Lazim Destani: Le t’u gëzohemi vlerave që Shkëndija sjell në shoqërinë tonë!

Futboll

Lazim Destani: Le t’u gëzohemi vlerave që Shkëndija sjell në shoqërinë tonë!

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 23:59
ilustrim

TETOVE : Lazim Destani - Presidenti i Klubit te Futbollit Shkendija nga Shkupi, shkruan ne profilin e tij Faceboook, se :" Mbase dikush do të mendonte se humbja e Shkëndijës nga skuadra belge Gent më dëshproi por unë them që vetëm sa nuk arritëm të gëzohemi me mrekullinë e një fitoreje mbrëmë. Gëzim më i madh për mua mbrëmë do të ishte sikur t’i shihja gjithë ata mijëra tifozë të gëzuar e me fytyra të qeshura por hajt që fati s’e deshi. Shkëndija e para tre viteve arriti të dalë në Europë, pastaj një vit më vonë doli me lehtësi por në të dyja rastet nuk arriti ta kalojë raundin e parë. Me daljen e sivjetme në Europë, Shkëndija i kaloi tre raunde dhe ngeci tek porta e fazës së grupeve, në raundin e katërt në play-off. Me një fjalë, klubi ynë i zemrës po zhvillohet hap pas hapi duke u ngjitur gjithnjë e më lartë në nivelet e futbollit të Ligës Europiane. 

Shkëndija, me ndeshjet e saja në Europa Ligë sivjet, si gjithë tifozëve të vet ashtu dhe mua më ka sjellë kënaqësi e më ka bërë të ndihemi krenar me sukseset dhe me shpirtin e vet triumfues kuqezi. Ky sukses historik që arritën futbollistët e Shkëndijës gjithsesi është për t’u vlerësuar lartë e për t’na bërë krenarë ndërsa tash e tutje skuadra i kthehet kampionatit të vendit duke u fokusuar drejt arritjes së rezultateve kulmore. 

Emocione të veçanta kanë sjellë mbrëmë tribunat e stadiumit të mbushura përplot me tifozë. Me këtë rast shpreh kënaqësinë time të veçantë për faktin që këtu kishin ardhur njerëz të moshave të ndryshme nga të gjitha trojet tona dhe ku pranë vetes i kisha kryetarët e tre federatave tona të futbollit, të Maqedonisë, të Shqipërisë e të Kosovës. Të gjithë së bashku, spektatorë nga sfera të ndryshme të shoqërisë sonë e ndoqën skuadrën kuqezi duke treguar unitet e civilizim shembullor si dhe masivitet të paparë në këtë stadium. 
Këtu ‘Ballistët’ ishin ata që me paraqitjen e tyre, gjithë kësaj atmosfere që la mbresa të thella, ia dhanë bukurinë dhe madhështinë e veçantë. 

Ne i kemi bërë investimet e nevojshme në klub dhe do vazhdojmë me të njëjtin përkushtim në mënyrë që paraqitjet dhe sukseset e Shkëndijës në fushën e gjelbër të sjellin gëzim te zemrat e gjithë tifozëve të saj. Jemi popull që kemi një rini të mrekullueshme që kultivon vlera atdhedashurie dhe që meriton përkujdesje për të ecur drejt zhvillimit e përparimit."
Në fund të këtij mesazhi frymëzues dhe emocionate zoti Destani thotë :" Urime Shkëndija për arritjen tënde historike! Uroj suksese të reja!"

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat