Selmani: Zvicra mund të rangohet lart!

Futboll

Selmani: Zvicra mund të rangohet lart!

Nga: Kemajl Goca Më: 23 qershor 2016 Në ora: 11:08
Agron Selmani

Kombëtaret me emër, si Gjermania, Anglia, Spanja, Italia, Franca, kanë kaluar fazën e grupeve në Euro 2016. Njohësit e futbollit parashikojnë se do të jetë një luftë shumë e nxehtë deri në fund secila nga kombëtaret do të stoliset me titullin e kampionit. Spanja lufton për ta mbrojtur titullin, por do ta ketë shumë vështirë, duke marr parasysh se edhe disa kombëtare tjera po dëshmojnë kualitete të larta sidomos Kroacia. Si shembull i evropianit të 15-të pa dyshim ka qenë Shqipëria e cila ka befasuar me lojëra cilësore, si dhe me fitoren historike me rezultat 1:0 kundër Rumanisë. Shqipëria pësoi dy humbje, por të dyja në saje të fatit sportiv, 1:0 nga Zvicra dhe 2:0 nga Franca, sepse ka merituar të ketë me tepër pikë. Uellsi është befasia më e madhe dhe që zuri vendin e parë në grupin B me 7 pikë. Agron Selmani, trajner i Ferizajt, tha për gazetën kombëtare “Bota sot” se është kampionat interesant dhe që sjell emocione të vazhdueshme. Në pyetjen se çfarë e veçon Euro 2016, ai përgjigjet: “Loja e futbollit vetvetiu ka evoluar edhe në vendet e ashtuquajtura të vogla dhe tani më nuk mund të ketë kategorizim të kombëtareve në Kombëtare të mëdha dhe të vogla, shembull për këtë janë edhe kombëtaret sikurse Uellsi dhe Shqipëria”. Sipas jush, cila mund të jetë më afër që ta fitojë Euro 2016? “Evropianin mund të na sjell situata të paparashikuara, por nga ajo që kemi parë deri me tani oscilime të mëdha nuk ka pas në lojën e Kroacisë dhe po ashtu edhe të Italisë, disa kombëtare mund të ngjallen në vijim të garave. Për mendimin tim Kroacia dhe Italia kanë treguar një loje dhe disiplinë taktike, të nivelit të lartë, të shoqëruar edhe me vullnet dhe motivacion. Është e njohur që vendet e Ballkanit në momente të caktuara din të mos jenë vetvetja”, thotë Selmani. Kombëtarja e Zvicrës ka në petkun e saj gjashtë shqiptar, Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Behramin, Admir Mehmedin, Blerim Xhemailin dhe Shani Tarashajn. A mendoni se Zvicra mund të shkojë lart? “E para, kjo përgjigje e imja lidhet indirekt me faktorin shqiptar në futbollin evropian. Mund të themi sot me gojën plot se ne po ndërtojmë tri kombëtare, Shqipërinë, Kosovën dhe pse jo edhe Zvicrën dhe kjo tregon fuqinë e kombit tonë edhe në këtë kampionat. Reprezentacioni i Zvicrës mund të rangohet lart por edhe për Zvicrën problem do të jetë qasja dhe mentaliteti ballkanik”, tha Selmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat