Shkëlqen Hamilton

Formula 1

Shkëlqen Hamilton

Më: 3 shtator 2017 Në ora: 17:29
Pamje nga gara

Lewis Hamilton ka shkëlqyer sot në pistën e Monza, duke fituar garën e Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1, suksesi i 6-të sezonal për pilotin e Mercedes (59 në karrierë), që zhvilloi një garë solidare, i pashqetësuar nga rivalët. Një triumf i lehtë dhe i merituar i pilotit britanik, që përfiton edhe nga fakti që Sebastian Vettel u rendit i treti, për të marrë kreun e renditjes së Botërorit. Një fundjavë fantastike për Hamilton, që 24 orë pasi vendosi rekordin e “pole position” në Formula 1 (69), arrin të realizojë edhe përmbysjen e renditjes, të cilën e synonte para kësaj gare. Në vendin e dytë u rendit Valtteri Bottas me Mercedes dhe në të tretin Sebastian Vettel me Ferrari, që u ngjitën në podium.

Asnjë surprizë në startin e garës, me Hamilton që ruan kreun, Ocon parakalon Stroll në kthesën e parë, ndërsa Bottas e Raikkonen nisin një sfidë të fortë mes tyre në xhiron e parë. Është piloti i Mercedes ai që bëhet protagonist në pjesën e parë të garës, që parakalon në pak xhiro Raikkonen, Stroll dhe Ocon, duke u ngjitur në vendin e dytë. “Zgjohet” edhe Vettel, që ashtu si Bottas parakalon këtë treshe pilotësh që kishte para tij dhe ngjitet në vendin e tretë. Por ky është maksimumi, pasi Ferrari i tij e ka të pamundur të rivalizojë dhe të ndjekë ritmin e Mercedes, shkëputur 20 sekonda, me Hamilton që garon i qetë në krye të renditjes. Madje as Bottas nuk është në gjendje të kapë shokun e skuadrës.

Asgjë nuk ndryshon as në ndalesën e vetme që bëjnë pilotët në këtë garë për ndërrimin e gomave, pasi Hamilton e Bottas ruajnë pozicionet e tyre, ndërkohë që ka më shumë rivalitet për të hyrë në zonën e pikëve. Protagonist bëhet Daniel Ricciardo me Red Bull, që falë një strategjie më të mirë, arrin të rikuperojë shumë pozicione në renditje dhe të kërcënojë Vettel për një vend në podium në xhirot e fundit. Australiani parakalon Raikkonen 11 xhiro nga fundi dhe nis një sulm ndaj Vettel, duke e ngushtuar shumë diferencën, por pa mundur të parakalojë ferraristin dhe kënaqet me vendin e katërt. Ndërsa pas tij u klasifikua Kimi Raikkonen me Ferrarin tjetër.

Në zonën e pikëve, nga vendi i gjashtë në të dhjetin, sot u klasifikuan Ocon (Force India), Stroll e Massa me Williams, Perez (Force India) e Verstappen (Red Bull). Kështu, Lewis Hamilton arrin një fitore të merituar në pistën më të shpejtë të Botërorit, në një klasike siç është ajo e Monza, por që mbeti një garë që nuk dhuroi shumë emocione. Por më e rëndësishmja për britanikun është ngjitja në krye të renditjes, në kuotën e 238 pikëve, 3 më shumë se Vettel, duke arritu të realizojë “parakalimin” më të rëndësishëm të këtij sezoni. Garat në Europë përfunduan sot dhe Botërori i Formula 1 tani spostohet në Singapor, pas dy javësh (17 shtator).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat