Dënimi me 21 muaj burg për evazion fiskal dukej një arsye më shumë që Lionel Mesi t’i thoshte përfundimisht “lamtumirë” “Kamp Nou”-t, megjithatë duket se gjithçka i takon aludimeve dhe zhurmës mediatike.
Kjo pasi sulmuesi argjentinas pritet që së shpejti të firmosë një kontratë të re me Barcelonën, ekipin me të cilin i ka fituar të gjitha trofetë në karrierën e tij. E përditshmja spanjolle “El Mundo Deportivo” shkruan sot se babai i sulmuesit argjentinas, Horge Mesi, ka pranuar propozimin e drejtuesve të klubit katalanas që Leo të rinovojë menjëherë kontratën pas kthimit nga pushimet.
Klauzola e kontratës së numrit “10” me “blaugranët” kap shifrën e 250 milionë eurove, shifër e “çmendur” edhe për klubet më të pasura të planetit. Kësisoj, klubi pritet t’i propozojë 5 herë fituesit të “Topit të Artë” një kontratë të re që do të zgjasë deri në vitin 2021.