PriFest shpalos Programin garues Europian, sjell 11 filma

Filma

PriFest shpalos Programin garues Europian, sjell 11 filma

Më: 29 qershor 2017 Në ora: 14:25
PriFest sjell edhe filmin ECHO me regjisorin Dren Zherka, i realizuar si bashkëprodhim mes Gjermanisë dhe Kosovës

Programi Europian i PriFest këtë vit sjell 11 filma, nga të cilët 6 janë premiera regjionale dhe 5 premiera nga Kosova.

Ndër titujt e filmave që do të shfaqen në këtë program, është edhe filmi i parë I regjisorit shqiptar Izer Aliu me preardhje nga Maqedonia Hunting Flies. Ky film që ka pasur premierën botërore në Toronto Film Festival, vjen si prodhim Norvegjez dhe flet shqip, dhe sapo është nominuar nga shteti Norvegjez që ta prezentojë këtë shtet në Oscar. Ngjarja ndodh dikund në fshatërat e Maqedonisë dhe si temë trajton ngritjen dhe rënien e diktaturës duke vendosur përballë profesorin Gani dhe studentët e tij rebel. Mësuesi idealist i cili e humb punën në ditën e parë të shkollës bën përpjekjen e tij finale për t’u kthyer në punë duke i mbyllur studentët e tij në një klasë dhe duke i detyruar ata që ta zgjidhin konfliktin e kahmotshëm që ekziston në mes të fshatrave të tyre.

Si premierë regjionale, PriFest sjell edhe filmin ECHO me regjisorin Dren Zherka, i realizuar si bashkëprodhim mes Gjermanisë dhe Kosovës. Humbja dhe vetmia zënë vend përgjatë 93 minutave të filmit, duke e paraqitur këto gjendje emocionale nëpërmjet një gruaje në Gjermani e cila fillon një udhëtim për të eksploruar jetën e një emigranti ilegal dhe gjenë vetminë e saj, dhe një burrë të moshuar të cilin humbja e ka sjellë deri në fund të udhëtimit të tij.

Juria ndërkombëtare në programi Europian tradicionalisht ndan çmimin Hyjnesha e Artë për filmin më të mirë Europian si dhe Çmimin special të juries, ndërkohë që këta filma vlerësohen edhe nga Juria e Medias për të marrë çmimin Dritan Hoxha. Titujt e filmave që do të garojnë në këtë kategori janë:

1. HUNTING FLIES, Norvegji, Premierë Regjionale

2. ECHO, Gjermani/Kosovë, Premierë Regjionale

3. CHALLENGE, Rusi, Premierë Regjionale

4. THE CHRONICLES OF MELANIE, Latvia, Premierë Regjionale

5. ON THE TRAIL OF MY FATHER, Itali, Premierë Regjionale

6. LOW TIDE, Izrael, Premierë Regjionale

7. LITTLE HARBOUR, Slovaki, Premierë nga Kosova

8. EVERYTHING BROKEN UP AND DANCES Izrael, Premierë nga Kosova

9. MELLOW MUD, Latvia, Premierë nga Kosova

10. MAMMAL, Irlandë, Premierë nga Kosova

11. PERFECT STRANGERS, Itali, Premierë nga Kosova

Audienca e PriFest këtë vit nga data 13-20 Korrik, do të mund të shikojë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinema nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti”, në Kino ABC dhe në Kinemanë tjetër nën qiellin e hapur te Amfiteatri i Muzeut Kombëtar, derisa biletat do të kushtojnë 3€ dhe mund të blihen te biletorja e Teatrit Kombëtar dhe Kino ABC-së. Mundësi tjetër shumë e mirë për të apasionuarit ndaj filmit që të blejnë Kartelën “All in one” e cila ju mundëson që për 10€ të shikohen gjithsej 76 filma të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani online në [email protected] apo të thërrisni në zyren e festivalit +38138221144.

Në ditët në vijim PriFest do të publikojë edhe titujt e filmave në programet tjera, andaj ju ftojmë që të rezervoni datat, dhe të përgatitemi për një javë plot filma, debate dhe aktivitete tjera që do t’i japin kryeqytetit, Prishtinës, një freski tërësisht unike në mes të verës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat