Rosberg në ‘qiellin e shtatë’, kampion i ri i botës në Formula 1

Formula 1

Rosberg në ‘qiellin e shtatë’, kampion i ri i botës në Formula 1

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 15:48
Nico Rosberg e Lewis Hamilton

Piloti gjerman Nico Rosberg është shpallur kampion bote në Formula 1, për herë të parë në karrierën e tij. Piloti i Mercedes është renditur i dyti në garën e Çmimit të Madh të Abu Dhabi, zhvilluar sot në pistën e “Yas Marina”, por një pozicion i mjaftueshëm për t’u shpallur kampion bote. Kjo garë u fitua nga piloti tjetër i Mercedes, Lewis Hamilton, që edhe pse fitoi garën nuk arrin të mbrojë titullin kampion, duke i dorëzuar spektrin shokut të skuadrës. Në podium u ngjit sot edhe Sebastian Vettel, që riktheu Ferrarin në nivelet e dikurshme, duke u renditur i treti. Strategjia e mirë e “kokëkuqes” bëri që Vettel të rikthehet pretendent, madje në fund të duelojë për fitore, raporton telesport.

 Gara nis pa shumë surpriza, me pilotët që mbajnë pozicionet e tyre në start, ndërkohë që i vetmi që “ngec” në start është Max Verstappen, që përfundon në fund pas një incidenti. Por pilotët e kreut përdorin tipe të ndryshme gomash dhe strategjitë e garës janë gjithashtu të ndryshme. Pilotët e Mercedes dhe Ferarri hyjnë më shpejt në bokse, por jo ata të Red Bull, ndaj Verstappen rikuperon shpejt, që pas 15 xhirosh e sheh veten i dyti, mes dy makinave Mercedes. Pikërisht në xhiron e 20-të vijnë emocionet e para, kur Rosberg parakalon pilotin e ri belg, duke rrezikuar jo pak, por ia del mbanë dhe kalon i dyti, pas shokut të skuadrës. Ferrari tenton një strategji ndryshe në pjesën e dytë me Vettel, por të dyja makinat “kokëkuqe” nuk janë të shpejta sa duhet dhe qëndrojnë në pistë pas dy makinave Red Bull. Ndërsa dy makinat Mercedes, ashtu sikurse pritej, janë në krye dhe duelojnë për fitoren, me Hamilton që qëndron gjatë gjithë kohës para shokut të skuadrës Rosberg. Emocionet e vetme në 20 xhirot e fundit të garës i dhuroi Vettel, që ka goma të buta dhe arrin të rikuperojë disa vende, duke u ngjitur i treti e rikthehet në podium, ndërsa në krye vijon të qëndrojë Hamilton, që mban pas Rosberg dhe fiton garën e Abu Dhabit.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat