Bottas fitoi në garën e Çmimit të Madh të Rusisë

Formula 1

Bottas fitoi në garën e Çmimit të Madh të Rusisë

Më: 30 prill 2017 Në ora: 19:26
Bottas

Piloti finlandez i Mercedes, Valtteri Bottas, fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Rusisë, suksesi i parë i tij në karrierë në Formula 1. Një garë fantastike e Bottas, që e komandoi atë nga xhiro e parë deri tek e fundit, duke përfituar nga një start fantastik që i bëri garës. në podium u ngjitën edhe dy makinat Ferrari, me Vettel që u rendit i dyti dhe Raikkonen i treti. Makina italiane humbi një shans të artë për të fituar garën edhe pse e nisë atë nga vija e parë me të dy pilotët. Starti i gabuar vendosi fatin e kësaj gare, me Bottas që feston dhe bëhet pilot nr.107 që fiton një garë në historinë e Formula 1. Në vendin e katërt u rendit Lewis Hamilton me Mercedes, një garë anonime e britanikut, që nuk ishte asnjëherë protagonist. Në renditjen e përgjithshme, Vettel ka 86 pikë dhe shkon në +13 pikë karshi Hamilton dhe +23 ndaj Bottas.

Bottas e nis mjaft mirë garën, duke parakaluar dy makinat Ferrari në start dhe shpejt nis të tregojë se është i pakapshëm nga rivalët. Një incident spektakolar në kthesën e parë të garës mes Palmer e Grosjean bën që në pistë të hyjë makina e sigurisë. Piloti finlandez i Mercedes është i shpejtë në pistë dhe arrin të krijojë një avantazh prej 4 sekondash karshi Vettel, që është i dyti, ndërsa Raikkonen i treti mban pas Hamilton në vendin e katërt. Nga gara tërhiqet shpejt Ricciardo (probleme me frenat), ndërsa Alonso nuk e nis fare atë (tërhiqet në xhiron përgatitore).

Pilotët qëndrojnë gjatë në pistë dhe makinat vendosin të përdorin strategjinë me një ndalesë në bokse për të ndërruar gomat. Për pasojë, parakalimet janë me pikatore, madje gara humbet bukurinë në pjesën e parë të saj, pasi pilotët e kreut kanë një diferencë prej 3-4 sekondash nga njëri-tjetri, çka bën që spektakli të mungojë. Në xhiron e 28-të hyn në bokse i pari Bottas e pas tij me radhë edhe Raikkonen e Hamilton, ndërsa Vettel e shtyn ndërrimin e gomave. Piloti gjerman i “kokëkuqes” hyn në bokse pas 6 xhirosh, duke ndjekur një taktikë tjetër dhe shpreson në rikuperim

Kjo strategji e ferraristit jep efektet e saj në pistë, pasi në 15 xhirot e fundit nis një sulm i Vettel karshi Bottas, duke e ngushtuar diferencën deri në 1 sekondë. Dy makinat duelojnë deri në kthesën e fundit, por finlandezi arrin të përballojë presionin e gjermanit të Ferrarit, duke prerë i pari vijën e finishit dhe korr suksesin e parë në karrierë. Festë e çmendur për Bottas, që la pas dy makinat Ferrari dhe shokun e skuadrës Hamilton (i katërti). Në zonën e pikëve, nga vendi i pestë në të dhjetin u renditën Max Verstappen (Red Bull), Sergio Perez e Esteban Ocon (Force India), Nico Hulkenberg (Renault), Felipe Massa (Williams) dhe Carlos sainz (Toro Rosso).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat