Gati për të rinovuar

Formula 1

Gati për të rinovuar

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 18:46
Lewis Hamilton

Kampioni në fuqi i botës në Formula 1, Lewis Hamilton përjashton një kalim të mundshëm te Ferrari. Dikur piloti britanik pati shprehur dëshirën për të ngarë makinën legjendare të skuadrës nga Maranello, por mesa duket 32-vjecari nga Stevenage ka ndryshuar mendim.

4 herë kampioni i botërorit të Formula 1 kërkon ta mbyllë karrierën me ekipin Mercedes dhe këtë e konfirmon vetë Lewis Hamilton, kontrata e të cilit me skuadrën gjermane Mercedes AMG Petronas Motorsport, përfundon në fund të vitit 2018.

I intervistuar nga e përditshmja gjermane Stuttgarter Zeitung Hamilton deklaroi se nuk arrin dot as të imagjinojë një kalim të mundshëm në radhët e Ferrari-t, madje piloti anglez shkon akoma më tej, duke shprehur bindjen se nuk ka për të ndryshuar mendim.

Pra mesa kuptohet qëllimi i tij është që në përfundim të kontratës aktuale të rinovojë përsëri me skuadrën gjermane, që bazën në fakt e ka në Mbretërinë e Bashkuar, në Brackley, Northamptonshire. Një deklaratë e tillë vjen jo shumë larg në kohë rrëfimit të vetë pilotit britanik, se nuk do të garojë edhe për shumë kohë. Hamilton shpjegoi se është i lidhur me ekipin Mercedes prej 13 vjetësh, pra shumë më tepër krahasuar me kohën e pilotëve të tjerë në skuadrat respektive.

Piloti nga Hertfordshire shtoi se është krenar që punon në një skuadër të tillë dhe shpreson që ta mbyllë karrierën e tij pikërisht me këtë ekip. Natyrisht për shkak të eksperiencës, Lewis Hamilton rrëfeu se sa më i lartë të jetë presioni, aq më kritike bëhet situata në këtë sport, gjë të cilën piloti anglez gjithsesi e konsideron si diçka shumë të mirë për veten.

Në fund, fituesi i 3 prej 4 botërorëve të fundit të Formulës 1 pranoi gjithashtu se skuadra Mercedes është në një formë të shkëlqyer dhe nuk ka nevojë për asnjë ndryshim. Më shumë sesa mesazh besnikërie, deklarata më e fundit e pilotit britanik që në janar do të festojë 33-vjetorin duket se është një sinjal i qartë për qëllimet e 4 herë kampionit të botës, sidomos pas parashikimeve të shumta që vijnë nga tabloidet në Mbretërinë e Bashkuar për një barazim të rekordit të pilotit legjendar Michael Schumacher brenda vitit 2020 me shtatë tituj.

Gjithsesi, ideja është e qartë dhe duke pasur parasysh dominimin absolut të ekipit Mercedes, drejtuesit e rinj të Formulës 1 po përpiqen të ndryshojnë diçka në favor të faktorit njerëzor, krahasuar me epërsinë motorike, gjë të cilën e ka shprehur më së miri edhe një pilot tepër i talentuar si australiani Daniel Ricciardo, që vetëm pak ditë më parë theksoi për Daily Express se Hamilton ndoshta nuk do të kishte asnjë titull, nëse nuk do të garonte për skuadrën Mercedes, por për një ekip tjetër, të nivelit mesatar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat