Vettel, përballë një “misioni të pamundur”

Formula 1

Vettel, përballë një “misioni të pamundur”

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 19:09
Vettel dhe Hamilton

Një mision thuajse i pamundur, në kufijtë e një hipoteze tejet të largët, mund të konsiderohet ai i Vettelit për të kapur Hamiltonin në kreun e klasifikimit për pilotë në Formulën 1, nëse analizon përballjet mes Mercedesit dhe Ferrarit gjatë viteve të fundit.

Një vit më parë, Vettel dilte nga Çmimi i Madh i Monzës me 3 pikë diferencë nga britaniku kryesues në luftën për titullin kampion. Asokohe gjermani arriti vendin e tretë, por me thuajse 30 sekonda pas Hamiltonit, gjë që irritoi së tepërmi (të ndjerin) Sergio Marchionne, i cili bëri thirrje për një reagim të menjëhershëm të skuderisë dhe pilotëve.

Paradoksi qëndron në faktin se, një vit më parë Ferrari ishte ndjeshëm më inferior sesa Mercedesi në aspektin teknik, një diferencë që në Botërorin e 2018-s është ngushtuar. Fatkeqësisht, Vettel gjendet sot 30 pikë larg Hamiltonit, një klasifikim që nënvizon shpërndarjen e pakuptimtë të kapitaleve në dispozicion.

Renditja aktuale:
Hamilton 256 pikë (+18), Vettel 226 (-9), Raikkonen 164 (+26), Bottas 159 (-38).

Renditja e vitit 2017, pas Monzës:
Hamilton 238 pikë, Vettel 235, Raikkonen 138, Bottas 197.

Por, treguesi i precedentit negativ vjen pikërisht nga 7 garat e fundit të sezonit të kaluar, kur, në vend që të reagonte, Ferrari përfundoi mes gabimeve të pilotëve të tij dhe strategjive të diskutueshme të garave.

Një fund sezoni që i lejoi sërish Hamiltonit të jetonte me prepotencë dhe të fitonte titullin e katërt me një lehtësi të paimagjinueshme. Vettel thelloi me 43 pikë të tjera diferencën me pilotin britanik në vetëm 7 gara.

Vjet, 7 garat e fundit:
Hamilton 125 pikë, Bottas 108, Vettel 82 (-43), Raikkonen 67.

Ndaj, për Vettelin dhe Ferrarin detyra drejt objektivit është me pengesa të mëdha për t’u kapërcyer. Pilotit gjerman do t’i duhet të fitojë të paktën 5 apo 6 gara, me shpresën që të tjerët t’i bëjnë konkurrencë Hamiltonit. Një fatkeqësi mund të konsiderohet fakti që në këtë fundsezoni, gjermani vjen në një situatë edhe më të rëndë, pavarësisht se ka një makinë shumë më të mirë sesa në vitin 2017.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat