F1, Red Bulli zyrtarizon pasuesin e Ricciardos

Formula 1

F1, Red Bulli zyrtarizon pasuesin e Ricciardos

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 22:45
Pierre Gasly

Pas largimit të Daniel Ricciardos, skuderia austriake ka vendosur të vijojë të ndjekë linjën e viteve të fundit, atë të rritjes së talentëve në shtëpinë e saj.

Këtë të hënë, drejtuesit e skuderisë me seli në Milton Keynes të Britanisë zyrtarizuan afrimin e një piloti tejet të talentuar, si francezi Pierre Gasly, për t’ia bashkëngjitur si shok skuadre holandezit Max Verstappen sezonin e ardhshëm.

Piloti i lindur në vitin 1996 ka bindur me paraqitjet e tij në skuderinë satelite të Red Bullit, Toro Rosso. Aktualisht ai renditet në vendin e 13 për pilotë, me 26 pikë, e mes arritjeve që kanë spikatur këtë sezon është vendi i katërt në Bahrein.

“Të garoj për Aston Martin Red Bull Racing gjatë vitit 2019 është një ëndërr që do të bëhet realitet për mua. Jam kaq shumë i lumtur që do t’i bashkohem kësaj skuderie të madhe. Gjithmonë ka qenë objektiv për mua të garoj për Red Bullin, – është shprehur Gasly, – që kur kam ardhur për herë të parë në programin për pilotë të rinj te Red Bulli, në vitin 2013. Kjo është një mundësi e pabesueshme, e sigurisht edhe një hap para drejt ambicieve të mia për të fituar sa më shumë gara dhe për të pretenduar për titullin botëror”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat