Gati për hapin vendimtar

Futboll

Gati për hapin vendimtar

Më: 20 korrik 2016 Në ora: 14:55
Etrit Berisha

Etrit Berisha bëhet gati për vitin vendimtar të karrierës së tij. Portierit të përfaqësueses shqiptare i është dhënë mundësia që të tregojë vlerat e tij si titullar te Lazio dhe ai po bëhet gati për një sfidë të tillë që do të vendosë me shumë mundësi edhe fatin e karrierës së tij. Në një intervistë për “Lazio Style Radio”, Berisha tha se tani ka më shumë besim në vetvete, falë paraqitjes me Shqipërinë në Europian. “Kam mësuar shumë nga pjesëmarrja në Euro 2016, tani e shikoj futbollin në mënyrë tjetër. Ishte një eksperiencë e mirë, fatkeqësisht nuk vazhduam shumë edhe pse bëmë paraqitje të mira. Por tani duhet të shohim para dhe për mua janë të rëndësishme ndeshjet me klubin”, tha Berisha. Berisha bëri të qartë se objektivi i tij është të luajë titullar në këtë sezon që nga ndeshja e parë, me apo pa Marchetti në klub. “Unë u ktheva më përpara nga pushimet pasi dëshiroja t’i bashkohesha grupit, nuk isha i kënaqur me mënyrën se si kishte shkuar sezoni i kaluar. Ndaj vendosa që të filloj më shpejt përgatitjen në mënyrë që të isha i gatshëm që për ndeshjen e parë të kampionatit. Sezoni do të jetë i gjatë dhe unë dua të jem me ekipin, dua të jem gati për trajnerin”, theksoi portieri, përcjell “PanoramaSport”. Ai shfrytëzoi këtë intervistë për t’i lëshuar një “kërcënim” kroatit Vargiç, i cili i është bashkuar Lazios dhe mendohet se do të jetë rivali i tij për portën e bardhekaltërve. Ai ka dy ditë që ka ardhur, ka bërë 2-3 stërvitje me ne dhe është i zoti. Por të jesh portier në Itali është ndryshe nga kampionati kroat, atij i duhet të mësojë”, ishte mesazhi i qartë i Berishës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat