Kinë, Hamilton pole position, Vettel i dyti

Formula 1

Kinë, Hamilton pole position, Vettel i dyti

Më: 8 prill 2017 Në ora: 13:57
Lewis Hamilton, Kinë

Super Hamilton në Kinë ku regjistroi pole position numër 2 të sezonit përpara Sebastian Vettel falë një xhiroje të çmendur në fund të provave zyrtare në Shanghai. 186 të mijtat e ndajnë pilotin e Mercedes nga ai i Ferrarit, ndërsa Valteri Bottas dhe Kimi Raikkonen do të nisen të dielën nga radha e dytë. Skuadra kampione në fuqi tregoi muskujt në një nga pistat më të shpejta të kalendarit, por edhe Ferrari  SF70H u konfirmua si forcë kryesore e kampionatit me Vettel që bëri gjithçka për t’i rrëmbyer kohën e parë rivalit britanik. Të dielën parashikohet një garë spektakolare por nuk përjashtohet mundësia e shiut që mund të ndërlikojë situatën për dy rivalët e titullut.

Radha e tretë për Red Bull dhe Williams me Ricciardo dhe Massa, ndërsa tetëshen e parë në nisje e kompleton dyshja Hulkenberg-Perez. I pafat Max Verstapen që u eliminua në raundin e parë për shkak të një problemi teknik në makinën e tij Red Bull. Për Lewis Hamilton ky ishte pole position numër 63 në karrierën e tij duke vënë në shënjestër rekordin absolut që mbahet nga legjenda Ayrton Senna i cili ka regjistruar plot 65 herë kohën më të mirë në provat zyrtare. Gara për Çmimin e Madh të Kinës do të startojë në orën 8 të së Dielës ku parashikohet një tjetër rivalitet mes dyshes Hamilton-Vettel pas raundit të parë të fituar nga gjermani në Melburne të Australisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat