Manaj e Memushaj titullarë ndaj Napolit

Futboll

Manaj e Memushaj titullarë ndaj Napolit

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 00:18
ilustrim

Do të nisë me një derbi shqiptarësh Seria A italiane. Të Dielën në mbrëmje në program për javën e parë të kampionatit në stadiumin Adriatico, Pescara do të presë Napolin me objektivin për të frenuar të Kaltrit e Maurizzio Sarrit. Nga njëra anë janë Ledian Memushaj dhe Rey Manaj ndërsa në krahun tjetër Elseid Hysaj. Sipas asaj që raporton SportMediaset, tre kuqezinjtë pritet ta nisin sfidën si titullarë pasi janë lojtarë shumë të rëndësishëm për skuadrat e tyre respektive. Për Memushajn mesfushorin 29-vjecar nga Vlora i cili mban edhe shiritin e kapitenin te Pescara, debutimi i tij në Serinë A do të vijë në një ndeshje shumë të fortë si ajo ndaj Napolit. Ish lojtari i Carpit dhe Lecces i cili shkëlqeu me kombëtaren shqiptare në Euro 2016-të, me paraqitjen e tij në fushë do të përpiqet të udhëheqë Pescarën si një kapiten i vërtetë.

Në drejtim të Ledian Memushaj gjatë kësaj vere kanë mbrritur disa oferta nga klube të tjera të Serisë A, por me kërkesë edhe të tranjerit Massimo Oddo i cili e konsideron shqiptarin një lojtar të pazëvendësueshëm te Pescara, 29-vjecari vendosi të qëndrojë në stadiumin Adriatico për të luajtur një rol protagonisti me skuadrën abruceze në sezonin e ri. Te Pescara në këtë merkato u transferua edhe Rey Manaj i cili kaloi te skuadra e Oddos në formë huazimi nga Interi. 19-vjecari shqiptar i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij në fazën përgatitore dhe në ndeshjen e parë të sezonit të ri ndaj Napolit, Manaj do të mbajë peshën e sulmit të Pecarës. Nuk diskutohet prania në formacionin titullar e Elseid Hysajt te Napoli. Mbrojtësi shqiptar i cili shumë shpejtë pritet të rinovojë zyrtarisht kontratën e tij me të Kaltrit, ishte një nga më të mirët e Napolit gjatë sezonit të kaluar dhe trajneri Sarri e konsideron Hysajn një element shumë të rëndësishëm për Napolin. Për 22-vjecarin nga Shkodra gjatë kësaj vere kanë shfaqur interes shumë klube të mëdha por Hysaj në fund vendosi të qëndronte në San Paolo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat