Mazreku ka oferta nga ekipet e elitës, por është skeptik

Futboll

Mazreku ka oferta nga ekipet e elitës, por është skeptik

Më: 18 korrik 2016 Në ora: 23:23
Fatos Mazreku

Shumë futbollist të Ligës së Parë të Kosovës kanë ambicie që të luajnë në elitë. Disa prej tyre kanë oferta nga ekipet e elitës, por nuk iu ngutet, duke pritur ndonjë ofertë edhe më të mirë gjatë afatit kalimtar të verës. 


Në ligën e parë ka disa futbollistë që po dëshmohen dhe janë edhe shtyllë e skuadrave ku luajnë ata, madje disa prej tyre po vëzhgohen. 
Fatos Mazreku, mesfushor, me të përfunduar edicioni në ligën e parë, u nda me KF Rahovecin, por ende nuk ka vendosur se ku do të vazhdojë karrierën e tij. 
24-vjeçari tregon se ka pasur  oferta nga dy ekipet të Raiffeisen Superligës, por ende është skeptik.  “Jam larguar nga Rahoveci për disa arsye personale. 
Ende jam pa klub, megjithëse ka pasur interesim nga ekipet e Superligës. Ende nuk ka diçka konkrete edhe pse ishin dy oferta, por jo aq serioze apo si të themi jo bindëse”, thotë Mazreku për gazetën kombëtare “Bota sot”. 


Si shumë futbollistë tjerë edhe Mazreku e pranon se është më vështirë të luhet në ligën e parë për shkak të infrastrukturës së dobët të fushave. 
“Është vështirë të luhet për shkak të terreneve të vështira”. 24-vjeçari nuk është i zhgënjyer pse ka luajtur në ligën e parë, sepse edhe në këtë rang të garave ka cilësi mbase edhe rivalitet të madh.


“Nuk jam i zhgënjyer me ligën e parë, por në këtë rang të garave kushtet janë më të dobëta” theksoi ai, duke mos fshehur synimet e tija: 
“Synimet janë me luajtur diku në Superligë. Sepse elita është më ndryshe dhe kërkon shumë me tepër punë”.  


Mazreku me lojërat e tija ka rënë në sy të disa trajnerëve, por sipas tij shumë shpejt do të vendos për të ardhmen. Sa i përket futbollistëve thotë se vendi ynë ka mjaft, vetëm duhet kushte. “Kosova ka shumë futbollistë të mirë dhe kushtet janë çdo vit e më shumë duke u përmirësuar. 
Shpresoj që sezonin e ardhshëm të kemi një ekip në garat evropiane”. A është futbolli i Rahovecit në krizë? 


“Jo, Rahoveci me pak ndihmë mund të arrijë në Superligë. Në këtë klub kam qenë i kënaqur me kryesinë dhe me tifozët, të cilët i kanë të palodhur për gjatë 90 minutave. Ata janë edhe shpirti i ekipit, sepse pa tifozë nuk ka gjallëri as klubi. 


Mund të them se në Rahovec e duan dhe jetojnë me futbollin pa dallim moshe”, thotë Mazreku. 
Mesfushori njihet me shpirt luftarak, ka një teknikë të përsosur dhe shquhet edhe me goditje të forta. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat