Vettel: Në gjaknxehtësi reagova në mënyrë të gabuar

Formula 1

Vettel: Në gjaknxehtësi reagova në mënyrë të gabuar

Më: 4 korrik 2017 Në ora: 16:03
Sebastian Vettel

Piloti i Ferrarit, Sebastian Vettel, është i pari me 153 pikë në renditjen e përgjithshme të Formula 1 apo ka 14 pikë me shumë se Lewis Hamilton i Mercedesit, shpreh keqardhjen për incidentin e krijuar disa ditë më parë në pistën e Baku. “Për atë që ndodhi në Baku dua të shpjegoj se: Në xhiron kur në pistë ishte makina e sigurisë mbeta i habitur nga Lewis Hamilton që uli shpejtësinë, por nuk mendoj se kishte qëllim të dëmtonte ndokënd. Në gjaknxehtësi reagova në mënyrë të gabuar, ndaj dua t’i kërkoj falje Hamilton, ashtu sikurse u kërkoj ndjesë të gjithë personave që po shihnin garën. E kuptoj se nuk dhashë një shembull të mirë. Por nuk kisha asnjë qëllim që të vija në rrezik Lewis, në asnjë moment, por e di që krijova një situatë të rrezikshme”, ka thënë Vettel. Piloti i ka kërkuar ndjesë edhe drejtuesve të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) për problemet e shkaktuara. “I kërkoj falje FIA-s.

E respektoj dhe e pranoj vendimin e saj pas mbledhjes së kryer në Paris, si dhe dënimin që mora gjatë garës në Baku. E dashuroj këtë sport dhe jam i vendosur ta prezantoj atë në mënyrën më të mirë të mundshme, si një shembull për gjeneratën e ardhshme”, ka thënë Vettel. Të njëjtën gjë ka bërë edhe skuadra Ferrari, që ka kërkuar ndjesë për incidentin dhe se do të mbështesë gjithnjë nismat e FIA-s për një sport të sigurt. Vettel beson e shpreson se do të thellojë edhe më shumë epërsinë me pikë në renditjen e përgjithshme. Ai përgatitet për garën e radhës që do të zhvillohet me 9 korrik në Austri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat