Uellsi sprovon anglezët! Gjermania s’e ka lehtë me Poloninë

Futboll

Uellsi sprovon anglezët! Gjermania s’e ka lehtë me Poloninë

Nga: Kemajl Goca Më: 16 qershor 2016 Në ora: 10:30
Uellsi

Anglia nuk e nisi mirë Kampionatin Europian, pasi në hapje të grupit B barazoi me rezultat 1:1 me Rusinë, ndërsa Uellsi shkëlqeu ndaj Sllovakisë, duke fituar me 2:1. Anglia dhe Uellsi, do të ballafaqohen mes vete apo do të jetë një përplasje mes Wayne Rooneyt dhe Gareth Bales. Uellsi do të futet me misionin që të dalë i pamposhtur, kurse anglezët vetëm fitore kërkojnë që të janë të qetë.  Sfida mes tyre do të zhvillohet në stadiumin në ‘Félix Bollaert’ në Lens dhe fillon në orën 15.00.  Ndeshja tjetër interesante do të zhvillohet në mes Ukrainës dhe Irlandës Veriore, në kuadër të grupit C. Të dyja kombëtaret patën një nismë të palakmueshme, pasi që Ukraina pësoi me 2:0 nga Gjermania dhe Irlanda Veriore me 1:0 na Polonia, si njëra palë po ashtu edhe skuadra tjetër kërkojnë pikët e para në evropian. Ky ballafaqim luhet në orën 18.00 në stadiumin ‘Stade de Lyon’ në Lyon. Ndeshja tjetër në mes Gjermanisë dhe Polonisë, do të jetë tejet interesante, për shkak se në radhët e polakëve paraqitet Robert Lewandowski dhe e njeh mjaft mirë lojën e gjermanëve. Sfida mes gjermanëve dhe polakëve luhet në stadiumin ‘Stade de France” në Paris, duke filluar në orën 21.00.

Gjermania dhe Polonia kërkojnë fitoren e dytë. Mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi që shënoi gol  kundër Ukrainës, pritet të luajë për gjermanët dhe të vazhdojnë serinë e fitoreve. Futbollisti i Hajvalisë, Enis Zabërgja, ai i Gjilanit Isa Eminhaziri dhe i Istogut, Dugagjin Gashi, mendojnë se anglezët, gjermanët dhe ukrainasit janë favoritë. Zabërgja tha se në ballafaqimin në mes Anglisë dhe Uellsit do të jetë mjaft i mirë. “Do të jetë një ndeshje e mirë. Anglinë pash në ndeshjen e parë e cila ka bërë një lojë të mirë dhe besoj se këtë takim do ta fitojnë, sepse më të vërtetë sivjet e kanë një ekip fantastike. Në ndeshjen e parë fati nuk ishte me ta.  Ndërkaq, në takimin Ukrainë-Irlanda Veriore, ukrainasit më kanë lënë përshtypje me Gjermaninë. Nuk është ekip për t’u nënvlerësuar,  janë shumë të mirë. Irlanda Veriore nuk më ka mbushur syrin dhe nuk ka treguar diçka. Ukraina ka më shumë kualitet në ekip dhe besoj se do të fitojnë. Gjermania-Polonia, kjo do të jetë ndeshje kryesore e grupit dhe besoj një superndeshje, duke e parë rivalitetin që kanë këto skuadra. Këtë ndeshje do të vendosin imtësitë dhe besoj se do të ketë shumë gola. Një përparësi e ka Gjermania dhe në anën tjetër pres që të jetë ndeshje shumë e fortë”, tha Zabërgja për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Isa Eminhaziri që ka firmosur ditë më parë për Gjilanin, ka një parashikim mjaft interesant. “Mendoj se Anglia fiton për faktin se ka më shumë eksperiencë në këto kompeticione të rëndësishme siç është ky Euro 2016, pastaj edhe në skuadër ka lojtar me eksperiencë të madhe me klube ku luajnë. Ukraina-Irlanda Veriore? Irlanda Veriore kohët e fundit ka treguar lojëra të mira sidomos në fazën eliminatore, ndërsa në anën tjetër Ukraina nuk e ka një lider siç e kishte me herët Shevcenkon, mendoj se kjo lojë do të përfundoj me rezultat të barabartë, 1:1.

Gjermania-Polonia? Gjermania është favorite për ta fituar këtë kompeticion. Ata në këtë ndeshje janë favoritë, por nuk duhet harruar se deri me sot asnjë skuadër e madhe nuk ka treguar superioritetin në fushë, të gjitha ndeshjet për ekipet favorite kanë qenë të vështira, por prapë mendoj se në këtë sfidë fiton Gjermania”, tha Eminhaziri. Dugagjin Gashi mendon se anglezët dhe gjermanët kanë kualitetin dhe kjo dallon nga rivalët e tyre. “Mendoj që Anglisë i vyen medoemos me fituar, sepse siç dihet bëri kiks në çastet e fundit me rusët. Anglia ka ekip shumë më të kompletuar në krahasim me Uellsin dhe sigurisht edhe lojtarë me përvojë. Ukraina-Irlanda Veriore? Ukraina është bindshëm më e mirë, e cila e tregoi veten kundër Gjermanisë pavarësisht që humbi. Ndërkaq, nuk ka bërë lojë shumë të mirë Irlanda Veriore ndaj Polonisë dhe kështu që Ukraina do ta fitojë këtë ndeshje. Gjermania-Polonia? Për mendimin tim, Gjermania është favoritë kryesor me fituar kampionatin, megjithatë e ka në kundërshtar shumë të fortë para vetes.  Gjermanë ka vitet që luajnë së bashku dhe besoj se do të fitojnë”, thotë Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat