vanesa Petrovci është edhe Egzona Kurtishi e Adem Zhinopotoku, kështu që i kemi kastin goxha të madh, por ngjarja është krejt komplet e xhirume brenda në taksi...Protagonisti është Edison Dabiqaj, edhe producent i filmit është, ka qenë edhe Lulzim Bejta...Filmi duhet me shku nihere nëpër festivale, mandej duhet me u kthy këtu, besoj që ka me qenë nëpër festivale të këtuhit siç është DokuFest edhe PrimFest”, tha Morina.

Ideatori apo producenti i këtij filmi, Edison Dabiqaj tha se ideja ishte e tij, mirëpo zhvillimi i saj u realizua nga regjisorja Arlinda Morina, e cila kreu edhe skenarin e filmit “Tenderi”. Ai shtoi se realizimi i këtij filmi në një mënyrë ose tjetër ishte që të jetë motiv apo shembull për krijuesit e rinj që të punojnë edhe në mënyrë vullnetare për të realizuar idetë e tyre.

Dabiqaj: Brenda një viti filmi do udhëtoj në festivale ndërkombëtare

“Ideja fillestare ka qenë nga unë, mirëpo, skenarin e ka shkru e ka përpunu regjisorja njëkohësisht regjisorja e këtij filmi, Arlinda Morina, e cila edhe e ka shkru skenarin, edhe e ka bo regjinë. Mendoj që ideja ka qenë që në radhë të parë të nxitet një motiv më i madh tek njerëzit e art krijuesit në Kosovë, tek filmbërësit e ri, të jetë një shembull që në Kosovë mundet me u punu ndoshta edhe në mënyrë ta quaj ashtu vullnetare pasi që filmi është bërë kryesisht me vetë financim dhe ekipi ka ardhur me një përkushtim shumë të madh ndonëse nuk është bërë pagesë, urojmë që ka dalë diçka e mirë edhe që ka me pas një rrugëtim edhe të mëtutjeshëm”, tha Dabiqaj.  

Pas një viti punë, përfundoi edhe realizimi i këtij filmi të metrazhit të shkurtë, i cili tashmë pritet të jetë pjesë e festivaleve të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat