Flet producenti Izet Morina pas suksesit të filmave “The War” dhe “Tanku në Oborrin Tim”

Filma

Flet producenti Izet Morina pas suksesit të filmave “The War” dhe “Tanku në Oborrin Tim”

Nga: Ermira Babamusta Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 21:58
Izet Morina, Drejtor Ekzekutiv i N.Sh. “Plisi Film”

Puna pesë-vjeçare e palodhur e producentit Izet Morina është kthyer në sukses të jashtëzakonshëm duke patur interes të madh nga publiku dhe festivalet ndërkombëtare.

Njihet për filmat fitues“The War”, “Tanku në Oborrin Tim” dhe “Toka e Zotit”. Filmi “Tanku në Oborrin Tim” është fitues i çmimit “Media Award” në festivalin “Dea Open Air International Film Festival” në Shqipëri. Filmi “The War” mori nominimin “Filmi Më i Mirë” në PiGrecoZen Film Festival” në Itali.

Në vitin 2012 Izet Morina dhe Mentor Spahiu themeluan kompaninë filmike “Plisi Film” në Prizren. Nëpërmjet kompanisë N.Sh. “Plisi Film” kanë realizuar shtatë filma me metrazhe të shkurta dhe tani kanë filluar punimet për projektin e tetë, një film dokumentar me metrazh të gjatë “Aktorët e Kanës”. Filmi trajton helmimet masive të nxënësve shqiptar nga serbët në shkollat në Kosovë në vitet 1990-të. Filmi po xhirohet në Kosovë, Francë dhe në Kroaci.

Filmi “Toka e Zotit” (2013) është një film me metrazh të shkurtër. Filmi bën fjalë për dy familje shqiptare në hasmëri, të cilët nuk pajtohen për punën e tokës. Dy familje janë në konflikt për kufirin e tokës që i ndan. Në pamundësi të zgjidhjes së problemit, kryeplaku ndërhyn për të pajtuar dy familjet dhe për shuarjen e gjakmarrjes. Krerët e familjeve bien dakord me propozimin e kryeplakut.

Image

“Toka e Zotit” (God’s Land) ka për regjisor Mentor Spahiu, skenari shkruar nga Luan Kryeziu, dhe producent Izet Morina. Aktorët kryesorë janë: Xhevat Qorraj, Mehdi Popaj, Avdulla Gjikoka, Selatin Ademi, Besarta Fejza, Arben Bajgora. Filmi është produksion i Plisi Film dhe Iliria film me DP Besfort Malsiu dhe Lulzim Islami, dhe editimi realizuar nga Dibran Kryeziu

‘The War’ (Lufta) është një projekt filmik i metrazhit të shkurtër i cili trajton temën e pasluftës dhe përshkruan revoltën e fëmijëve përballë pasojave të luftës. Filmi është pranuar edhe në garën për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër në ‘PiGrecoZen Film Festival’ në Itali, dhe në shumë festivale të tjera ndërkombëtare. Aktori kryesor i filmit “The War” është Erian Morina. Regjisor i filmit është Mentor Spahiu, producent Izet Morina, prodhim i shtëpisë filmike ‘Plisi Film’.

Filmi tjetër me me sukses të madh i producentit Izet Morina titullohet “Tanku në oborrin tim” (2014, Tank On My Yard). Në këtë film luajnë aktorët e njohur, si: Selman Lokaj, Fatime Llugiqi, Selami Taraku, Rabije Kryeziu, Alban Qela, Molika Maxhuni, Donika Ahmeti, Elirjeta Morina, Endrit Spahiu dhe Leonita Spahiu. Filmi bën fjalë për familjen e një dëshmori dhe përkujtimi i tij me tankun si lapidar.  “Tanku në oborrin tim” është realizuar nga produksioni “Plisi Film” dhe “Gegnia Film”, regji dhe skenari nga Mentor Spahiu, DP Bujar Zeqiri dhe Fisnik Muji, montazhi nga Durim Kryeziu. Muzika e filmit është punuar nga Hajrullah Syla, me post-produksion nga Arian Rogova “GalaxyPictures” dhe organizator Besmir Spahiu.

Producenti dhe ekonomisti i njohur Izet Morina ka lindur në Rahovec në 1986. Shkollën e mesme e ka kryer në Ratkoc ndërsa në vitin 2011 ai kreu studimet e larta te Fakulteti Ekonomik i AAB-së, dega “Menaxhment dhe Informatikë” në Prishtinë. Tani ndjek dy mastera, “Manaxhment dhe Informatikë” te Kolegji i Biznesit në Kosovë dhe është i regjistruar për masterin e dytë dega “Administrim Publik dhe Diplomaci” tek Kolegji AAB. Është themelues dhe Drejtor Ekzekutiv (CEO) i shtëpisë filmike N.Sh. “Plisi Film” (www.plisifilm.info).

Image

Cili është filmi apo projekti i rradhës? Për çfarë bën fjalë filmi, skenari, regjisori?

Izet Morina: Aktualisht po punojmë në filmin e metrazhit të gjatë, “Aktorët e Kanës”. Skenarin dhe regjinë e ka bërë Mentor Spahiu. Filmi flet për helmimin e nxënësve dhe të rinjve shqiptarë në Kosovë në fillim të viteve ’90. Materialet dhe burimet e shfrytëzuara të këtij filmi do të japin një pasqyrë më të qartë të asaj që ka ndodhur në të vërtetë në atë kohë në Kosovë, ku ishin aplikuar masat e dhunshme të Serbisë në të gjitha fushat e jetës tek ne. Besojmë se filmi do të realizohet në nivel të lartë artistik dhe do të pritet mirë si nga publiku ashtu edhe nga kritika e filmit.

Flisni për realizimin e projektit, ku po xhirohet?

Izet Morina: Filmi po të realizohet në Kosovë, Francë dhe në Kroaci. Deri tani kemi kryer disa intervista të rëndësishme me mjekët francez dhe shqiptar që dhanë ndihmën e shpejtë në kohën e helmimeve masive dhe që kanë verifikuar përdorimin e helmit ushtarak “Sarin”.

Na tregoni më shumë rreth vetes dhe fillimet tuaja si producent filmash?

Izet Morina: Ndonëse kam studiuar për ekonomi, lidhja ime me filmin ka qenë e rastësishme. Duke dashur të ndihmoj një mikun tim, student në Fakultetin e Arteve në degën e regjisë, u futa krejt pa dashje në film. Puna në këtë profesion filloi të më japë kënaqësi dhe e pranova si sfidë personale. Dëshira për t’u marrë me këtë degë të artit sa vjen e rritet dhe kam nisur të ndjehem mirë. Krijimtaria artistike më nxit për të menduar dhe krijuar.

Image

Cilat janë disa nga arritjet tuaja deri tani?

Izet Morina: Një nga projektet e sukseshme ishte filmi i metrazhit të shkurtër “Toka e Zotit” (2013). Skenarin dhe regjinë e këtij filmi e ka realizuar Mentor Spahiu. Filmi u vlerësua shumë dhe mori pjesë në disa festivale të filmit të metrazhit të shkurtër, si “See a Paris Film Festival” në  Francë dhe Gjermani, “Albanian Film Week” në Nju Jork, “Nive Eleven Festival” dhe “Skena UP” në Kosovë. 

Filmi “Toka e Zotit” bën fjalë për dy familje shqiptare, të cilat janë në hasmëri të gjatë me njëra tjetrën dhe nuk ia arrijnë të pajtohen derisa të dy kryefamiljarët e gjenë vdekjen, pikërisht në tokën e tyre.

Sukses të përafërt arritëm edhe me filmin tjetër të metrazhit të shkurtër “Tanku në oborrin tim” me regji dhe skenar nga Mentor Spahiun, me të cilin kemi realizuar edhe gjashtë filma të tjerë së bashku. Publiku i ka pritur mjaft mirë të gjitha filmat prodhuar nga Plisi Film dhe janë pranuar në shumë festivale ndërkombëtare për garim.

Filmat “Tanku në oborrin tim” dhe “The War” pjesëmarrës në katër festivale në Amerikë: “Wiper Film Festival” dhe “Ridgefield Independent Film Festival” në Nju Jork, “Student Art Festival” në Florida dhe “Eastern NC Film Festival” në North Karolina. “Tanku në oborrin tim” u realizua në tetor 2014, trajton një temë sociale. Ndërkohë që ngjarja zhvillohet në kohën e luftës së fundit në Kosovë dhe në atë të pasluftës përmes një familje të dëshmorit, përkatësisht babit të tij. Filmi është shfaqur edhe në “West Nordic International Fim Festival” në Norvegji.

Një nga filmat tanë që pati sukses ndërkombëtar është “The War”, me regjisor Mentor Spahiu, prodhim i shtëpisë filmike “Plisi Film” dhe “Gegnia Film”. ‘The War’ është një projekt filmik i metrazhit të shkurtër i cili trajton temën e pasluftës dhe përshkruan revoltën e fëmijëve përballë pasojave të luftës.

Filmi “The War” është pranuar në Amerikë, në ‘Quarantine Festival Film’ në Bullgari, në edicionin e 28-të “Girona Film Festival” në Spanjë. Po ashtu, është pranuar edhe në garën për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër në “PiGrecoZen Film Festival” në Itali, ku mori nominim “Filmi Më i Mirë”, dhe në shumë festivale të tjera ndërkombëtare.

Me cilët aktorë keni bashkëpunuar për të realizuar filmat tuaj të suksesshëm si “Toka e Zotit”, “Tanku në Oborrin tim” dhe “The War”?

Image

Izet Morina: Filmi “Toka e Zotit” në rolet kryesore ka aktorët Xhevat Qorraj, Mehdi Popaj,edhe Avdulla Gjikoka. Ndërsa në filmin “The War” aktori kryesor është Erian Morina.

Në filmin “Tanku në oborrin tim” luajnë: Selman Lokaj, Fatime Llugiqi, Selami Taraku, Rabije Kryeziu, Alban Qela, Molika Maxhuni, Donika Ahmeti, Elirjeta Morina, Endrit Spahiu dhe Leonita Spahiu.

Për çfarë bën fjali filmi fitues “Tanku në Oborrin tim”?

Izet Morina: “Tanku në Oborrin tim” flet për një familje dëshmori. Djali i tyre ra dëshmor duke mbrojtur familjen dhe shtëpinë, të cilën e shkatërron një tank serb. Dhe ai tank mbetet aty, në oborrin e shtëpisë, deri pas lufte dhe çdo herë bashkluftëtarët i vejnë kurora tankut dhe e përkujtojnë dëshmorin. Ai tank aty mbetet si lapidar.

Dëshmori ka lënë jetimat e tij dhe kushtet për gjyshin bëhen të vështira. Ai detyrohet që ta shesë tankun lapidar, vetëm që ti shkolloj nipat, mbesën e tij, fëmijët e djalit të dëshmorit. E shet tankun, kujtimin e djalit të tij që u vra në atë tank. E shet vetëm që ti blej libra të paguj gjithçka për shkollën që të shkollohen fëmijët. Dëshmori mbrojti familjen e vet, dhe ishte vetë student i dalluar dhe e donte lirinë dhe shkollimin.

Cilat filma të tjera keni realizuar dhe në cilat festivale janë shfaqur?

Izet Morina: Disa nga filmat e realizuar janë: “Niveli”, “Lufta”, “Pjata”, “Tanku në oborrin tim”, “Drejtësia”, dhe të tjerë. Këta filma janë shfaqur në festivale të ndryshme të metrazhit të shkurtër.

Filmi “The War” është pranuar zyrtarisht në shumë fesivale si në Londër, Nju York, Kataloni, Bullgari, Itali, Austri, Barcelonë dhe në Suedi.

Filmi “Tanku në oborrin tim” është pranuar në Shqipëri, Maqedoni, Maltë, Indi, Norvegji, Florida dhe në North Karolina në Sh.B.A. Ndërsa filmi “Toka e Zoti” është shfaqur në Nju York, Francë, Gjermani dhe Kosovë.

Na tregoni pak më tepër si lindi formimi i kompanisë filmike “Plisi Film”. Me kë keni bashkëpunuar?

Izet Morina: Shtëpia filmike “Plisi Film” e themeluam në Prizren, në vitin 2012, bashkë me regjisorin dhe skenaristin Mentor Spahiu.

Filmi “Tanku në oborrin tim” është prodhim i shtëpisë filmike “Plisi Film” në bashkëprodhim me “Gegnia Film”. Skenari dhe Regjia: Mentor Spahiu, Producent: Izet Morina, Kameraman: Bujar Zeqiri dhe Fisnik Muji, Montazha: Durim Kryeziu, Muzika: Hajrullah Syla, PostProduksioni: Arian Rogova, Organizator: Besmir Spahiu.

Të gjithë aktorët që kemi bashkëpunuar në këtë projekt kanë shfaqur talentin e tyre dhe janë shumë artistë profesionalistë. Aktori Selman Lokaj ishte një punëtor i madh, edhe pse rrethanat e vështira dhe mosha bën të vetën, ai ka qenë i jashtëzakonshëm, është treguar i palodhshëm, shumë i edukuar dhe mjaft inkurajues.

Falenderojmë të gjithë ato që na kanë përkrahur dhe mbështetur, në veçanti aktorët që kanë punuar pa shpërblim. Ndonëse në Kosovë është e vështirë të gjenden donatorët, mbështetësit e artit në përgjithësi, ne kryesisht jemi mbështetur në forcat vetjake. Kemi shfrytëzuar mjete rrethanore dhe jemi përpjekur t’i realizojmë projektet tona me pak mjete e pare. Jemi falenderues për mbështetjen e vazhdueshme të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Jashtme të Kosovës, komunave tona, miqve, të afërmve dhe donatorëve privat.

Image

A keni ndonjë skenar tjetër në dorë?

Izet Morina: Aktualisht po punojmë në idenë e hartimit të një skenari për funksionimin e shkollës shqipe në rrethanat e okupimit serb në vitet ’90, shkruar nga Mentor Spahiu. Besojmë se do të shfrytëzojmë personazhe realë dhe vende e ngjarje reale. Ky është një film dokumentar me metrazh të gjatë dhe titullohet “Aktorët e Kanës” (Actors of Cannes).

Çfarë e bën një film një prodhim të mirë sipas mendimit tuaj?

Izet Morina:  Ka një mori faktorësh që e bëjnë një film të realizuar mirë. Përveç skenarit, regjisë dhe realizimit, mjetet materiale e teknike ndikojnë shumë në suksesin e një filmi. Mbi të gjitha kërkohet pasion dhe shpirti artistik i regjisorit, është faktori që ndikon në dhënien e mesazhit të fuqishëm.

Si e vlerësoni ju kinemanë sot? Çfarë roli luan arti dhe kinemaja në shoqëri?

Izet Morina: Kinemaja në Kosovë po kalon nëpër periudhë të vështirë. Herë pas here kemi paraqitje të realizuara suksesshëm dhe kjo më bën optimist për kinemanë tonë. Besoj se me rritjen e investimeve në kinema (filma) do të rritet edhe cilësia dhe konkurrueshmëria e filmit tonë. Kuptohet që arti realizohet më mirë nëse ka një audiencë më të ngritur, mirëpo shtrirja horizontale edhe tek masat e gjera ndikon shumë në edukimin dhe transmetimin e mesazhit përmes artit filmik. Mendoj se realizimi i sa më shumë filmave dhe veprave artistike do të ndikojë fuqishëm në emancipimin e shoqërisë në përgjithësi. Pra, roli i artit është jetik për një shoqëri të edukuar.

Çfarë projektesh keni për të ardhmen dhe çfarë mund të presim nga ju për vitin 2017?

Izet Morina: Synimi ynë primar për këtë vit është realizimi i filmit “Aktorët” e Kanës”. Nëse e arrijmë këtë objektiv mendoj se kemi bërë një punë të madhe për të shfaqur një të vërtetë për helmimin masiv të fëmijëve shqiptar, fshehur dhe mohuar nga serbët. Dhe më pas do të vazhdojmë me projektet e tjera, që natyrisht shpresojmë se do të jenë gjithnjë e më të realizuara artistikisht.

Mesazhi juaj për publikun dhe artdashësit.

Izet Morina:  Mesazhi im për publikun është i thjeshtë: le të përcjellin sa më shumë vepra arti, të japin komente e kritika konstruktive, sepse në këtë mënyrë i kontribuojnë rritjes së cilësisë së veprave artistike.

Ku mund t’a gjejmë punën tuaj dhe t’ju ndjekim në rrejet sociale?

Izet Morina: Mund të na ndiqni në webfaqen tonë të Plisi Film www.plisifilm.info ose në facebook/twitter/Instagram @plisifilminfo; www.facebook.com/plisifilminfo ky do publikojmë rreth projekteva tona më të fundit.

i filmit “Tanku Në Oborrin Tim”: https://www.youtube.com/watch?v=1cr5GL_g4PQ

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat