Formula 1 duket më spektakolare

Formula 1

Formula 1 duket më spektakolare

Më: 14 dhjetor 2016 Në ora: 10:27
Christian Horner

Dyshja tashmë e së kaluarës te Mercedes, Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg e çuan në një tjetër stad luftën për titullin në Formula 1 dhe skuadra gjermane mbeti dominuese në sezonet e fundit të garave spektakolare me makina.

Por për shefin e ekipit të Red Bull, Christian Horner, një duel i ngjashëm duhet të shihet në thuajse çdo sezon dhe për të finale si Interlagos, do ta bënin edhe më spektakolar botën e cirkuiteve.

“Shikoni reagimin e tifozëve për garën e Brazilit dhe diskutimet që vazhduan javë më vonë dhe kjo demonstron se çfarë është vërtet e aftë të bëjë bota e Formula 1. Ne duhet të krijojmë më shumë atmosferë dhe fundjava të tilla gjatë një sezoni”, tha Horner.

Skuadra e Red Bull e drejtuar prej tij fitoi 4 tituj radhazi dhe për shefin e ekipit austriak, asokohe rivaliteti në pistë ishte më i madh se aktualisht.

“Askush nuk i pëlqen fituesit serial dhe ne u akuzuam shpesh për këtë në ciklin tonë triumfues. Por në një prej sezoneve, kishte 7 fitues të ndryshëm në 7 garat e para dhe në dy kampionate, titulli u vendos në finale. Kishim gjithmonë një betejë me Ferrarin, Mercedes apo MeClaren deri në fund dhe shumë rivalitet në cirkuit”, tha shefi i Red Bull.

Mbetet për t’u parë sesi do të zbulohet sezoni i ri me tërheqjen e kampionit të botës Nico Rosberg, që ka lënë Mercedes në një garë me kohën për të gjetur një zëvendësues të denjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat