Radha për Shalën atraktive

Formula 1

Radha për Shalën atraktive

Më: 15 korrik 2016 Në ora: 11:08

Agjenda e ngjeshur e automobilistëve kosovarë këtë fundjavë vazhdon me garën që do të zhvillohet në Shalë të Bajgorës. Për shumë nga garuesit tanë, shtegu në Shalë është shumë atraktiv dhe i preferuari i tyre, prandaj edhe kësaj radhe pritet garë tërheqëse për dashamirët e këtij sporti.  Pas Prevallës, Kullës e Brezovicës, kjo është gara e katërt e diciplinës malore për kampionatin e sivjetmë. Rikthimi i “veteranëve”, Gazmend Gashi, Shkëlzen Lajçi e Ernest Daka e ka bërë edhe më interesant kampionatin, ndërkohë që edhe garuesit tjerë po vazhdojnë të bëjnë investime të reja në veturat e tyre. Gashi po shkëlen me Opel Astra në klasën e pestë, ndërsa Lajçi me Mitsubishi Evo 9, në garën e kaluar që u zhvillua në Brezovicë, jo vetëm që doli i pari në klasën e shtatë, por e pati edhe kohën më të mirë të shtegut, madje duke shënuar rekord të ri. Me fitore është rikthyer edhe Ernest Daka, i cili me BMW-në e tij në Brezovicë triumfoi në klasën e tetë. Gara në Shalë fillon në orën 12:00, ndërsa rruga për veturat civile do të mbyllet në orën 11:00, por gjithsesi që ndërmjet dy vozitjeve do të jetë e lirë për disa minuta, me qëllim që kalimtarët e rastit të mos presin gjatë. Federata e Auto Sportit e Kosovës, në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, Brigadën Zjarrfikësve në Mitrovicë dhe Ndihmën e Shpejtë (QKMF Mitrovicë), i ka marrë të gjitha masat që gara të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Me këtë synim, gjatë javës, Drejtoria e Rrugëve të Kosovës është kujdesur që të sanohen edhe gropat në shtegun e garës, duke bërë përpjekje që siguria për automobilistët tanë të jetë sa më e madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat