Cuculi: Jemi të lumtur për kualifikim

Futboll

Cuculi: Jemi të lumtur për kualifikim

Më: 22 korrik 2016 Në ora: 10:28
KF Shkëndija

Kualifikim historik për Shkëndijën e Tetovës. Një fitore mëse e merituar ajo ndaj Neftcit që i çon kuqezinjtë në raundin e tretë kualifikues të Europa League. Shkëndija bën përpara me kokën lart në Europë, pasi ka luajtur një futboll të bazuar te qarkullimi i topit dhe sulmi, çka e bën edhe më të kënaqur trajnerin Akrapoviç. “Përfundimisht kemi gjetur veten dhe unë dhe klubi. Kemi luajtur futbollin që preferoj duke sulmuar dhe duke bërë spektakël. Sigurisht që kjo është historike, kemi arritur në raundin e tretë në Europa League dhe nga kjo kemi përfituar dhe unë dhe klubi por edhe lojtarët”. Edhe pse ka krijuar një mori rastesh Shkëndija shënoi vetëm një herë, Akrapoviç pranon se skuadra duhet të përmirësojë finalizimin, ndërsa autori i golit të kualifikimit, Besart Ibrahimi është padyshim i lumtur që i ka vënë vulën këtij suksesi historik. “Normalisht mundeshim të shënonim më shumë, por edhe me këtë fitore bëmë historinë. Desha të falënderoj familjen, klubin, ballistët, shqiptarët kudo që janë për përkrahjen që na japin dhe ta shijojmë së bashku”. Kapitenit dhe simbolit të skuadrës, Ferhan “Buba” Hasani i është dashur të sakrifikojë për të qenë në fushë në të dy ndeshjet, por në fund ia ka vlejtur, pasi ka festuar me Ballistët kualifikimin në stadiumin e rivalëve të Vardarit. Mesazhi i kapitenit është pikërisht për ta. “Nuk kemi bërë shumë plane se deri ku mund të shkojmë, kemi menduar ndeshje pas ndeshje dhe ka funksionuar pozitivisht. Duhet të mendosh për ndeshjen e radhës. Dua të falënderoj gjithë tifozët që kishin ardhur prej Tetovë. Ky nuk është stadiumi ynë por ata na bënë të ndihemi në shtëpi”. I fundit por jo më pak i rëndësishmi, një njohje e kampionatit shqiptar, zv/kapiteni Ardian Cuculi i lumtur për këtë sukses nuk harron një urim edhe për ish skuadrën e tij Partizanin. “Jemi të lumtur për këtë kualifikim, që nuk ishte i lehtë, por ne do të vazhdojmë ëndrrën tonë dhe do të përpiqemi ta përfaqësojmë sa më mirë gjithë shqiptarinë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat