Alonso i premton besnikëri McLaren-Honda-s

Formula 1

Alonso i premton besnikëri McLaren-Honda-s

Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 12:09
Alonso

Fernando Alonso është një prej objektivave të mundshëm të Mercedes GP pas largimit të papritur të Nico Rosberg, por piloti asturian dërgon sinjale dashurie për McLaren edhe pse sezoni që sapo u mbyll mund të konsiderohet një katastrofë e vërtetë. Vendi i 10 në klasifikimin e përgjithshëm sigurisht që ka krijuar pakënaqësi për një kampion si Alonso, por spanjolli nuk dorëzohet, aq më tepër që sezonin e ardhshëm rregullat do të ndryshojnë në mënyrë radikale dhe përzierja e letrave mund të dhurojë një tablo ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shikojmë në sezonet e fundit. “McLaren-Honda është një projekt shumë i nevojshëm për sportin e Formula 1. Kjo është vërtetuar në duelet e viteve 80-90 mes Prost dhe Sennas. Për mua është një nder që jam pjesë e këtij projekti”, thekson dy herë kampioni i botës.

Gjatë ditëve të fundit emri i tij është përmendur nga mediat për një lëvizje të mundshme drejt Mercedesit ku do të gjente një njohje të vjetër, britanikun Leëis Hamilton. Të dy kanë bashkëpunuar nëse kështu mund të thuhet, në periudhën e McLaren-Mercedes por shkëndijat mes tyre bënë që spanjolli të largohej me destinacion Ferrarin. Gjatë sezonit të ardhshëm, rregullorja e re parashikon makina më agresive në pista duke filluar që nga pesha e tyre pasi njëvendëshet do të jenë më të rënda, ndërsa gomat më të trasha. Gjithashtu edhe krahët e makinave do të jenë më të gjera. Sipas FIA-s, njëvendëshet e vitit 2017 do të jenë mesatarisht tre sekonda më të shpejta se aktualet dhe kjo i dedikohet revolucionit në aereodinamikë. Në këtë aspekt edhe McLaren-Honda e ka nisur punën për ndërtimin e makinës së re që prej shumë muajsh dhe Alonso kërkon t’i japë një shans të fundit skuadrës britanike që gjatë viteve të fundit nuk ka arritur të gjejë formulën e suksesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat