Hamilton fiton në Azerbajxhan

Formula 1

Hamilton fiton në Azerbajxhan

Më: 29 prill 2018 Në ora: 16:30
Hamilt on

 

Lewis Hamilton me Mercedes fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Azerbajxhanit, gara e 4-t sezonale e Botërorit të Formula 1, një garë spektakolare dhe me shumë të papritura, sidomos në xhirot e fundit. Ky është suksesi i parë sezonal për pilotin britanik, që la pas Kimi Raikkonen (i dyti me Ferrari) dhe Sergio Perez (i treti me Force India), që u ngjitën në podium. Një fund i çmendur i garës zhvilluar në pistën qytetase të Baku i dha fitoren Hamilton, që nuk e priste këtë sukses. Dalja e makinës së sigurisë 4 xhiro nga fundi, që fillimisht përfitoi nga një parakalim i gabuar i Vettel, që doli jashtë piste dhe më pas nga dëmtimi i gomës së Bottas për të fituar garën, shkruan telesport.

Ky është Botërori i makinës së sigurisë, që ka vendosur rezultatin përfundimtar në 3 gara deri më tani e kështu ndodhi edhe sot, pasi u bë sërish protagoniste. Nën regjimin e saj ndodhën shumë të papritura dhe pasi u largua nga pista, 4 xhiro nga fundi, pati shumë emocione. Vettel, në përpjekje për të kaluar Bottas e merr gjerë kthesën dhe frenon fort, duke u parakaluar nga Bottas, Hamilton e Raikkonen. Por edhe Bottas nuk ka fat, pasi në xhiron pasardhëse i shpërthen goma teksa ishte para bokseve, pa patur mundësi ta ndërrojë atë dhe braktis garën. Për pasojë, Hamilton gjendet i pari krejt papritur, pasi dy protagonistët kryesorë nuk kanë fat.

Britaniku ruan kreun në 2 xhirot e mbetura, mban pas pa probleme Kimi Raikkonen, ndërsa Sergio Perez me Force India bën një parakalim fantastik ndaj Vettel, duke u renditur i treti. Piloti gjerman i Ferrarit e mbyll garën në vendin e katërt edhe pse përpiqet të kapë podiumin në fund, por pa sukses. Falë këtij triumfi, Hamilton ngjitet në krye të renditjes së Botërorit të Formula 1 me 70 pikë, ndërsa Vettel zbret në vendine  dytë me 66 pikë, duke lënë pas Raikkonen, i treti me 48 pikë.

Gara nis me disa incidente në xhiron e parë, ku përfshihet edhe Kimi Raikkonen, por që vijon garën, por tërhiqen menjëherë Ocon e Sirotkin. Kjo bën që në pistë të hyjë makina e sigurisë, pasi ka papastërti. Pas largimit të makinës së sigurisë, gara nuk dhuron shumë surpriza edhe pse për disa xhiro shihen parakalimet që pilotët e makinës Renault, Sainz dhe Hulkenberg, bëjnë ndaj makinave Red Bull, pasi janë më të shpejta në pistë. Ndërkohë që, në krye të garës qëndron Vettel, që nis të shkëputet ndaj Hamilton e Bottas, një trio që ruan pozicionet.

I pari nga pilotët “big” që hyn në bokse për të ndërruar gomnat është Hamilton, zbret i treti, ndërsa Vettel ndërron gomat 8 xhiro më vonë. Në këto xhiro, spektakël dhurojnë dy pilotët e Red Bull, pasi dy herë Ricciardo tenton të parakalojë Verstappen, por pa sukses, madje makinat edhe kanë kontakt mes tyre në pistë. Në përpjekjen e tretë ia del mbanë, ndërkohë që strategjia e ndryshme që pilotët kanë për gomat bën që fituesi të jetë në dilemë deri në fund.

Verstappen e Ricciardo bëhen sërish protagonistë dhe ajo që u evitua deri në ato momente nuk mundi të shmangej 11 xhiro nga fundi, kur dy makinat Red Bull përplasen mes tyre dhe mbyllin garën. Australiani godet nga pas shokun e skuadrës, ndërkohë që në pistë hyn sërish makina e sigurisë. Të gjithë pilotët hyjnë në bokse dhe ndërrojnë gomat, por nga kjo situatë përfitoi Bottas, që nuk i kishte ndërruar gomat deri në ato momente. Edhe Grosjean pëson aksident nën regjimin e makinës së sigurisë, që shtyn qëndrimin e saj në pistë deri 4 xhiro nga fundi, kur nis spektakli i madh. Hamilton korr suksesin e parë në Baku dhe merr kreun e renditjes, ndërsa Vettel bën një manovër të gabuar, pasi i mjaftonte të priste një xhiro dhe do të fitonte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat