Tovërlani: Duhet të tregojmë pjekuri e maturi

Futboll

Tovërlani: Duhet të tregojmë pjekuri e maturi

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 28 korrik 2016 Në ora: 10:08
Afrim Tovërlani

Feronikeli me intensitet të shtuar stërvitet në Ohër të Maqedonisë. Kampioni i Kosovës objektiv ka që të përgatitet sa më mirë për sfidat që e presin në edicionin e ri veçmas për ndeshjen e Superkupës së Kosovës e cila do të zhvillohet me 13 gusht, kundër Prishtinës. Trajneri i mirënjohur Afrim Tovërlani, apo ndryshe njihet si trajner i trofeve, është i kënaqur me rrjedhën e përgatitjeve të deritashme dhe planifikon që t’i zhvillojë edhe 3-4 ndeshje miqësore për të parë formën e secilit futbollist. Njohësit dhe ekspertët e lojës më të popullarizuar në botën e shohin Feronikelin si ekipin më të kompletuar dhe sërish si kandidatin kryesor për të gjitha trofetë. Skuadra nga Drenasi dy vite rresht është kampion i Kosovës dhe aktualisht është prej kolektivëve më të organizuara në vend.  Tovërlani është optimist se do të arrijnë suksese edhe në edicionin e ri dhe nuk e fsheh fare synimin e tij. Ai parashikon se cilat nga skuadrat janë favoritë për titullin e kampionit. Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” Tovërlani flet se a pret rritje të shikueshmërisë, cilësisë dhe rivalitet më të madh në mes ekipeve dhe në fakt çfarë e bën me tepër nervoz.

“Bota sot”: Si rrjedhin stërvitjet dhe çfarë punoni më tepër?

Afrim Tovërlani: Do të jemi 10 ditë. Punojmë në forcën explizive dhe elementet tekniko-taktike. Normal do t’i zhvillojmë 3-4 ndeshje.

“Bota sot”: Feronikeli është prej skuadrave të para që ka filluar stërvitjet për edicionin e ri, sa jeni i kënaqur me rritjen e formës?

Afrim Tovërlani: Deri me tani ka shkuar super mirë dhe është realizuar 100 përqind çka kemi planifikuar.

“Bota sot”: Pak më shumë se dy javë do të zhvillohet ndeshja e Superkupës së Kosovës, kundër Prishtinës, a besoni se ekipi do të jetë i gatshëm në çdo aspekt?

Afrim Tovërlani: Sa i përket formës ajo do të vijë pak me vonë sepse deri tani është punuar me tepër në aspektin kondicional.

“Bota sot”: Njiheni si Tovërlani i trofeve, por edhe si personalitet që doni vetëm disiplinë sportive. A besoni se do t'i mblidhni të gjitha trofetë në edicionin e ri dhe cilat nga skuadrat i parashikoni se mund ta sfidojnë skuadrën tuaj?

Afrim Tovërlani: Besoj se do të jemi të gatshëm për Superkupë, por jam adhurues i asaj që koha tregon më së miri. Ne do të bëjmë maksimumin, të jemi të gatshëm. Besoj se do të jemi në garë për dy trofetë por kësaj here favorit janë Besa dhe Prishtina të cilat kanë transferuar më së shumti lojtar dhe kanë investuar. Pra do të jemi konkurrent i fortë duke mos anashkaluar edhe disa ekipe tjera. Shkurt do të luftojmë dhe do ta respektojmë çdo ekip në Kosovë.

“Bota sot”: Njohësit dhe ekspertët e kësaj loje parashikojnë një edicion të fortë, me shikueshmëri më të madhe, një rivalitet më të theksuar mes skuadrave për shkak pranimit të futbollit tonë në UEFA e FIFA, por ju a besoni se do të ketë rritje niveli?

Afrim Tovërlani: Po besoj që do të ketë ngritje të shikueshmërisë por mendoj se ju mbetet klubeve të punojnë më tepër me tifozët e ekipeve të tyre. Do të jemi në vëzhgim dhe duhet të tregojmë pjekuri e maturi sa i përket tifozëve.

“Bota sot”:  Çfarë e veçon futbollin në përgjithësi, çfarë ka të mirë dhe çka iu bën më shumë nervoz?

Afrim Tovërlani: Futbolli për mua ishte dhe mbetet vet jeta, punë, disiplinë, art, kënaqësi, përkushtim. Me bëjnë nervoz kurdisjet e ndeshjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat