Rraklli befason, emërohet drejtor në një klub shqiptar

Futboll

Rraklli befason, emërohet drejtor në një klub shqiptar

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 10:19
Altin Rraklli

Altin Rraklli emërohet drejtor i përgjithshëm i ekipit të Turbinës. Legjenda e sulmit të Kombëtares kuqezi në vitet 1992-2005 ka marrë tashmë këtë pozicion drejtues në klubin cërrikas. Lajmi i bujshëm i afrimit të ish-sulmuesit kavajas te Turbina konfirmohet nga vetë presidenti i klubit, Gentian Gjoka. Kreu i ekipit cërrikas në një prononcim për mediat ka deklaruar se është nder për Turbinën që ky emër i madh i futbollit shqiptar të japë kontributin e tij tashmë si drejtues dhe menaxher te Turbina. “Kam kënaqësinë t’ju bëj me dije se kemi emëruar në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Turbinës legjendën e kombëtares, Altin Rraklli. Pa dyshim që për një klub të vogël si Turbina ky është një nder i madh. Eksperienca kombëtare dhe ndërkombëtare e Rrakllit natyrisht që do të jetë e vlefshme për ecurinë dhe objektivat e ekipit tonë. Në edicionin e ri ne do të synojmë pozicionimin në pesë vendet e para të klasifikimit. Jemi optimistë për këto objektiva, pasi me rikthimin e teknikut Sinan Bardhi, por edhe me afatin kalimtar që do të zhvillojmë, mund t’i përmbushim synimet. Gjithashtu, edhe shtrimi i tapetit në stadiumin “Nexhip Trungu” është një nga faktorët që ndihmon në veprimtarinë normale të kampionatit”, theksoi Gjoka.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat