Basha: Kosova nuk më ka kërkuar, unë do të jem pjesë e Shqipërisë

Futboll

Basha: Kosova nuk më ka kërkuar, unë do të jem pjesë e Shqipërisë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 15 gusht 2016 Në ora: 18:12
Migjen Basha

Futbollisti nga Kosova, Migjen Basha, mbush bateritë për edicionin e ri në Serie B italiane, e cila fillon me 26 gusht. Ai para pak ditëve firmosi për dy vite për ekipin e mirënjohur italian, Bari, që ka ambicie të ngjitet në Serie A. Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë tha se Bari është nga klubet që i pëlqente më së shumti dhe që ka tifozerinë më të madhe.  Basha para se të shtegtonte në Bari ishte i huazuar nga Luzerni në Como, kjo e fundit kishte humb statusin e Serie B.  Futbollisti njihet me shpirt luftarak, për lojëra të nivelit të lart, të cilat janë veti që e bëjnë edhe më të kërkuar në tregun evropian. Sa i përket kombëtares së Kosovës, Basha tha se ka mjaft lojtarë të mirë që luajnë në ligat e ndryshme të Evropës.  Bari është prej skuadrave me traditë në futbollin italian, e cila me 27 gusht në konak të vetin takohet me Cittadella-n. Në fakt, Basha nuk do të harrojë edhe vitin 2016, pasi që më kombëtaren e Shqipërisë për herë të parë ishin kualifikuar në Kampionatin Evropian dhe lanë përshtypje të jashtëzakonshme.  Ai në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” flet për synimet e tija.

“Bota sot”:  Migjen, a ishte vendim i vështirë për t'iu bashkuar Barit?

Migjen Basha: Jo, aspak i vështirë sepse nga ofertat që kam marrë në Serie B Bari ishte klubi që më pëlqente më së shumti, është klub me tifozëri të madhe.

“Bota sot”: Çfarë prisni me Barin në Serie B?

Migjen Basha: Synimi është të hyjmë në Serie A, kemi një ekip me shumë eksperiencë dhe shumë lojtarë që kanë përvojë në Serie A po nuk do të jetë lehtë.

“Bota sot”: Sa keni mundur të adaptoheni me atmosferën dhe ambientin në FC Bari?

Migjen Basha: Me asnjë klub në Itali nuk më ka ndodhë mos mu ambientuar, me të vetmin që e kam pas problem ka qenë Luzerni.

“Bota sot”: Serie B nuk është e panjohur për Ju, cilat skuadra i sheh kandidate për kreun e tabelës?

Migjen Basha: Kam shumë ndeshje në Serie B dhe kam pasur fatin të luajë më herët në Serie B, si me Atalantan dhe Torinon, ka shumë skuadra të rëndësishme, mund të them që janë Frosinone, Bari, Carpi e Verona.

“Bota sot”: Jeni pjesë e kombëtares së Shqipërisë, morët pjesë në Euro 2016, a është viti i paharruar?

Migjen Basha:  Sigurisht që kurrë nuk do të harrohet kjo eksperiencë e mrekullueshme, është nder i madh të jem pjesë e kësaj gjenerate, që u kualifikua për evropianin e parë për Shqipërinë.

“Bota sot”: Kosova është në prag të kualifikimeve, e sheh një kombëtare të denjë?

Migjen Basha: Kosova ka shumë lojtarë të mirë nëpër Evropë, besoj që do të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen, kjo është fillimi dhe besoj që nuk do të jetë lehtë për Kosovën, por këto ndeshje sigurisht që Kosova do të ketë shumë entuziazëm dhe në ato momente mundet me ndodhë çdo gjë.

“Bota sot”: Kosova iu kërkon, a po do të mbeteni në kombëtaren e Shqipërisë?

Migjen Basha: Kosova nuk më ka kërkuar, unë do të jem pjesë e Shqipërisë deri në momentin kur më largojnë ose kur e shoh që nuk i nevojitem më kombëtares.

“Bota sot”:  A mendoni se ky do të jetë edicioni i juaj?

Migjen Basha: Nuk di, e shohim në fund të sezonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat