Hysaj në rritje, bien Berisha e Roshi

Futboll

Hysaj në rritje, bien Berisha e Roshi

Më: 25 korrik 2016 Në ora: 16:26
Pamje nga ndeshje Shqipëri-Zvicër

Është periudhë e afatit kalimtar  dhe shumë klube kanë një çmim për secilin lojtar të organikës së tyre. Kjo, në rast se ka një ofertë konkrete për shërbimet e futbollistit në fjalë. Për këtë, edhe në përditësimin e vlerave të kartonit për futbollistët e kombëtares kuqezi, ka disa ndryshime. Për një pjesë të kuqezinjve vijon rritja e vlerës së kartonit, ndërkohë që ka të tjerë që vlejnë edhe më pak se një muaj më parë. Vlerën e kartonit të secilit futbollist e pasqyron “transfermarkt” e përditësuar. Elseid Hysaj është lojtari më i përfolur në mediat italiane për shkak të rinovimit që pritet të kryejë me Napolin. Megjithatë, sipas kësaj faqeje me të dhënat e kartonëve për secilin futbollist të kuqezinjve, mbrojtësi i Napolit kushton 13 milionë euro momentalisht. Progresion pozitiv kanë pësuar edhe kartonët e Arlind Ajetit dhe Ledian Memushajt, raporton panoramasport.  Mbrojtësi tashmë kushton 2 milionë euro dhe transferimi te Torino do të shërbejë edhe për rritjen e formës së tij në fushën e lojës. Për kapitenin e Peskarës, kartoni përllogaritet me një vlerë prej rreth 2.5 milionë eurosh, ndërkohë që vetë trajneri Odo ka deklaruar se pa pesë apo gjashtë milionë euro nuk heq dorë nga shërbimet e tij. Dy lojtarët e Kombëtares që do të jenë pjesë e Bundesligës kanë pësuar tjetër rritje të vlerës së tyre në treg, sipas përllogaritjeve të “transfermarkt”. Qendërmbrojtësi i Këlnit, Mërgim Mavraj, vlerësohet me 1.75 milionë euro për kartonin e tij, ndërkohë që Abrashi me 2.5 milionë euro. Edhe pse në Kombëtare nuk u aktivizua asnjë minutë, duket se për Alban Hoxhën mjaftojnë vetëm paraqitjet me Partizanin, pasi, sipas kësaj faqeje, gardiani i të kuqve vlerësohet me 575 mijë euro për kartonin e tij. Është gardiani i Lacios, Etrit Berisha, që ka pësuar rënie të vlerës së kartonit të tij që, sipas “transfermarkt”, tashmë është 3.5 milionë euro nga katër që ka qenë më parë. Kartoni i Kukelit vlerësohet me 350 mijë euro nga 500 mijë, ndërkohë që zbritje e vlerës së kartonit është shënuar edhe për Odise Roshin, nga 450 mijë në 350 mijë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat