Prapaskenat e shortit, dëshirat dhe objektivat

Futboll

Prapaskenat e shortit, dëshirat dhe objektivat

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 00:46
ilustrim

Shorti për sezonin e ri në Kategorinë Superiore u zhvillua mes shpresave, bindjeve dhe dilemave, por edhe me një anomali. Asnjë president i pranishëm nga 10 skuadrat elitare. Përveç mungesës së Partizanit, të angazhuar në fazën play-off të Europa League, skuadrat e tjera u përfaqësuan nga zyrtarët e klubeve. Te Skënderbeu mbizotëron besimi, se dominimi në kampionat do të vazhdojë.

Mario Nikolli

Nuk kemi preferenca për ndeshjen e parë. Aleance me Kukësin? Kampionët nuk kanë nevojë për aleanca. Kemi besim se do të jemi ne sërish kampionët.

Edhe pse fituesit janë antipatikë, Skënderbeu ishte rivali i preferuar përpara shortit. Nga Kukësi, që me korçarët do të ndeshet në finalen e Superkupës më 24 Gusht në Selman Stërmasi.

Jonuz Hallaci

Nuk ka problem se cilën skuadër na vendos shorti përballë. Urojmë ta luajmë ndeshjen e parë në Kukës dhe pse jo me ekipe rivale, ndoshta me Skënderbeun.

Përballja me kampionët ishte një ëndërr edhe për debutuesit e Korabit.

Femi Mziu

Do të garojmë si të barabartë, mirë do të ishte që në ndeshjen e parë të luanim me kampionët.

Dëshira e dibranëve nuk u realizua, por goglat i shkuan për shtat Laçit, që kërkonte një rival të lehtë dhe tashmë do të luajë pikërisht ndaj Korabit.

Ramadan Ndreu

Ndeshjen e parë e duam me Korçën… bëj shaka. Shpresojmë te një short i favorshëm dhe me këtë nënkuptoj të luajmë ndaj një skuadre që i ka nisur përgatitjet me vonesë, ashtu si ne.

Dëshira të realizuar përgjysmë për Vllazninë dhe Tiranën. Shkodranët ëndërronin ta inauguronin stadiumin me një rival të madh si bardheblutë, prej mbështetjes së tifozëve, ndërsa 24-herë kampionët kanë pak kohë për t’u përgatitur për derbin.

Astrit Gjyrezi

E dëshirojmë ndeshjen e parë në Shkodër, ta inaugurojmë impiantin e ri përballë tifozëve tanë. Ndoshta të presim aty Tiranën.

Eduard Gjini

Shpresojmë që derbi të luhet pas javës së tretë, në mënyrë që skuadra të ketë kohë të kolaudohet. Shpresoj që ndeshjen e parë ta luajmë ndaj Luftëtarit. Tirana do të ringrihet.

Një qetësi që premton të tjera surpriza ajo e Teutës, që me sekretarin e klubit, Salillari, nuk shfaqi asnjë pretendim.

Eduart Salillari

Nuk ka asnjë problem me kë e nisim kampionatin. Si gjithmonë për ne do të jetë njësoj me të gjitha skuadrat.

Goglat vendosën që Teuta ta nisë kampionatin në shtëpi pikërisht përballë Tiranës, me bardheblutë që janë optimistë, pavarësisht se suksesi i fundit në Niko Dovana daton më 26 Tetor 2014.

Eduard Gjini

Luajmë në Durrës, mund të them një hapje normale e kampionatit. Do të shkojmë për fitore, por në fund e vendos fusha. Ne do ti shfrytëzojmë ndeshjet e para që të jemi gati për javën e katërt në Elbasan.

Relativisht të kënaqur edhe te Vllaznia, me administratorin Gjyrezi të cilit iu plotësua gjysmë dëshire pasi shorti caktoi ndeshjen e parë ndaj Kukësit në Loro Boriçi.

Astrit Gjyrezi

Dëshira për të luajtur në Shkodër ndeshjen e parë u plotësua. Në objektivat e Vllaznisë për këtë sezon nuk flitet për mbijetesë.

Raundi i parë do të jetë i vështirë për të besuarit e Cungut, sepse veri-lindorët kanë synime të mëdha, të konfirmuara nga shefi i klubit, Jonuz Hallaci.

Jonuz Hallaci

Shpresojmë ta fillojmë kampionatin me këmbë të mbarë, duke e inauguruar ne stadiumin. Pasi kemi qenë nënkampionë, shkruajtëm historinë në Europë, fituam Kupën e Shqipërisë, tashmë synojmë Superkupën dhe pse jo të jemi kampionë.

Një mesazh i drejtë për drejtë për Skënderbeun, që gjithsesi nuk trembet, madje thumbon edhe rivalët e Partizanit, rreth faktit që titulli mund të vendoset në ndeshjen e fundit pikërisht ndaj të kuqve.

Mario Nikolli

E mbyllëm me Flamurtarin, do ta nisim sezonin po me Flamurtarin. Synojmë të vazhdojmë pikërisht aty ku e lamë. Sezoni mbyllet me ndeshjen me Partizanin, por besoj se çështjen e titullit Skënderbeu do ta zgjidhë më parë.

Kategoria Superiore është gati. Shpejt do të jetë koha kur fjalët, deklaratat dhe premtimet t’ia lënë vendin fushës së lojës.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat