Shkëndija optimiste, por revanshi nis nga 0:0

Futboll

Shkëndija optimiste, por revanshi nis nga 0:0

Më: 20 korrik 2016 Në ora: 14:40
Akrapoviq e Cuculi

Barazimi 0:0 nga ndeshja e parë me Neftcin në Baku sa është pozitiv, aq është edhe i papërshtatshëm. Shkëndija është e vetëdijshme për rëndësinë e takimit e cila me koncentrim dhe kujdes e pret takimin e kthimit të rrethit të dytë të Europa League, ndërsa trajneri Bruno Akrapoviq dhe zëvendëskapiteni Ardian Cuculi në takimin e fundit për gazetarë reflektuan optimizëm dhe përcaktimin për të dhënë maksimumin në kërkim të suksesit historik. Të gjithë futbollistët janë të mobilizuar deri në pikën e fundit, për të synuar fitoren e madhe në stadiumin ‘Philip II’ në Shkup, e cila zhvillohet nesër në orën 20.00.  Kualifikimi në rrethin e tretë është larg vetëm 90-ta apo ndoshta edhe 120-të minuta. Dominimi i ‘kuqezinjve’ në takimin e parë në Baku jep shpresë se Shkëndija mund të eliminojë Neftcin e favorizuar, mirëpo për të ndodhë kjo duhet fitore dhe gola, të cilët për fat të keq munguan në Baku. “Para se gjithash duhet të cek se në ndeshjen e parë kemi bërë një rezultat që është i pranueshëm për ne dhe që na mundëson të kemi më shumë opsione për lojën dhe taktikën tonë. Sigurisht se do të japim gjithçka prej vetes dhe se do të luajmë futbollin tonë me të cilin karakterizohemi kohëve të fundit dhe që na ka sjellë shumë suksese, pra këtu nuk do të ndryshojmë shumë. Do të mundohemi që sa më parë të bëjmë rezultat të mirë, ndërsa në të njëjtën kohë nuk do t’i lejojmë kundërshtarit të ketë hapësirë për të zhvilluar kundërsulmet e veta.  Jemi ekip shumë i mirë për të lejuar të ndodh dhe mendoj se do të jetë ndeshje e shkëlqyeshme dhe se do të prezantojmë mirë në Evropë si Shkëndijën, ashtu edhe futbollin e Maqedonisë”, tha Akrapoviq. Cuculi beson se me një lojë të mirë mund të arrijnë te fitorja. Ai shprehet se e njohin ekipin nga Azerbajxhani dhe kërkon nga bashkëlojtarët që të jenë të kujdesshëm nga kundërshtari. “Ndeshja e dytë me Neftcin do të jetë ndryshe nga ndeshja e parë për shkak se tani më dimë gjithë anët e mira dhe të këqija të Neftcit. Gjithashtu njihemi mes veti, kështu që do të bëjmë më të mirën të mundshme që të përsërisim lojën nga ndeshja e parë, normalisht me pak fat shpresoj të korrim sukses dhe me një angazhim maksimal të gjithë lojtarëve të përfaqësojmë denjësisht edhe futbollin e Maqedonisë në arenën ndërkombëtare dhe të vazhdojmë ecurinë e ndeshjeve pozitive për të bërë diçka më shumë për të kaluar në raundin e tretë. Gjithmonë duke qëndruar me këmbë në tokë, duke dhënë maksimumin, pa eufori shpresoj të korrim sukses. Them që Neftci nuk është kundërshtar i lehtë, është rival i fortë dhe prandaj nga ana jonë ka vlerësim maksimal. Ne jemi optimistë dhe do të bëjmë gjithçka për të kaluar dhe duhet të jemi real se gjasat për të kaluar në raundin tjetër janë 50-50 për të dyja skuadrat”, deklaroi Cuculi. Shkëndija në rrethin e parë e ka eliminuar skuadrën polake, Cracovia, të cilën e kishte mundur me rezultat të përgjithshëm 4:1, pasi që në Shkup kishte triumfuar me 2:0 dhe si mysafir me 2:1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat