Kontrata e Manajt me Peskarën, ja sa do të fitojë në vit 19-vjeçari

Futboll

Kontrata e Manajt me Peskarën, ja sa do të fitojë në vit 19-vjeçari

Më: 24 korrik 2016 Në ora: 07:44
ilustrim

Rei Manaj është i bindur se do të shkelqejë në këtë sezon me fanellën e Peskarës në Serinë A. Për këtë arsye, sulmuesi 19-vjeçar që iu bashkua në huazim skuadrës së drejtuar nga Masimo Odo, përveç rrogës së tij vjetore, ka kërkuar që në kontratë t’i vihej edhe një bonus nëse ai arrinte të kalonte një kuotë të caktuar golash.

Sipas të përditshmes italiane “Il Centro”, Manaj do të jetë qendërsulmuesi kryesor i skuadrës së Peskarës, ndaj mundësitë para portës nuk do t’i mungojnë.

“Trajneri më ka provuar gjithmonë si qendërsulmues, pasi ky është roli që i përshtatet më shumë karakteristikave të mia”, theksoi sulmuesi për gazetën.

Lojtari nuk ka pranuar që të tregojë se cili është objektivi që i ka vënë vetes në këtë sezon.

“I kam bërë një premtim vetes, por shifrën e ruaj për vete”, ishin fjalët e tij.

Megjithatë, gazeta italiane ka zbuluar se Manaj ka kërkuar që në kontratën e tij të vihej një klauzolë e cila parashikonte një shpërblim financiar nëse ai shënonte 15 gola në edicionin e tij të parë me Peskarën.

Sipas “panorama.it”, e cila ka mbledhur të dhënat e kontratave të depozituara në Ligën Italiane të Futbollit, rroga neto e futbollistit 19-vjeçar në këtë sezon do të jetë 150 mijë euro.

Kjo është një rritje e ndjeshme në krahasim me një vit më parë, kur Manaj regjistrohej si futbollisti me rrogën më të ulët mes atyre që kishin luajtur të paktën një ndeshje në Serinë A.

Në bazë të kontratës që ai kishte firmosur me Interin, Manaj në sezonin e 2015-2016 ka përfituar si rrogë bazë vetëm 20 mijë euro./panorama

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat