Korabi po rezulton surpriza më e madhe e ditëve të fundit në afatin kalimtar të futbollit shqiptar. Vetëm pak orë më parë me një goditje të vetme skuadra dibrane siguroi shërbimet e 6 lojtarëve që kanë lënë gjurmë në Kategorinë Superiore, pa llogaritur këtu emërimin e një trajneri me eksperiencë si Artan Mërgjyshi. Vetëm 4 javë më parë, dukej se klubi që u ngjit pas më shumë se gjysmë shekulli në Superiore, do të ndiqte gjurmët e Tërbunit, por faktet flasin ndryshe dhe ky është një sinjal shpresëdhënës për futbollin shqiptar. Struktura e klubit është kompletuar, ndërsa drejtori sportiv, Fehmi Mziu konfirmon se skuadra do ti luajë ndeshjet si pritëse në stadiumin “Selman Stermasi” pasi është arritur marrëveshja me klubin e Tiranës. Papritur situata gri është zëvendësuar nga lëvizjet e shpejta dhe bindëse të drejtuesve që kanë nisur punën për të ndërtuar një ekip të denjë për Kategorinë Superiore. Afrimi i Vujadinovic, Çelës, Shetës, Veliajt dhe Zefit nga skuadra e Laçit kopleton pjesën më të madhe të reparteve, por Korabi nuk synon të ndalet me kaq pasi gjatë ditëve të ardhshme janë premtuar lëvizje të tjera surprizë. “Do te jete e vështirë për ne te luajmë ne Tirane dhe pa pranine e tifozëve ne disa ndeshje brenda, por u sigurojmë atyre qe do te japim maksimumin ne fushe dhe Korabi ka për te qene nje surprize ne Superiore”, thekson ndër të tjera në deklaratën e tij për faqen zyrtare, Mziu. Një premtim deri diku i bazuar në faktin se Korabi falë punës që po bën në zyra, nuk do të jetë një meteor në qiellin e futbollit shqiptar. Skuadra nga Peshkopia është gati të sfidojë më të fortët e Superiores për një sezon ku nuk përjashtohen surprizat.