Shqipëri-Maqedoni, biletat edhe në dyqanin e FSHF

Futboll

Shqipëri-Maqedoni, biletat edhe në dyqanin e FSHF

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 00:03
Kombëtarja shqiptare

Edhe pse kujtimi i pjesëmarrjes historike në Kampionatin Europian eshtë ende e freskët, në Kombëtaren shqiptare kanë nisur ethet e kualifikueseve te Botërorit 2018.

Disa javë pas nisjes së shitjes së biletave online për ndeshjen e parë kualifikuese, ku më 5 Shtator kuqezinjtë do të presin në “Loro Boriçi” Maqedoninë, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se biletat kanë nisur të shiten edhe në dyqanin zyrtar të institucionit që drejton futbollin në vend.

Në treg kanë dalë bileta për të gjithë sektorët e stadiumit, duke përfshirë këtu edhe tribunën VIP. Çmimet e biletave nisin nga 1,000 lekë të reja për tribunat mbrapa portave, për të vazhduar me 1,500 lekë në tribunat anësore C1, C5 dhe E1, E5.

Në katër sektorët e tribunës D biletat kushtojnë nga 2,000 deri në 3,000 lekë të reja, ndërsa në tribuën qendrore në sektorët A dhe B çmimi shkon në 8,000 lekë të reja.

Një ofertë për tifozët është edhe mundësia për të përfituar paketat e abonimit në ndeshjet e kuqezinjve, nëpërmjet të cilës mbështetësit e Kombëtares do të përfitonin çmim 15 për qind më të ulët.

Disponueshmëria për bileta është e lart në të gjithë sektorët e stadiumit me kapacitet afro 16 mijë vende, ndërsa çmimet e arsyeshme kanë për qëllim që impianti të jetë i mbushur me tifozë për debutimin e Shqipërisë në Grupin G të Botërorit, “Rusi 2018”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat