Brawn: Është diçka fantastike të rikthehem në Formula 1

Formula 1

Brawn: Është diçka fantastike të rikthehem në Formula 1

Më: 24 janar 2017 Në ora: 19:17
Ross Brawn

Në botën e Formula 1 është rikthyer britaniku Ross Brawn, një nga menaxherët më efikas të historisë së këtij sporti, por këtë herë në postet drejtuese. Brawn do të jetë në stafin drejtues të sportit të garave të automobilizmit, i përzgjedhur nga pronarët e rinj të “Liberty Media” në detyrën e Drejtorit të Menaxhimit të Garave. “Është diçka fantastike të rikthehem në Formula 1. Diskutimet e kohëve të fundit me “Liberty Media” kanë qenë konstruktive dhe mezi pres të nis të punoj me drejtuesit e rinj dhe të gjithë skuadrën e re”, u shpreh Brawn, tepër i suksesshëm si drejtor sportiv në Formula 1.

“Ne do të japim një ndihmë të madhe në zhvillimin e këtij sporti. Kemi një objektiv të qartë, për të bashkëpunuar me të gjitha skuadrat, veçanërisht me ekipet e vogla, të promovojmë Formula 1, për ta bërë këtë sport më të mirë, më spektakolar dhe të rikthejmë publikun. Sidomos do të punojmë për tifozët”, ka thënë Brawn, një personazh që e njeh mjaft mirë botën e Formula 1. Ai ka qenë një nga personat më të afër të Michael Schumacherit, kur ky i fundit triumfonte me Ferrarin. Në karrierën e tij si drejtor sportiv, britaniku ka fituar 19 tituj kampionë, me Ferrarin, Benneton, Williams dhe Brawn GP. Me një fjalë, janë zhvillime shumë interesante në sportin më atraktiv në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat