Për fitore

Formula 1

Për fitore

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 11:15
Vettel

Këtë fundjavë do të garohet në pistën e Marina Bay, aty ku do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Singaporit në Formula 1. Ferrari, pas garës zhgënjyese dy javë më parë në pistën e Monzës kërkon të rikthehet fituese në pistë, për të rimarrë kryesimin e Botërorit për pilotë. Sebatian Vettel shprehet optimist për fitoren në pistën qytetase të Singaporit, e përshtatshme për karakteristikat e “kokëkuqes”. “Unë kam besim të madh te skuadra, që ka punuar shumë dhe që në këtë pjesë të mbetur të sezonit do të sjellë mjaft surpriza. Gara e fundit në Monza nuk dha atë rezultat që pritej, ndaj duhet që t’ua shpërblejmë fansave me një fitore në garën e radhës”, tha Vettel.

Piloti gjerman i Ferrarit nuk e fsheh dëshirën e tij për të fituar këtë garë, që do ta rikthente në krye të renditjes për pilotë, ndaj dhe ai shihet si favorit. “Nuk më pëlqen kjo fjalë, pasi në një garë të Formula 1 të papriturat mund të vijnë në çdo moment. Fillimisht duhet të shohim se si do të përshtatet makina me pistën, më pas të përcaktojmë objektivat e garës. Natyrisht që fitorja është një detyrim, si një hakmarrje për atë paraqitje jo fort të mirë në Monza. Nuk dua të them se kjo pistë është e vështirë, secila ka karakteristikat e saj dhe unë besoj se do të bëjmë një paraqitje të mirë. Ne jemi gati për një tjetër betejë”, u shpreh Vettel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat