Kështu ishte përkrahja për Shkëndijen

Futboll

Kështu ishte përkrahja për Shkëndijen

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 11:55
Stadiumi plotë me shikues

Shkëndija e Tetovës ndalet në play-off të Liga Evropës, ku arriti për herë të parë në histori duke shkruar kështu faqet më të lavdishme të përfaqësimit të arenën ndërkombëtare. Humbja 2:1 në ndeshjen e parë në Gent jepte shpresë për rezultat pozitiv dhe realizim të ëndrës për inkuadrim në fazën e grupeve, mirëpo lodhja nga ndeshjet e vështira në tre raundet paraprake, mungesat e rëndësishme në formacion dhe para se gjithash kualiteti i Gentit bënë që në fund Shkëndija të përshendetet nga Evropa me humbje 0:4. Fillimi i ndeshjes ishte entuziazmues pasi rreth 30 000 shikues mbushën shkallët e stadiumit, duke shënuar rekord të vizitës të një ndeshje të ‘kuqezinjëve’. Ndeshja nisi me Gentin të vendosur në sulm dhe Mitroviq e Kums sollën kanosjet e para që nuk gjetën portën. Shansin e parë më të mirë miqtë e kishin në minutën e 27-të kur Miliçeviq godet për mrekulli nga gjuajtja e lirë, ndërsa me pritje bravuroze shfaqet Zahov që shpëton gol të sigurtë. Shkëndija përgjigjet në anën tjetër me anë të Ibraimit, mirëpo pret portieri Rine. Ibraimi pak më vonë kishte tentim të fortë nga gjuajtja e lirë, por topi nuk gjen portën. Në fillim të pjesës së dytë Shkëndija sikur hyri me lojë më të hapur dhe kjo krijonte më shumë hapsira për kundërshtarin. Kanosjen e parë e solli Alimi pas rivënies nga këndi të Ibraimit, mirëpo topi shkoi mbi portë. Loja më e hapur e ‘kuqezinjëve’ përballë një rivali kualitativ shpejt solli pasoja, pasi kur kishin kaluar një orë lojë miqtë prodhojnë një aksion tipik për ta, Simov harkon në zonë, ndërsa shtatlarti Kulibali me kokë shënon për 0:1. Dush i ftohtë për futbollistët, që tani më duhej të paktën të shënojnë dy gola për ta çuar ndeshjen në kohën shtesë. Kjo tani më ishte një barierë e rëndë psikike, por edhe fizike dhe Genti shfrytëzoi maksimalisht këtë situatë. Minuta e 69-të sjell rëmujë para portës, ndërsa më i gjindshëm sërish Kulibali që realizon për 0:2. Shkëndija e vetëdijshme për eliminimin nuk mundi të dalë me kundërpërgjigje për lojën e Gentit, me këta të fundit që deri në fund shënuan edhe dy gola. Fillimisht në minutën e 80-të Perbert realizon për 0:3, ndërsa rezultatin përfundimtar 0:4 e vulosi Neto me një super gol katër minuta para fundit të takimit.
Në fund u duk sikur nuk kishte humbës. Genti kaloi në grupet e Liga Evropës, ndërsa megjithëse pjesa më e madhe e tifozëve kishin lëshuar tribunat, futbollistët ‘kuqezi’ u përshëndetën me duartrokitje për këtë aventurë të shkëlqyeshme evropiane. Shkëndija ishte ekipi i vetëm nga Maqedonia që mbijetoi më shumë se një raund në Evropë, duke eliminuar ekipe të forta si Krakovia e Polonisë, Neftchi i Azarbejxhanit dhe Mllada Boleslav nga Republika Çeke.

SHKËNDIJA-GENT 0:4 (0:0)
Stadiumi ‘Filipi i Dytë’ në Shkup
Shikues: 30 000
Arbitër: Luca Banti (Itali)
Arbitra anësorë: Alesandro Costanzo dhe Gianluca Vuoto (Itali)
Delegat: Roy Cathcart (Irlandë e Veriut)
Golashënues: Kulibali 60’ dhe 69’, si dhe Perbert 80’ dhe Neto 86’ (Gent)
Kartona të verdhë: Hasani, Pollozhani dhe Ibraimi (Shkëndija), ndërsa Nielsen (Gent)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi (Totre 74’), Cuculi, Ibraimi, Hasani, Zhunior (Juffo 66’), Demiri, Taipi (Radeski 41’), Pollozhani, Todorovski.
Trajner: Bruno Akrapoviq
GENT: Rinne, Kulibali (Perbert 75’), Neto, Mitroviq, Kums, Saief, Nielsen (Asare 46’), Simon, Foket, Gershon, Miliçeviq.
Trajner: Hein Vanhaezebrouck.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat